reklama juaj ketu

Nga Sali BERISHA: Ne, bashkëpërgjegjës e bashkëviktima të komunizmit (viti 1992)

Fjalim i mbajtur me rastin e zgjedhjes President i Republikës, prill 1992

 

Klerikë të nderuar,

Të dashur zonja deputetë,

Të dashur zotërinj deputetë,

Të nderuar zotërinj ambasadorë,

Të dashur të ftuar,

Të dashur bashkëqytetarë, qytetarë të Shqipërisë, bashkëkombës, kudo që jeni.

Detyra e Presidentit te Republikës, që populli shqiptar më beson sot mua nëpërmjet përfaqësuesve të tij në Parlamentin e parë demokratik të Shqipërisë, është një nder i madh dhe një detyrë sa me përgjegjësi, aq dhe dinjitoze. Ajo është nder, se populli ynë, pas afër një shekulli lufte dhe përpjekje titanike për liri, demokraci, të drejta njerëzore dhe kombëtare, më vendos sot mua, nëpërmjet jush, me vullnetin e tij të lirë, në vendin e parë të Shtetit demokratik Shqiptar. Por detyra e Presidentit, në agimin e demokracisë së Shqipërisë, pa dyshim, është tejet e vështirë. Kjo sepse unë zgjidhem sot President i njërit prej vendeve më të varfra të globit, ku në të kaluarën e afërt qindra pleq e fëmijë vdiqën nga uria apo sëmundjet e lidhura me të dhe sot akoma nuk janë të paktë ata që vuajnë nga kjo plagë, ku janë të panumërt fëmijët që, të zhveshur e të zbathur e të uritur, nisen për në shkollë, ku qindra mijëra të sëmurë nuk kanë ilaçe për t’u injektuar, papunësia është në nivele ndër më të lartat që mund të jetë, ku qindra mijëra familje në fshat nuk kanë një pëllëmbë tokë, as dhe mjete të tjera jetese, industria është e një teknologjie jashtëkohore, 80% përqindëshi bren çdo ditë ekonominë shqiptare të paralizuar. Peizazhin natyror të vendit, me bukuri mahnitëse, e trishtojnë drurët e prerë dhe bunkerët, këta të fundit simbol autentik i diktaturës së egër dhe gjysmë shekullore që përjetuam. E vërteta është se në Shqipëri koha ndaloi dhe jo për një javë apo vite, po për gjysmë shekulli dhe kjo ka peshë dhe çmim të rëndë. Ligji nuk u respektua ndonjëherë, madje kohët e fundit ai i lëshoi vendin kaosit, krimit të organizuar dhe anarkisë.

Zonja dhe zotërinj.

Gati gjysmë shekulli në Shqipëri, për mungesë të lirisë së ndërgjegjes dhe në bazë të parimit amoral të luftës së klasave, qindra dhe mijëra shqiptarë dhanë jetën dhe rininë e tyre për fjalën e lirë, për mendimin e lirë. Ndërsa të tjerëve, që nuk u burgosën apo internuan, komunizmi u ndaloi liritë themelore të individit, mendimin, pronën dhe Zotin. Ai zhyti vendin në një ngujim dhe izolim që rëndoi shumë mbi shpirtin, psikologjinë, kulturën, ekonominë tonë.

Zonja dhe zotërinj, unë bëra këtë përshkrim jo vetëm për të dënuar diktaturën të cilën përjetuam, por edhe për të rikujtuar këtu se në këto rrethana askurrkush nga ata që kanë luftuar për liri dhe demokraci dhe besoj se do të lakmonte qoftë dhe një miligram pushtet. E me gjithë këtë, unë e pranoj me kënaqësi dhe optimizëm detyrën e Presidentit të Republikës. Së pari, sepse unë jam krenar se jam shqiptar. Nënat tona, së bashku me qumështin, na mëkuan ne krenarinë dhe dashurinë për kombin, kulturën, flamurin dhe historinë e tij të dhimbshme. Plagët e rënda që unë përmenda më sipër dhe që janë një trashëgimi tepër e hidhur, Shqipërisë nuk ia shkaktoi Zoti, por komunizmi, të cilin ne, me një ceremoni madhështore demokratike, e varrosëm njëherë e përgjithmonë ditën e parë të kësaj pranvere të madhe.

Zonja dhe zotërinj,

Qytetarë të Shqipërisë,

Bashkëkombës të dashur,

Postin e Presidentit unë e pranoj, sepse kam besim të madh te ju, kam besim të pakufishëm te njeriu, te gjenia e tij krijuese, aftësitë, talenti, mundësitë, idealet dhe aspiratat e tij. Unë besoj dhe shpresoj se ata që mundën diktaturën e egër, ata do të dinë të ndërtojnë demokracinë, të ndërtojnë një Shqipëri demokratike, një ekonomi tregu të zhvilluar, një zonë të lirë të qytetarëve të lirë. Mendimi i lirë, puna e lirë, iniciativa e lirë do punojnë për ne siç kanë punuar për të gjitha kombet e qytetëruara. Nga ana ime, në këtë rast dua t’ju garantoj se do të angazhohem me të gjitha forcat për ristabilizimin e rendit dhe të qetësisë, funksionimin e shtetit juridik, rifillimin e prodhimit në ndërmarrjet tona dhe rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare.

