Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Nis punimet Forumi i Biznesit i Sarajevës: “Një rajon, një ekonomi”

Në kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës, në Sarajevë, ka nisur dje punimet Forumi i Biznesit, nën moton, “Një rajon, një ekonomi”. Në konferencë marrin pjesë afaristë nga rajoni, si dhe të ftuar të tjerë nga 30 vende. Forumi ka hapur dyert për më tepër se 900 përfaqësues nga e gjithë bota.

Ky forum, i gjashti në serinë e tij, synon së pari të tërheqë investimet e drejtpërdrejta të huaja në Bosnjë-Hercegovinë, e të diskutojë më tej mbi çështjet ekonomike të rajonit të Ballkanit.

Në fjalën e tij, kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, tha se vetëm një treg i bashkuar në rajon mund të tërheqë më shumë investitorë të huaj nga e tërë bota. “Nuk duhet t’i lini të tjerët të kujdesen për ne; ne duhet të marrim përgjegjësi,” theksoi me forcë ai.

Ndërkaq, një vend të veçantë në punimet e forumit zuri fjala e zëvendëskryeministrit turk, Ali Babaxhan, i cili u shpreh se zhvillimi ekonomik dhe marrëdhëniet tregtare janë instrumente të rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve politike dhe të pajtimit në rajon. “Eshtë shumë e rëndësishme për rajonin që të kemi lëvizje të lirë të njerëzve, të mallrave dhe kapitalit,” tha zyrtari i lartë turk.

“Kur i hedhim sytë rajonit, shohim se kemi një ekonomi mjaft të copëzuar. Kur ta bashkojmë rajonin për t’i shmangur pengesat për investime, atëherë mund të flasim për prosperitetin e tij. Eshtë shumë e rëndësishme të punojmë për ndërtimin e përbashkët të rajonit, e të punojmë së bashku për prosperitetin e tij. Si bëhet kjo? Përmes paqes dhe stabilitetit. Kudo në botë, stabiliteti politik është baza e përparimit ekonomik,” vijoi në fjalën e tij Ali Babaxhan.

Zëvendëskryeministri turk, në mbështetje të idesë së vet, vuri në pah përvojën e Bashkimit Europian, “Një element thelbësor për përparimin në strukturat europiane është integrimi. Ndërsa vështrojmë Bashkimin Europian, themeluesit e tij ishin në anë të kundërta gjatë Luftës së Dytë Botërore, por më pas ato vende u bashkuan rreth një institucioni të përbashkët: ekonomisë. Ekonomia vetë është një instrument esencial për procesin politik dhe për procesin e pajtimit. Ne duhet të bëjmë gjithçka për ta përmirësuar mjedisin e biznesit të vendeve tona, për ta bërë këtë vend tërheqës për investitorët.”

Forumi, i njohur ndryshe dhe si “Davosi i Ballkanit”, do të vijojë punimet dhe sot, me vëmendjen të përqendruar te zhvillimi i strategjive të përbashkëta në të ardhmen në fushën e sipërmarrjes e të prodhimit të shëndetshëm ushqimor për tregjet europiane, si dhe te potenciali i rajonit në zhvillimin e turizmit.   /tesheshi.com/             

auto pjese dak

Related posts