Raporti: Kuvendi i Kosovës më 2016 miratoi vetëm 36 % të ligjeve; Vetëvendosje më aktivja

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizatë kjo që monitoron punën e Kuvendit thotë se institucioni ligjvënës gjatë vitit 2016 është ballafaquar me mungesa të shpeshta të kuorumit, si në seanca ashtu edhe në mbledhjet e komisioneve.

Sipas KDI-së, miratimi i ligjeve në sesionin vjeshtor pothuajse në asnjërën seancë nuk ka ndodhur në ditën që është planifikuar, por është dashur të shtyhen për një ditë tjetër.

Gjatë vitit Kuvendi ka arritur të miratoi 52 ligje apo 36% të planifikimit. Dinamikë dukshëm më e lartë në miratimin e ligjeve është vërejtur në sesionin pranveror ku janë miratuar 35 projektligje krahasuar me sesionin vjeshtor ku janë miratuar 17 ligje. Iniciuesi kryesor i projektligjeve mbetet qeveria me 49 projektligje, 2 Kuvendi dhe 1 iniciativë qytetare. Tetë ligje ishin për plotësim/ndryshim”, thotë kjo organizatë.

Sipas KDI-së grupi parlamentar më aktiv më pyetje parlamentare është ai i Vetëvendosje-s me 90 pyetje të shtruara, i pasuar nga PDK me 49, AAK me 12, NISMA me 11 dhe LDK me 8.

Sektori në të cilin janë parashtruar më së shumti pyetje parlamentare është ai i Shëndetësisë (24)”, thotë KDI. /tesheshi.com/