728 x 90 Leaderboard

PAN-it i plotësohet kërkesa, seanca  mbahet më 24 gusht: A do t’i bëj brenda 8 ditësh votat për Kadri Veselin?

Nga Blendi Gashi

Edhe pse javën e kaluar premtuan se do të marrin pjesë nëse seanca konstituive thirret më 17 apo 18 gusht, koalicioni PAN në takimin e sotëm konsultativ ka ndryshuar qëndrim pasi ka kërkuar edhe një javë kohë, pra që seanca konstituive të caktohet më datë 24 gusht, duke premtuar pjesëmarrjen dhe prezantimin e kandidatit për kryekuvendar.

Kjo kërkesë e PAN-it u realizua edhe pse përfaqësuesit e partive të koalicionit LDK-AKR-Alternativa shprehën mosbesimin e tyre se edhe më 24 gusht PAN do të rikthehet në Kuvend.

Tashmë,  PAN nuk ka më arsye që të braktisë seancën dhe nuk mund të blejë më kohë.

Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt i mbeten plotë 8 ditë që të gjejnë rrugëzgjidhje për të bindur deputetët t’i japin votën si për kryekuvendar ashtu edhe për kryeministër.

Kjo javë duket se do të përdoret për të bindur qoftë deputeten e LDK-së Teuta Rugova, ashtu edhe Behgjet Pacollin të kalojë në anën e tyre, për çka të paktën do të siguronin votat për të bërë një qeveri të pakicës, pasi votat nuk do t´i mjaftojnë për të marrë vendime të mëdha si për ushtrinë, Demarkacionin, Asociacionin e liberalizimin e vizave.

Lista Serbe, ndërkombëtarët, presidenti…

Brenda kësaj kohe Veseli e Haradinaj duhet të përmbyllin edhe marrëveshjen me Listën Serbe, e cila ka bërë të qartë se nuk i jep votat pa iu plotësuar kushtet e tyre, që edhe mund të jenë të dhimbshme për Kosovën.

Pra mbetet në duart e krerëve të PAN-it nëse do arrijnë të bëjnë votat, pasi në të kundërt ose duhet të lëshojnë rrugë ose vendi pashmangshëm shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Presidenti Thaçi në disa deklarime të bëra ka lënë të nënkuptohet se nuk i jep mandatin një partie/koalicioni të dytë për ta formuar qeverinë.

Megjithatë ky qëndrim i presidentit mund të ndryshojë varësisht nga rrethanat që krijohen.

Dhe nëse PAN arrin të zgjedhë kryekuvendarin, por dështon të krijojë qeverinë, atëherë lehtësisht faktori ndërkombëtar, pra ambasadorët e shteteve mike, mund të ndikojnë tek Thaçi që të mandatojë partinë/koalicionin e dytë për ta formuar qeverinë.

Kjo bëhet më e mundshme duke pasur parasysh kërkesat e vazhdueshme të ndërkombëtarëve e së fundmi të shteteve të QUINT-it (SHBA, Britani, Gjermani, Francë dhe Itali), që deputetët të kthehen në seancë dhe të lejojnë punimet e Kuvendit, pasi vendin e presin sfida si në zhvillimin ekonomik ashtu edhe në sundimin e ligjit.

Po ashtu nuk duhet harruar edhe afërsia e ndërkombëtarëve me Lëvizjen Vetëvendosje ku i nominuari i kësaj partie Albin Kurti së fundmi ka zhvilluar takime me ambasadorin amerikan Greig Delaëie dhe atë britanik Ruairi O’ Connell që janë një sinjal tjetër i qartë se Thaçi mund të detyrohet t’i japë mandatin një koalicioni të mundshëm mes VV-së e LDK-së dhe aleatëve nëse dështon përfundimisht PAN-i. /tesheshi.com/

 

Related posts