Një “radiografi” e çështjes “Pallatit të Bashës” në Vlorë: e vërteta e 14 milionë eurove

Nga Ylli Pata

Vendimi i Gjykatës së Strasburgut për të dëmshpërblyer pronarët e pallatit të vjehrrit të Lulzim Bashës, që u prish në Vlorë nga Edi Rama, ka rihapur edhe njëherë debatin në opinionin publik.

Fakti është, se vendimi i tashëm i Strasburgut është një shtesë e “vogël” prej 3 milionë eurosh nga ajo që u miratua në verë, pra gjithsej familja e gruas së kreut të PD-së do të dëmshpërblehet me 14 milionë euro.

Pasi e nxori nga çadra dhe u takua më 17 maj, ku bëri marrëveshjen e famshme, Edi Rama vendosi që ta dëmshpërblejë kreun e PD-së me 11 milionë euro për pallatin e prishur.

Kjo histori, çuditërisht irritoi edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili pas vendimit të Strasburgut akuzoi qeverinë se u ka ngarkuar taksapaguesve shqiptarë një shifër marramendëse për t’i paguar, thjesht nga shkelja e ligjit prej qeverisë.

Për ta kuptuar sa më qartë situatën po i kthehemi nga fillimi i saj. Në vitin 2011, vjehrri i Lulzim Bashës ndërtoi një pallat luksoz në Ujin e Ftohtë në Vlorë, duke i hyrë detit në hise. Me gurë, u zu një pjesë deti dhe u përfitua një hapësirë përreth pallatit.

Lejen për ndërtimin e këtij pallati e pati dhënë kryetari i bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, pas një pakti të tij me Lulzim Bashën. Edi Rama, pikërisht për këtë arsye u prish me Gjikën, pasi e konsideronte një “skandal” zënien e bregdetit.

Me ardhjen në pushtet, Edi Rama deklaroi se të gjitha ndërtimet që janë bërë përgjatë bregut nga Skela e Portit deri në Ujin e Ftohtë në Vlorë do të prishen për të ndërtuar një shëtitore që u quajt Lungomare.

Atëherë nuk u prish vetëm pallati i vjehrit të Bashës, por edhe shumë ndërtime të tjera, madje edhe të disa biznesmenëve shumë afër PS-së. Pra Edi Rama i futi tritolin të gjitha ndërtimeve që kishin zënë bregdetin. Hapësira u pastrua.

Por të gjitha ndërtimet ishin bërë me para dhe, nëse ishin të ligjshme ata duhet të dëmshpërbleheshin dhe bëhej fjalë për shuma marramendëse. E pakta një pallat e ka koston 3 milionë euro.

Ai i familjarëve të kreut të PD-së normalisht e kishte më të madh pasi kishte “tokëzuar” detin, kishte pishinë, hekura dhe material nga më të fundit. Para e madhe me një fjalë. Që të ishte 14 milionë euro askush s’besonte. Po ja që doli…

Në fund për ta qartësuar problemin dy janë pikëpyetjet: nga erdhi pasuria prej 13 milionë eurosh që u investua nga familja e Lulzim Bashës në Vlorë?

Kjo shumë aq e madhe kërkon një skaner të hollësishëm nëpër të cilin duhet të kalojnë të gjithë ata zyrtarë publikë që përfitojnë nga kjo shumë marramendëse.

I pari është lideri i opozitës, më pas Avokatja e Popullit e zgjedhur nga radhët e opozitës, por ka edhe të tjerë…

Dhe e dyta: nëse ndërtimi ishte i ligjshëm dhe Rama e prishi për shërbim publik, pra për të ndërtuar shëtitore, përse paratë e dëmshpërblimit nuk u ngarkohet atyre që kanë abuzuar gjithë këto vite me shkatërrimin e bregdetit, duke nisur që nga pronarët e pallatit që e zunë detin me gurë?

Kush prish, duhet të ndreqë!

Nuk ka përse qytetarët të mbajnë paguajnë vazhdimisht zullumet e politikanëve apo familjarëve të tyre që humbin miliona dhe më pas janë gati të djegin vendin.

Megjithatë, qeveria për të qenë sa më e larë nga kjo histori, do të duhet të bëjë një bilanc të plotë sa është dëmshpërblimi për  ndërtimet e Lungomares dhe kur të bëhet e qartë shifra, presioni fiskal për të marrë ata para, le t’u ngarkohet atyre sipërmarrësve që kanë përfituar gjithë këto 27 vjet nga kontratat publike, pra buxheti i shtetit.

Kurse qytetarët që paguajnë nga rroga e tyre taksat, TVSH-në, tarifat e ndryshme qeveritare, taksat dhe tarifat e kryetarëve të bashkisë, duke nisur nga Erion Veliaj që i ka ngarkuar shumë, nuk u takon të paguajnë asnjë lek.

E fundit, qeveria nuk ka të drejtë të përdorë paranë publike si pjesë negociatash, sikur të ishte pazar për lekët e xhepit.

Ata janë para të qytetarëve dhe duhet të diskutohet në detaj për çdo lek që del nga buxheti si shpenzim. Por te ne ndaj bëhet gjithmonë zhurmë, pasi politika kërkon të bëjë sherr për të fshehur se ç’bëhet me lekët, tenderat kontratat etj. /tesheshi.com/

 

Related posts