Pse u bë Spanja një objektiv për terroristët?

Sulmi terrorist i të enjtes në Barcelonë i dha fund një periudhe 13-vjeçare në Spanjë, gjatë së cilës vendi nuk ka parë sulme të frymëzuara nga i ashtëquajturi “ekstremizëm fetar”, edhe pse nuk kanë munguar përpjekjet për një sulm të tillë.

14 persona humbën jetën dhe 100 të tjerë u plagosën kur një kamion u vërsul drejt në një turme civilësh në një lagje të ngarkuar turistike në Las Ramblas, në një sulm të pretenduar nga ISIS. Policia po mban dy të dyshuar në paraburgim, megjithëse ende po vazhdojnë kërkimet për shoferin e furgonit, për të cilin ata thonë se ishte i paarmatosur.

Zyrtarët spanjollë thonë se kanë penguar të paktën tre komplote serioze për vrasje të civilëve gjatë vitit të kaluar.

– Nëntor 2016: Policia arrestoi një maroken afër Madridit, i cili po planifikonte një sulm, pasi ishin alarmuar nga “aktiviteti i tij i pandërprerë në internet përmes të cilit ai mësoi të kryejë akte terroriste”.

– Dhjetor 2016: Policia arrestoi një person në Spanjën veriore, për të cilin thanë se po planifikonte që të përdorë një kamion, duke kopjuar kështu sulmin e Ditës së Bastijës në Nisë të Francës, që rezultoi me 86 të vdekur dhe 458 të lënduar.

– Maj 2017: Dy burra maroken të arrestuar në Madrid, u akuzuan për planifikimin e një sulmi me kamion. Njëri kishte aplikuar për një licencë për të vozitur kamionin e njëjtë që është përdorur në sulmin e Nisës, dhe për të dytë ekzistonte dyshimi se ishin të përfshirë në një rrjet terrorist në internet.

Herën e fundit kur një sulm ekstremist pati sukses në tokën spanjolle ishte në mars të vitit 2004, kur operativët e Al Kaidës bombarduan katër trena udhëtarësh në Madrid, duke vrarë 191 njerëz.

Vendi shtoi forcat e saj të sigurisë dhe inteligjencës pas këtyre sulmeve dhe tani po ndjekë rreth 1,000 njerëz të dyshuar për lidhje me terrorizmin dhe ISIS-in.

Por po aq e rëndësishme, sipas një analisti të inteligjencës që flet për The Times në Londër, është integrimi më i mirë i popullsisë muslimane ka bërë që Spanja të shmangë shpeshtësinë e sulmeve që janë vërejtur në Francë.

“Këtu nuk kemi geto siç kanë në Francë”, tha ai. “Integrimi i popullsisë muslimane është më i madh, kurse radikalizimi nuk është aq i madh”, shtoi më tej.

Times raporton se Spanja konsiderohet një objektiv për ekstremistët për shkak se vendi ka qenë dikur, në mesjetë nën sundimin musliman, nga vitet 711 deri 1492, ku në fakt ndërtuan dhe lanë pas një ndër qytetërimet më brilante në histori.

Por vitin e kaluar, krahu i medias i ISIS-it iu përkujtoi militantëve të saj muslimanët e vrarë nga spanjollët në betejën e Las Navas de Tolosa, betejë kjo e vitit 1212, e njohur në botën arabe si Beteja e Ukabit. Ai u bëri thirrje atyre të ngrihen kundër spanjollëve në pikat e nxehta turistike si Las Ramblas të Barcelonës dhe të përdorin eksplozivë dhe kamionë për t’u hakmarrë “për krime të kryera nga Spanja kundër muslimanëve”.

A mund të jetë vërtet kjo arsyeja?

Në mendësinë e përgjithshme dhe dominante muslimane, Spanja e dikurshme mbahet si krenari, por kurrsesi nuk ekziston ndonjë narrativë e “hakmarrjes”.

Por nëse është fjala për ISIS, një organizatë që më shumë se për krimet, është tronditëse për okultizimin dhe konspiracionin që e rrethon, sidomos për rrënjët dhe shkaqet e krijimit dhe të ekzistimit, gjithçka mund të ndodhë.

Përgatiti: Jeton Zenuni – /tesheshi.com/