Red Bull dhe Ricciardo përmbysin parashikimet, australiani fitues në Kinë

Çmimi i Madh i Kinës është fituar në mënyrën më të befasishme nga Daniel Ricciardo, piloti i Red Bull-it, në një garë ku ai bëri një seri parakalimesh në pjesën e fundit të saj.

Gara e tretë sezonale në Formula 1 pati dy momente kyçe, atë të ndalesës së parë për ndërrimin e gomave, ku Bottas i mori vendin e parë Vettel-it, i cili kryesonte gjer atëherë, dhe atë të hyrjes së makinës së sigurisë në xhiron e 31-të, pas përplasjes së dy Toro Rosso-ve.

Një ndërrim gomash strategjik nga Red Bull-it bëri që dy pilotët e tij të fluturonin në xhirot pasardhëse. Por nëse Verstappen gaboi fort në parakalimin ndaj Vettel-it, Ricciardo u tregua tepër i saktë në parakalimet e tij.

Ricciardo e kaloi finishin i pari, i ndjekur nga Bottas dhe Raikkonen.

Hamilton u rendit i katërti, falë dhe dënimit me dhjetë sekonda për Verstappen-in. Vettel përfundoi i teti, i parakaluar dhe nga Alonso, që e mbylli garën sërish i shtati.

Vettel vijon ta kryesojë kampionatin me 54 pikë, ndjekur nga Hamilton me 45 pikë dhe Bottas me 40 pikë. /tesheshi.com/

Related posts