Nga Redi SHEHU: Aktivizëm apo Like-tivizëm dhe Twitt-tivizëm?

Të gjithë jemi bërë dëshmitarë të një kohe të mbushur me organizime njerëzish nga të katër anët e botës, të cilët zënë vazhdimisht sheshe e rrugë në qindra mijëra, e në disa raste miliona, duke protestuar për kauza të ndryshme. Madje ka pasur organizime të tilla protestuese që kanë arritur të prekin deri në 2 600 qytete gjithandej, siç ishte rasti i “Occupy Wall Street”, apo protesta si ajo e “Pranverës Arabe”, që përfshiu shtete të tëra, nga Magrebi deri në Lindjen e Mesme. Marrëdhënia e njerëzve me realitetin që i rrethon bazohet në mënyrën se si ata e perceptojnë këtë realitet. Sot njerëz që bëjnë jetë të përditshme së bashku në lagje, punë, institucione, rrugë, ambiente publike, të cilët duken të ngjashëm në atë që bëjnë, papritmas i gjen të ndarë në një situatë të caktuar me qëndrime krejtësisht të kundërta. Atëherë, përse disa njerëz protestojnë kur disa të tjerë nuk e bëjnë një gjë të tillë? Qeniet njerëzore reagojnë ndaj botës që i rrethon nga mënyra se si ata e përjetojnë atë. Pra, njerëzit kanë përjetime të ndryshme për të njëjtën situatë, që do të thotë se perceptimi i tyre për një ngjarje të caktuar ndryshon në grupime sociale të ndryshme. Për këtë arsye, ajo pjesë e cila e percepton ndryshimin e realitetit përmes protestimit, aktivizon revoltën, të cilën  sociologë të ndryshëm e kanë quajtur “ngjarje fotogjenike” që tërheq vëmendjen e medias nga ana vizive, por që në pak raste sjell ndryshime thelbësore sociale dhe politike.

Si ka mundësi pra që kaq shumë njerëz të motivuar të protestojnë, të arrijnë kaq pak rezultate? Në dimrin e vitit 2003 të gjitha kryeqytetet e botës protestuan kundër luftës në Irak, por protestat nuk e penguan vazhdimin e saj. Pothuaj një dekadë më vonë, qytete të tëra në të gjithë globin u përfshinë në protestën “Occupy Wall Street”, pa sjellë ndryshimet për të cilat ajo u nis. Në 2014-ën e gjithë SHBA-ja u përfshi në protestën kundër keqtrajtimit të njerëzve me ngjyrë, “Black Lives Matters”, por përveç disa masave sipërfaqësore, jeta dhe siguria e këtyre njerëzve përsëri vlen pak. Pas fitores së  Donald Trump në zgjedhjet amerikane, në janar të 2017-ës, një protestë e quajtur “Women’s March” kundër fyerjes dhe diskriminimit të grave nga ana e Trump, përfshiu 700 qytete anembanë pak përpara se ai të fillonte punë në zyrën e tij. Por gjithë kjo lëvizje nuk e pengoi këtë të fundit të hynte në zyrën ovale. Me qindra e mijëra protesta të cilat si zona vullkanike shpërthejnë në të gjithë globin, japin aq shumë energji, por marrin aq pak rezultate saqë i bëjnë njerëzit të mendojnë seriozisht se diçka nuk shkon mirë me efikasitetin e tyre.

“Ka një ndryshim mes mënyrës tradicionale se si janë organizuar njerëzit për të protestuar dhe mënyrës moderne të teknologjizimit të protestës”, shkruan Zeyneb Tufekci nga Qendra për Informim dhe Teknologji e Universitetit të Princeton-it. “Gjatë protestave moderne”, thotë ajo “një motor i fuqishëm politik merr udhë në rrugët e shumë qyteteve duke prodhuar shumë energji politike. Por ky motor ngelet i palidhur me rrotat, kështu që e gjithë kjo energji e prodhuar prej tij e bën “lëvizjen” të palëvizshme”. Problemi është se sot ne kemi faktorë të rinj të cilat quhen rrjete sociale. Ato janë njëkohësisht posedues të dy tipareve, lehtësimit të  dhënies udhë të “motorit politik”, për të cilin flet Tufekci, dhe, nga ana tjetër, të minimit apo sabotimit të punës dhe energjisë që ky motor social prodhon.

