728 x 90 Leaderboard

Telashet në Vetëvendosje: pse po heshtin Visar Ymeri, Shpend Ahmeti, Dardan Sejdiu, Rexhep Selimi, Glauk Konjufca e Dardan Molliqaj?

Nga Blendi Gashi

Kanë kaluar tre ditë nga skandali që shpërtheu në Vetëvendosje ku deputetja Aida Dërguti e fyejti rëndë Albin Kurtin, por reagime kanë ardhur vetëm nga vetëvendosës të rangut më të ultë, e jo edhe zyrtarë të lartë të këtij subjekti që rrezikon ndarjen.

“Pro et contra” Aidës e Albinit kanë dalë deputetët Albulena Haxhiu, Fisnik Ismaili, Shqipe Pantina, Xhelal Sfeqla e Faton Topalli si dhe aktivistë nga komuna të ndryshme.

Megjithatë, edhe pas tre ditësh zyrtarisht asnjë fjalë nuk e kanë thënë “të fortit” e kësaj partie, duke filluar nga kryevetëvendosësi Visar Ymeri (në letrën dërgua aktivistëve në Tiranë ka deklaruar se përmes telefonit ka qortuar Aidën), Dardan Sejdiu (nënkryetar), Rexhep Selimi (njeri me ndikim të madh në VV), Shpend Ahmeti (poashtu me ndikim të madh në rrugëtimin e partisë), Glauk Konjufca (një prej themeluesve) si dhe Dardan Molliqaj (ish-sekretar) i shumëpërfoluri se së bashku me Aidën janë kundër Kurtit që të rikthehet në krye të VV-së.

Molliqaj i kontaktuar nga mediat ka deklaruar shkurt: “Nuk mund të deklarohem, nuk kam ndonjë koment”.

Nuk ka dashur të flasë as deputeti Sami Kurteshi kur të dielën u pyet nga mediat pas përfundimit të seancës plenare me arsyetimin se nuk është i autorizuar të flas për çështjen në fjalë.

“Të gjitha zhvillimet mund të adresohen në Lëvizjen Vetëvendosje. Unë nuk jam kompetent dhe as i deleguar nga asnjë organ i Lëvizjes Vetëvendosje me iu fol për këto gjëra,  Mendoj se ka ngjarë diçka që është krejt njerëzore, në instant të fundit”, ka thënë Kurteshi.

Lidhur me këtë skandalin në fjalë nuk ka folur as lideri shpirtëror i VV-së, Albin Kurti, i cili ndodhet në paraburgim për shkak të gjykimit për hedhjen e gazit lotsjellës në Parlament.

Pse po heshtin kryevetëvendosësit?

Heshtja e të lartcekurve është një sinjal i qartë se ata nuk duan të flasin pasi automatikisht do të etiketoheshin si “pro et contra” Albinit apo Aidës.

Andaj, pritet që ata të shprehen pas mbledhjes së Kryesisë që do mbahet sot(e hënë) ku edhe do diskutojnë për skandalin e shpërthyer ku me gjasë do kërkohet përgjegjësi nga kryeprotagonistja Aida e cila edhe mund të përjashtohet nga partia (këtë gjë e kanë kërkuar tashmë disa pika të VV-së), por të njëjtën kohë mund të kërkohet “koka” edhe atij që e ka nxjerrë telashin e brendshëm në media.

Padyshim se përveç deklarimit të Albinit që pritet me padurim ku edhe do sqarohej nëse do ketë ndarje në këtë subjekt, me interesim të madh pritet edhe deklarimi i Shpend Ahmetit i cili sonte në mbrëmje kur të bën ndezjen e dritave për festat e fundvitit në kryeqytet sigurisht se do pyetet nga medait por që mbetet të shihet nëse do flasë apo do vazhdoi heshtjen.

Vet heshtja e këtyre zyrtarëve flet shumë, ku siç duket problemet e shpërthyera do e çojnë drejt ndarjes, lajm të cilit më së shumti do i gëzohen dy rivalët e mëdhenj LDK e PDK.

Deri tash, kundër Aidës kanë dalur zyrtarisht Xhelal Sveçla e Albulena Haxhiu, ndërkohë, “pro” Aida Dërgutit kanë dalë Fisnik Ismaili, Faton Topalli, Shqipe Pantina, të cilët kanë dalë kundër linçimeve që i janë bërë deputetes Dërguti.

Kujtojmë se në një reagim në Facebook, pas shpërthimit të skandalit, Dërguti kërkoi falje, ndërsa konfirmoi problemet brenda partisë që sipas saj janë qe një vit.

Mbetet të shihet ditëve në vijim si do rrjedhin gjërat në VV dhe nëse përfundimisht do ketë fatin e LDK-së e PDK-së, pra do të çahet. /tesheshi.com/

Related posts