Ozil “ftoh” klubet që e kërkojnë, mund të rinovojë me Arsenalin

 

Mesut Ozil “po i driblon” të gjithë. Kur mediat e kanë “dërguar” sa në Milano tek Interi, sa tek Mançester tek Murinjo e sa në Gjermani tek Dordmund, nga enturazhi i tij, vjen një lajm se ai do të rinovojë me Arsenalin.

Agjentët e tij kanë thënë se negociatat për kontratën e re po shkojnë mirë dhe mund të përmbyllen me sukses. Pak javë më parë, presidenti i Interit, Tohir e nxorri si lajm të madh që turko-gjermani do të ishte “dhurata” e tij e Vitit të Ri për trajnerin Spaleti.

Por ka qenë rroga e lartë e fantazistit që e ngadalësoi marrëveshjen. Aktualisht Ozil nuk po kalon një moment të mirë forme, e me Botërorin në prag, i duhet të rigjejë formën e tij për tu bërë pjesë e National Manshaftit gjerman.

Jo më kot trajneri Joakim Low e paralajmëroi në dy ndeshjet e fundit, duke mos e grumbulluar. Megjithatë, ndoshta me tu stabilizuar në skuadrën e tij, Ozil do të rikthehet asist-man-i deciziv që të gjithë njohin. /tesheshi.com/