Auto Dak
Auto Dak

PROFILET/ Kush janë 9 kryebashkiaket femra që arritën të mundin burrat në ‘Lokalet 2015’

Nga Entela Canaj

Përtej të mirave dhe të këqijave që patën këto zgjedhje ato shënuan edhe një standard të ri, që ka të bëjë me kuotat gjinore, jo vetëm në radhët e këshillave bashkikë (proces që ende nuk ka përfunduar), por në garën për kryebashkiakët  e rinj të 61 njësive vendore.

Kemi jo pak, por 9 gra fituese në këto zgjedhje, të cilat do të jenë kryebashkiaket e reja  të Shqipërisë nga veriu në jug. Tetë prej tyre janë kandidate të Aleancës për Shqipërinë Europiane, dhe 1 e APPD-së. Kështu bashkitë që do të drejtohen nga femrat për 4 vitet e ardhshme janë: Shkodra, Gjirokastra,  Libohova, Saranda, Gramshi, Ura Vajgurore, Roskoveci, Patosi dhe Përrenjasi. Gara më e fortë duke se ishte ajo në Shkodër mes Voltana Ademit dhe Keti Bazhdarit, të cilat ishin i vetmi rast i këtyre zgjedhjeve i një rivaliteti mes femrash.

Në total kanë qenë 16 kandidate femra që kanë marrë pjesë në këto zgjedhje, por vetëm 9 prej tyre ia kanë dalë të fitojnë, ndërsa 7 të tjera e kanë humbur garën për kryebashkiake. Humbje pati edhe për Grida Dumën në Durrës e cila gjatë fushatës u duk se ishte një rivale e fortë për Vangjush Dakon.

Ndërkohë 6 zonjat e tjera që nuk ia dolën garës ishin Keti Bazhdari në Shkodër; kandidatja e Matit, Adelina Farrici, Diana Mile në Pogradec, Lefteri Prifti në Himarë, Valbona Kola në Klos, të gjitha nga Aleanca për Shqipërinë Europiane dhe kandidatja e pavarur për Selenicën, Alma Golemaj.

Në Sarandë fiton Floriana Koka

Floriana Koka fiton Saranden

Floriana Koka do të jetë kryebashkiake e re e Sarandës. Ajo është një nga 9 kandidatet femra që ka fituar në këto zgjedhje nga radhët e Aleancës për Shqipërinë Europiane, dhe do të drejtojë për këtë mandat qytetin e Sarandës. Floriana ka grumbulluar në këto zgjedhje një rezultat prej 54.09 % të votave kundrejt rivalit të APPD Kreshnik Bozho, i cili ka marrë 45.91 % të votave të qytetarëve të Sarandës. E përkthyer në numër votash, Floriana Koka ka marrë 8.503 vota ndërsa z.Bozho ka marrë 7217 vota gjithsej.  38-vjeçarja Koka ka studiuar gazetari me rezultatet të shkëlqyera dhe flet tre gjuhë të huaja. Koka mbante më herët postin e Drejtoreshës së Burimeve Njerëzore në Bashkinë Sarandë. Prioritet i platformës së saj për Bashkinë e qytetit jugor është turizmi.

Në Gjirokastër fiton Zamira Rami

Zamira Rami

Edhe në Gjirokastër kemi një fituese femër. Ajo është Zamira Rami, kandidate e Aleancës për Shqipërinë Europiane e cila ka marrë 50.30 % të votave kundrejt kundërshtarit të saj, Igli Kokalari nga APPD i cili ka marrë 45.70 % të votave. E përkthyer në numër votash kadidatja e majtë ka grumbulluar 11 mijë e 331 vota, ndërsa kandidati i djathtë ka arritur të marrë 9 mijë e 535 vota. Zamira Rami e datëlindjes 1973 ka lindur në Gjirokastër dhe ka mbaruar studimet e larta në Matematikë-Fizikë. Përveçse në fushën e saj ajo ka mbajtur edhe postin e Prefektes në Gjirokastër.