Përse njerëzit protestojnë?

Njerëz të përkatësive të ndryshme e vendeve të ndryshme përshkohen të gjithë së bashku nga e njëjta ide, ajo e sakrifikimit të jetës së rehatshme të përditshmërisë, të rutinës dhe trafikut të interesave në drejtim të pasigurisë dhe pështjellimit që protestat sjellin në një shoqëri. Kjo, për shkak të një ideali apo kauze e cila kthehet në motivin madhor në raportet me të gjitha motivet e tjera personale që i përshkojnë individët. Ky shkak madhor përbëhet prej proceseve mikro-individuale të cilat transformohen në një proces makro-dakortësimi mbi situatën. Pakënaqësitë dhe zemërimi individual shndërrohen në pakënaqësi dhe zemërim grupor, e pastaj komunitar, i cili shpërthen pastaj në rrugë si “motor politik” i gatshëm për të sjellë ndryshimet e kërkuara.

Edhe pse arsyet për të protestuar mund të jenë të shumta, teorikisht sjelljet e protestuesve duhet të jenë të njëjta, ato duhet të përjetojnë të njëjtën ndjenjë të përbashkët të zemëratës për padrejtësinë apo mungesën e të drejtave që i takojnë. Është e vërtetë se në thelbin e çdo proteste qëndron zemërata ndaj padrejtësisë, e cila mund të shfaqet në qindra përthyerje në shoqëri të ndryshme. Shkalla e këtij zemërimi përcakton edhe mundësinë e protestës. Sa më të bindur të jenë pjesëmarrësit që protesta e tyre do të jetë e suksesshme dhe efikase, aq më shumë gjasa ka që masiviteti i saj të jetë i dukshëm. Mirëpo, zemërata që përshkon grumbullimet ka nevojë që të shndërrohet në kauzë, në motivin superior që do ta furnizonte me energji protestën. Për ta bërë këtë, ka nevojë për një identitet kolektiv i cili lidh njerëzit në një përkatësi të njëjtë, pa të cilën çdo lëvizje do ishte e pamundur. Nëse identiteti kolektiv i një mase njerëzish, apo “identiteti social”, siç John Turner evidentonte, spikat mbi identitetet personale të tyre, atëherë ky grumbullim njerëzish priret të vetëpërkufizohet bazuar mbi dallimet që ka me të tjerët, dhe ky vetëpërkufizim i bën individët protestues të ndajnë të njëjtat simbole dhe vlera, e në fund të veprojnë si pjesëtarë të një grupimi, të cilat nga sjellje personale transformohen në sjellje kolektive protestuese, duke shkuar kështu drejt një fati të përbashkët.

Sa më tepër që  individi të identifikohet me grupin, pra sa më tepër ai zhvendoset nga “unë” në “ne”, aq më përparësi merr pesha e grupimit dhe pjesëmarrja; të sjellurit, të folurit në emër të tij kthehet pothuaj në një detyrë për secilin. Kështu, zemërata e përbashkët, së bashku me identitetin kolektiv të grupimit, transformohen në një aksion kolektiv që përshkohet nga emocioni politik si kurorëzim i saj, por edhe si përforcim i identitetit politik të mëparshëm në kërkim të një triumfi ndaj padrejtësisë sociale dhe përmirësimi të situatës.

