RRËFIMI/ Njeriu-shkak i fillimit të tragjedisë siriane: nuk jam penduar

Ai sigurisht as që i kishte shkuar në mendje se vendi i tij do katandisej në një “ferr mbi tokë”, kur mendoi të bënte diçka për të rrëzuar regjimin e Asadit. E megjithatë thotë se nuk është penduar.

Ky është Muavije Sajasna, një prej të rinjve që shtatë vite më parë – atëherë në prag të adoleshencës – nisën të rebelohen kundër regjimit me mibshkrime në murret e shkollës, duke u vetendjerë pjesë e Pranverës Arabe

Sajasna, i cili tashmë është 20 vjeç, shkruan AA që i ka kushtuar një shkrim special me rrëfimin e vetë atij.

 “Kur unë dhe shokët e mi nisëm të shkruanim shkrime nëpër mure, ishim të ndikuar nga revulucionet në Tunizi dhe Egjipt”, tha Sajasna.

“Në mur shkruam: ‘O doktor tani e ke radhën ti‘. Arsyeja që shkruajtëm shkrimin ishte ngritja e një kabine roje të policisë pranë shkollës dhe provokimet ndaj nesh kur kalonim pranë policëve që ruanin aty. Dy-tre ditë më pas, çështja u hetua nga regjimi dhe u zbulua që ne ishim autorët e shkrimit”, shton ai.

“Pasi bastisën shtëpitë tona, na morën dhe na vendosën në qeli të ndara. Më pas, ushtruan tortura të dhunshme për të na detyruar të pranonim se kush kishte shkruar shkrimet. Disa nga ne i varën në mur, ua thyen gishtërinjtë dhe i qëlluan me shkopinj elektrikë. Familjet tona nuk kishin dijeni për vendndodhjen tonë”, rrëfen Sajasna, duke bërë të ditur se pas ngjarjes janë përballur me torturat e regjimit.

Ai thotë se nuk i kishin treguar emrat e shokëve të tjerë dhe se veprën e kishin marrë përsipër ai dhe shoku i tij me emrin Ahmed.

“Pas kësaj, shokët e tjerë u liruan, ndërsa ne mbetëm brenda. Na dhanë disa letra t’i firmosim dhe pas torturave të regjimit na burgosën. Pas një kohe të shkurtër shpërthyen protestat dhe regjimi na liroi. Për shkak të këtyre shkrimeve u arrestuan edhe njerëz që nuk kishin asnjë lidhje”, tregon Sajasna.

Sajasna poashtu bën të ditur se shokët e tjerë që shkruan mbishkrimin janë larguar nga vendi, ndërsa vetëm ai dhe shoku i tij Ahmedi kanë vazhduar të jetojnë në rajonin Dera.

Sajasna tregon se tani ndodhet në radhët e Ushtrisë së Lirë Siriane dhe merr pjesë në betejat kundër regjimit.

“Shpresoj që regjimi të bie dhe që situata në Siri të bëhet më mirë sesa që ka qenë. Shpresoj gjithashtu të kthehen njerëzit dhe shokët e mi që mbetën të detyruar të largohen nga vendi”, thotë ai.

“Kanë kaluar shtatë vite nga shkrimi ynë në mur. Jam krenar për atë që kemi vepruar. Sepse kemi parë fytyrën e vërtetë të regjimit. Njerëzit më të mëdhenj se ne e dinin se çfarë ishte regjimi, por nuk mund të bënin asgjë. Ne shkruam në mur dhe filloi revolucioni”, përfundoi rrëfimin e tij Sajasna. /tesheshi.com/

 

 

 

 

Related posts