 Luiza Mandi fiton në Libohovë

Luiza-Mandi-283x3001-283x3001 (1)

Në Libohovë u shpall fituese Luiza Mandi, kandidate e Aleancës për Shqipërinë Europiane. Ajo arriti të merrte 53.65 % të votave në Libohovë kundrejt rivalit të saj Altin Çomo nga radhët e APPD-së, i cili mori 46.35 % të votave. Edhe pse një bashki e vogël, pjesëmarrja e votuesve në Libohovë ishte në masën 54.41 %, ku 1 mijë e 692 qytetarë votuan për zonjën Mandi ndërsa 1 mijë e 462 për z.Çomo. Kandidatja e Partisë Socialiste me profesion mjeke, është shprehur me herët gjatë fushatës  se papunësia dhe mungesa e investimeve në infrastrukturë janë problemet kryesore me të cilat përballet bashkia Libohovë. Brenda mandatit  të pare ajo ka premtuar se do të ndërhyhet ë akset rrugore: rruga nacionale – Bulo, Kthesë Libohovë – Poliçan, Drino – Fushë Nepravishtë, në rrugën për fshatin Lliar; si dhe do të rikonstruktojë  Qendrën Shëndetësore Libohovë.

Juliana Memiaj fiton në Urën Vajgurore

Juliana Memiaj ok

Juliana Memiaj fitoi bashkinë e Urës Vajgurore në zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015. Kandidatja e ASHE-së garoi përballë kandidatit të APPD-së z.Bujar Hoxhaj, dhe arriti të fitonte 58.29 % të votave, ose thënë ndryshe 9 mijë e 019 vota të qytetarëve që kanë votuar në Urën Vajgurore. Rivali i saj Bujar Hoxhaj arriti të merrte 41.71 % të votave ose e përkthyer në numra 6 mijë e 454 qytetarë kanë votuar për të.  Zonja Memiaj është me profesion juriste, më herët ajo ka shpalosur në programin e saj  gjatë fushatës, se ndër prioritetet e shumta, është edhe çështja e gruas dhe e fuqizimit të saj në aspekte të ndryshme, arsimimi i fëmijëve, shëndetësia etj.

Rajmonda Balilaj  fiton në Patos

Rajmonda-Balilaj-310x180

Po ashtu edhe në Patos garën për zgjedhjet vendore 2015 e ka fituar një tjetër femër, Rajmonda Balilaj (ASHE), e cila ka korrurr një fitore të thellë kundrejt rivalit të saj Luan Mustafaj (APPD). Ajo ka marrë 61.79 % të votave ose thënë ndryshe 9 mijë e 379 vota, ndërsa z.Mustafaj ka marrë 38.21 % të votave, ose 5 mijë e 800 vota. Pjesëmarrja e votuesve në Patos ka qenë në masën 44.86 %. Kandidatja e Partisë Socialiste tashmë fituese në Bashkinë e re Patos ka thënë se do të përqëndrojë investimet në bujqësi, fushë me të cilën merret zona; do investojë në kanale vaditëse për të përmirësuar gjendjen ekonomike të popullsisë së kësaj bashkie. Balilaj është e martuar dhë është nëna e një djali të vogël. Ajo rikonfirmohet kështu edhe për katër vitet e ardhshme në krye të bashkisë së Patosit pasi e ka mbajtur postin e kryebashkiakes që prej vitit 2011.

 Majlinda Bufi fiton në Roskovec

majlinda_bufi

Në Bashkinë e Roskovecit është shpallur fituese zonja Majlinda Bufi nga Aleanca e Shqipërisë Europiane. Ajo ka fituar me 7 mijë e 142 vota ose 52.45 % të votave kundrejt rivalit Gëzim Çaushi, i cili ka marrë 47.55 % të votave ose 6 mijë e 475 vota. Në Roskovec  pjesëmarrja ka qenë në masën 56.50 %, pra kanë votuar gjithsesj 13 mijë e 616 zgjedhës nga 24 mijë e 097 qytetarë me të drejtë vote. Majlinda Bufi, ka lindur në vitin 1972 në Fier  është e martuar dhe ka mbaruar studimet në Universitetin Politeknik të Tiranës në fakultetin e Inxhinerisë së Ndërtimit. Bufi ka bërë ëdhë një  fakultet të dytë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në degën Politikë Agrare. Ka qenë deputete e qarkut të Fierit në Kuvendin e Shqipërisë.