Po përse çuditërisht grupet protestuese vazhdojnë të sillen si të tilla në qindra prej tyre në të katër anët e globit, edhe kur rezultatet pozitive mungojnë? Edhe pse në shumë protesta botërore që kemi parë identiteti kolektiv ka qenë i përmasave historike, ai nuk ka arritur t’i ndryshojë gjërat. Ato, në fakt, kanë vërtetuar hendekun e madh që ekziston mes identitetit kolektiv të protestuesve dhe establishmentit politik, çka indirekt flet për një problem të theksuar në filozofinë e përfaqësimit dhe konceptin e demokracisë sot. Këmbëngula e protestave ka çuar në suksese të pjesshme ose minimale, por nga ana tjetër ka rritur solidaritetin dhe ka modifikuar mjetet dhe praktikat për ta arritur një gjë të tillë.

Frika që ndjehet sot është nëse protestat e sotme mund të shndërrohen nga mjete shumë efikase për ndryshime politike, në mjete po aq efikase të cilat po ndryshojnë identitetet kolektive, pra vetë protestuesit. Si shpjegohet pra që edhe pse falë fuqisë së mediave sociale, protestat vazhdojnë të humbasin energji dhe “motori politik” mbetet i palidhur me rrotat?

 

Protesta digjitale dhe koreografia e turmave

Teknologjizimi i sotëm i jetës njerëzore, përveç shumë lehtësirave që ka ofruar në jetën e përditshme, në mënyrë të ngjashme, ka prodhuar lehtësira edhe në organizimin e mënyrës sesi njerëzit e perceptojnë realitetin e tyre. Me pak fjalë, i ka organizuar vetëdijet e njerëzve rreth të kuptuarit të përbashkët të gjërave. Kjo e ka bërë informimin më të vlefshëm në të njëjtën kohë për të njëjtin shqetësim, duke rritur perceptimin, në rastin e protestave, në kërkim të një destinacioni. Është e vërtetë që teknologjia sjell lehtësira në organizmin e ndërgjegjes qytetare, duke kurorëzuar një reagim popullor me një motiv superior ndaj realitetit sfidues. Por e njëjta teknologji përdoret edhe nga ana tjetër e pushtetit për të shtypur, atrofizuar, devijuar dhe keqpërdorur këtë manifestim. Pra, roli mobilizues i mediave sociale nuk shtrihet vetëm në anën e atyre të cilat duan të protestojnë, por edhe në anën e pushteteve që mobilizohen për t’i dështuar përpjekje të tilla publike.

Ky efekt që teknologjia e komunikimit masiv ka mbi shoqërinë, bën që rrjetet sociale të marrin tashmë një funksion, i cili nuk kufizohet vetëm me shpërndarjen e miliona mendimeve, përshtypjeve apo qëndrimeve individuale. Ato shërbejnë, mbi të gjitha, për t’i dhënë formë këtyre mendimeve përmes veprimit apo organizmit, duke kulmuar me mënyrën sesi njerëzit bashkohen drejt asaj që shpesh është quajtur si “koreografia e veprimit kolektiv”. Administratorët e llogarive të ndryshme në facebook, apo rrjeteve të tjera sociale janë, në fakt, koreografët e vërtetë të ndërtimit të një proteste, janë ata që i japin formë teatralitetit me të cilin një organizim popullor merr udhë, janë “liderët digjitalë”, që nxisin e frymëzojnë motorin politik që derdhet rrugëve e shesheve të qendrave kryesore urbane. Kjo ka bërë që, ashtu siç Alec Ross, këshillari i Hillary Clinton thoshte, hierarkitë tradicionale të njohura më parë të sheshohen tashmë në një platformë të përbashkët ekzekutimi, ku njerëzit, dikur në krye të organizmave, ta gjejnë veten të përfshirë, për shkak të rrjeteve sociale, në një “ne”, pa lider dhe funksion. Është e vërtetë që smartfonët dhe mediat sociale mund ta bëjnë të lehtë organizimin e një proteste brenda pak orëve, sipërmarrje që kohë më parë do të duheshin javë të tëra, por ama këto rrjete i kanë dhënë protestave më shumë tis imazhi, ku rëndësi tashmë ka numri i pjesëmarrësve sesa rezultati efektiv i tyre. Prandaj, shpesh gëlojnë pyetje të tipit : A janë sot protestat mjete efikase për të shkaktuar aksione politike, apo ato shërbejnë thjesht si “teatër social”, i cili na vetëpërmbush, na kënaq, na bën të ndjehemi të shumtë, por pa cilësi dhe me rezultate të pakta politike?

