Shpërthimi i një lënde plasëse dje në mesditë në një prej rrugëve më të ngarkuara të qendrës së biznesit në Kajro la pas dy të vdekur, siç raportohet nga Ministria e Shëndetësitë.
Nëntë të tjerë, përfshirë policë, mbetën të plagosur në shpërthimin e së hënës jashtë Gjykatës së Lartë egjiptiane.
Një grup jo shumë i njohur, i quajtur “Ndëshkimi revolucionar”, mori përgjegjësinë për vendosjen e lëndës shpërthyese.
Lënda plasëse ishte vendosur nën një makinë, të parkuar aty pranë.
Zona është shumë e populluar, me duzina njerëzish që shesin artikujt e tyre në tezga të vendosura në asfalt. Aty pranë gjenden dhe një varg stacione autobuzësh, një stacion metroje dhe një tramvaji.
Shpërthimet e lëndëve plasëse janë bërë një ngjarje e zakonshme në Egjipt që kur Muhammed Mursi, presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike, u detyrua nga ushtria në mesin e vitit 2013 ta lërë postin.
Qeveria akuzon grupin e Vëllazërisë Muslimane të Mursit për kryerjen e sulmeve.
Vëllazëria, nga ana e saj, i mohon pretendimet, duke u shprehur se i është kushtuar vetëm aktivizmit paqësor. /tesheshi.com/