 

 

Luljeta Dollani fiton në Gramsh

luljeta-dollani

Edhe në Gramsh zgjedhjet vendore 2015 i ka fituar një kandidate femër, Luljeta Dollani nga Aleanca për Shqipërinë Europiane e cila garonte përballë kandidatit të djathtë z.Kodhel Çala. Kandidatja Dollani ka arritur të marrë në Gramsh 59.31 % të votave ose thënë ndryshe 8 mijë e 662 vota, ndërsa kundërshtari i saj z.Çala është votuar nga 5 mijë e 943 qytetarë ose thënë ndryshe ka marrë 40.69 % të votave në Gramsh. Kandidatja e majtë fituese për Bashkinë Gramsh, ka premtuar gjatë fushatës se do të asfaltojë rrugët drejt ish-komunave që janë ende të paasfaltuara, por jo vetëm. Ajo është lindur në vitin 1961, është e martuar me dy fëmijë. Ka mbaruar studimet e larta në Universitetin e Tiranës dega Filozofi; ka punuar si mësuese. Në vitin 1998 u zgjodh si kryetare e Partisë Socialiste të rrethit Gramsh; në vitin 2000 u zgjodh kryetare e bashkisë Gramsh, detyre të cilën e mbajti deri në 2003, dhe tani rizgjidhet sërish.

Miranda Rira fiton në Prrenjas

Mirana Rira

Edhe në Përrenjas shqiptarët preferuan të zgjidhnin për kryebashkiake një femër. Miranda Rira e ASHE-së fitoi ndaj kandidatit kundërshtar Bajazit Karriqi nga APPD. Miranda Rira ka marrë 57.73 % të votave kurse z.Karriqi ka marrë 42.27 % të votave. Pjesëmarrja e qytetarëve në votime sa i përket Prrenjasit ka qenë në nivelin 55.49 % e qytetarëve me të drejtë vote; ku 7 mijë e 745 prej tyre kanë votuar Rirën ndërsa 5 mijë e 670 kanë votuar kandidatin Karriqi. Miranda Rira ka lindur në vitin 1981 në Librazhd, është e martuar dhe është nënë e një vajze. Ajo është diplomuar në vitin 2007 në degën Filozofi-Sociologji, më pas ka mbaruar Masterin  po në këtë degë, ndërkohë që studimet e Doktoraturës i ka mbyllur në Universitetin “Ghent”, në Belgjikë. Nga viti 2014 Rira është Lektore në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan. Që prej vitit 2012 Miranda Rira shërben si Drejtoreshë dhe Trajnuese në  Shoqatën  për “Mbrojtjen e Grave Rurale”, Elbasan. Rira ishte pjesë e Grupit Parlamentar të LSi  dhe deputete e kësaj partie në Kuvendin e Shqipërisë. Tashmë pritet të emërohet si kryebashkiake.

Voltana Ademi fiton në Shkodër

voltana-ademi-e1429253266671

Në Shkodër, Voltana Ademi, ka fituar përballjen me një tjetër kandidate femër, Keti Bazhdarin, duke u bërë e vetmja nga tre zonjat e koalicionit të djathtë që ka dalë fituese. Tetë të tjerat janë të gjitha nga radhët e Aleancës për Shqipërinë Europiane.  Voltana Ademi ka marrë në Shkodër 56.94 % të votave ndërsa Keti Bazhdari 40.33 % të votave. Ndërkohë në garë për Bashkinë e Shkodrës ka qenë edhe një tjetër rival, që duket se ka marrë shumë më pak vota në krahasim me të dyja kandidatet.  Vullnet Elbasani, kandidati i LVDMP ka garuar në Shkodër dhe ka marrë vetëm 2.72 % të votave. Voltana Ademi ka lindur në Shkodër, dhe është e martuar, ajo është nëna e një djali të vogël. Ka studiuar në Universitetin e Tiranës për Shkenca Kompjuterike. Ka mbaruar studimet Master “Për Qeverisjen dhe Zhvillimin Territorial” në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe Universitetin e Palermos, Itali. Ademi e ka filluar karrierën si pedagoge në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. Voltana Ademi ka mbajtur postin e nënkryetares së Bashkisë Shkodër gjatë vitit 2014, ndërsa në vitet 2007 – 2011 ka punuar si këshilltare pranë Këshillit të kësaj Bashkie. Ademi në vitet 2011-2013 ishte Prefekte e Qarkut Shkodër dhe në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 është zgjedhur deputete e PD-së në këtë qark. /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts