728 x 90 Leaderboard

Pikëpyetja e madhe nga një sulm i Ramushit ndaj LDK-së për çështjen e vizave…

Nga Blendi Gashi

Kryeministri Ramush Haradinaj ka befasuar me një deklaratë bërë kundër LDK-së së Isa Mustafës, parti të cilën e akuzon se po punon kundër liberalizimit të vizave, kjo vetëm një ditë pasi nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha se “sa herë që zyrtarët e pushtetit japin premtime për heqje vizash, liberalizimi shtyhet edhe për një vit”.

Haradinaj beson se kjo parti po çon mesazhe të këqija për Kosovën në Europë sa i përket liberalizimit të vizave.

Mirë është me u fokusu me i ndihmuar qeverinë në këtë rast për liberalizim të vizave. Mirë është nga LDK-ja mos me gabua me ndonjë porosi që e çojnë te Partitë Popullore a diku. Mos me çu porosi të gabuara që mos me na u aprovu liberalizimi i vizave. Nuk është mirë me dhënë skepticizëm që p.sh: nëse ndodh liberalizimi kish me pas refugjatë. Nuk është kështu, nuk do të ketë refugjatë. Kaniher e kam përshtypjen që pas takimeve me zyrtar të Partisë Popullore Evropiane (PPE) nuk janë nda të bindur që e meritojmë liberalizimin. E kam një frikë që një pjesë e opozitës është kah bon kundër liberalizimit të vizave. Nuk është mirë. Pikërisht mendoj te LDK-ja. I lus mos të bëjnë kësi gabimesh”, Haradinaj në emisionin “Debat” në RTK, por pa dhënë një emër se kush nga zyrtarët e LDK-së po çon mesazhe të tilla në Europë.

Ndërsa kryeministri nuk tregon dhe jep fakte se kush saktësisht nga LDK-istat po punon kundër heqjes së vizave, kjo deklaratë e tij lë shumë pikëpyetje pas.

Por që kryesorja është: mos vallë Haradinaj mori ndonjë mesazh të qartë gjatë qëndrimit në Sofje se vizat për kosovarët mund të mos hiqen edhe sivjet dhe kështu, me gjuajtjen e gurit tek LDK mundohet të përgatisë opinionin?

Pavarësisht nëse qëndron kjo apo jo, Haradinaj për të qenë i besuar duhet të ofrojë fakte, në të kundërtën opinioni vështirë se mund t’i besojë në fajësimin e LDK-së, pasi që kjo e fundit votoi Demarkacionin me Malin e Zi (marrëveshje që Ramushi e kundërshtonte fuqishëm si opozitar) që ishte kushti vendimtar nga ndërkombëtarët për heqjen e vizave dhe njëherit e mbajti në pushtet qeverinë e tij.

Kujtojmë se pas votimit të Demarkacionit. ndërkombëtarët kanë vënë dhe një kusht tjetër për heqjen e vizave e që është luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, të paktën të bëhet përparim evident në këtë fushë. /tesheshi.com/

 

 

Related posts