Klerikë të nderuar, detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë unë e pranoj sepse kam besim të madh te Zoti. Ai na ka ndihmuar e do të na ndihmojë në rrugën tonë të gjatë dhe të vështirë drejt demokracisë. Shqipëria sot ka tri fe, ato do të nderohen dhe vlerësohen gjithnjë si tri gurra të fuqishme hyjnore, që do të pasurojnë shpirtin tonë, shqiptarinë.

Zotërinj ambasadorë dhe diplomatë të akredituar në Shqipëri, duke marre detyrën e Presidentit dua dhe një herë t’ju konfirmoj besimin tim të palëkundur se vendet demokratike fqinje, demokracitë e Evropës, SH.B.A-së do të na ndihmojnë në rrugën e demokracisë dhe të përparimit. Dua, me këtë rast, t’ju siguroj se ëndrra më e madhe e çdo shqiptari është integrimi i Shqipërisë në Evropë. Për këtë ne do të ndërtojmë shtetin e së drejtës, do të realizojmë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave e ideve. Me politikën e saj Shqipëria do të përpiqet që interesat e ndryshme të mos sjellin konflikte, por të zgjidhen me mirëkuptim dhe marrëveshje mbi bazë të normave dhe traditave demokratike. Në të ardhmen do të bëjmë përpjekje që sa më shumë qytetarë të huaj, biznesmenë dhe burra shteti të vizitojnë Shqipërinë, që Shqipëria të shndërrohet në faktor paqeje, mirëkuptimi në rajon dhe në Evropë. Ndërmarrjet e përbashkëta ekonomike dhe investimet e huaja do të garantohen me një legjislacion liberal dhe demokratik.

Bashkëkombësit tanë në trojet e veta në Jugosllavi dhe kudo që janë, dua t’i garantoj se Shteti Shqiptar do të punojë me këmbëngulje për realizimin e të drejtave të tyre njerëzore e kombëtare. Unë kam besim të palëkundur se çështja shqiptare është çështje e drejtë, që mund të zgjidhet plotësisht në kuadrin e aktit final të Helsinkit dhe nismës së Komunitetit Evropian për rajonin. Shpreh bindjen se nuk do të jetë e largët dita që shqiptarëve do t’u njihet e drejta për vetëvendosje dhe të drejtat e tjera që u takojnë. Nga ana tjetër, dëshiroj të siguroj minoritetet në Shqipëri se do të gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë individuale dhe kombëtare që u garanton kushtetuta jonë dhe aktet ndërkombëtare. Do të përpiqem dhe shpresoj se dhe vende të tjera do të mbajnë të njëjtin qëndrim ndaj pakicave tona.

Zonja dhe zotërinj, detyrën e Presidentit të Republikës e pranoj i vendosur të realizoj së bashku me ju aktin e madh të pajtimit kombëtar.

Komunizmi ishte përçarës i madh i kombit tonë. Pak ditë më parë ne varrosëm pushtetin e tij, por jo doket dhe zakonet e tij. Ato do t’i varrosim vetëm pasi t’i zëvendësojmë me virtytet e larta që ne trashëgonim. Duke dënuar krimin e shëmtuar dhe diktaturën, ne duhet të nderojmë, të duam dhe të çmojmë njëri-tjetrin. Të gjithë ne kemi qenë bashkëpërgjegjës në shkallë të ndryshme për vazhdimësinë e diktaturës së paku për votën nën frikë 99.99% që i akorduam asaj. Por të gjithë kemi qenë bashkëviktimat e tij, prandaj le të na bashkojë vuajtja, dhimbja e njëri-tjetrit, përgjegjësia e përbashkët për të ndërtuar një shoqëri të civilizuar si Spanja dhe Portugalia. Kombet me kulturë dhe shpirt të madh dinë të falin, dinë të shprehin pendesën për hir të kulturës, të shpirtit, të fëmijëve dhe të të ardhmes së tyre.

Zonja dhe zotërinj, në detyrën e vështirë të Presidentit dua t’ju garantoj se do të mbroj fort interesat e të gjithë shtetasve shqiptarë, të gjithë qytetarëve shqiptarë, duke filluar nga vogëlushët që na përcillnin çdo ditë me gishtërinjtë e tyre lart, mesazh i shpresës së një kombi, tek rinia që solli këto ditë për vendin tonë, te burrat dhe gratë, të moshuarit dhe pleqtë që nuk kursyen asgjë, as fëmijët e tyre, as veten e tyre, kur ishte fjala për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzore. Një kujdes të veçantë do të tregoj për të gjithë ata që vuajtën. Vuajtjet dhe sakrificat e tyre janë çmimi i njerëzve, i lirisë që gëzojmë ne sot.

Zonja dhe zotërinj, në funksionin e Komandantit të Përgjithshëm do të punoj për transformimin e ushtrisë, të forcave të ruajtjes së rendit dhe SHIK-ut në institucionet që garantojnë ruajtjen dhe zhvillimin e demokracisë, do të përpiqem që Shqipëria të anëtarësohet në NATO, si program i integrimit të saj në Evropën e qytetëruar.

Së fundi, dua t’ju njoftoj se Presidenti i parë i zgjedhur nga ky Parlament do të ruajë përmasat e tij qytetare. Shqipëria ka vërtet një pallat presidencial, por, si njëri prej vendeve më të varfër botë, ajo nuk mund të ketë President për pallat. Do të rri midis jush se ndjehem më i fortë, (Duartrokitje e ovacione) se vetëm ashtu do të mund të ruaj dimensionin njerëzor, si dimensione themelore të politikës së re shqiptare.

Rroftë Shqipëria!

/tesheshi.com/