Evgenyi Morozov, një ndër studiuesit emimentë bashkëkohorë rreth impaktit social dhe politik që teknologjia ka tek njerëzit, mbron idenë se rendja e njerëzve pas aktivizimit teknologjik, pas like-ve, apo twitter-ave i ka bërë ata që të ndjehen mirë dhe të vetëplotësuar, duke u mjaftuar me një aktivizëm digjital. Një tip aktivizimi i cili të krijon iluzionin e një ndikimi masiv thjesht duke u bërë pjesë i një grupi në rrjetet sociale, por pa pasur vërtet rezultate konkrete dhe pothuajse aspak ndikim politik në terren. Për më tepër, Morozov ndalet te një paradoks që ekziston me rrjetet sociale, të cilat, sipas tij, janë krijuar me qëllim zbavitjeje dhe si të tilla nuk kanë kapacitetin për të konkretizuar me sukses një lëvizje social-politike te njerëzit.

Nënvlerësimi i idealit dhe i rolit fisnik që i bashkon njerëzit në një protestë, nënvlerësimi i kontaktit fizik dhe organizimit fizik që aktivizimi i pastër dikur ndikonte tek njerëzit, roli i madh i identiteteve njerëzore dhe emocioneve të përcjella ndër ta gjatë procesit të mobilizimit, kuptimi i të qenurit bashkë është zëvendësuar në Like-tivizëm dhe Twitt-tivizëm. Po t’i shtojmë kësaj edhe faktin se ideologjia neoliberale, e cila nuk ka besim te një frymë e përbashkët që mund t’i mbledhë njerëzit e individualizuar si “une” të izoluara drejt një organizimi protestues, i turret teknologjisë si e vetmja rrugë, si një mrekulli e cila do t’i bëjë bashkë njerëzit. Po, kjo edhe mundet. Ajo mund  t’i bëjë bashkë njerëzit dhe t’i kthejë ato nga “une të izoluara” në bashkime fizike si pasojë e rrjeteve sociale, por ama sjell njerëz që shpesh përshkohen jo nga një motiv superior i qenësishëm dhe nga një emocion që kthehet në një ideal të papërkulshëm.

Protestat, gjithmonë, në çdo kohë, kanë synuar të jenë në qendër të vëmendjes. Për këtë, atyre (protestave) u duhen sheshet qendrore, si skena në të cilën që teatri i protestës duhet të aktualizohet. Sheshet dhe grumbullimet janë parë si zgjidhje perfekte për të tërhequr vëmendjen e politikës dhe të gjithë shoqërisë, janë parë si konstruksione simbolike, si podiume ku motivi superior i tyre të dominonte hapësirën publike. Si të gjitha protestat botërore, edhe protestat e studentëve tek ne synuan rrugët dhe sheshet kryesore pikërisht për të tërhequr vëmendje. Ato u shquan për një “koreografi” proteste e cila cilësisht ishte më e natyrshme se ajo e protestave të parafabrikuara partiake. Individualizmi ishte më i spikatur për shkak të përdorimit më masiv të rrjeteve sociale.

Media sociale është ajo e cila konfuzon identitetet në procesin e mobilizimit dhe të organizimit të protestës. Identiteti personal dhe ai kolektiv ndryshojnë në mënyrë fluide gjatë mobilizimit të njerëzve, duke anuar gjithnjë e më tepër drejt këtij të fundit për ta bërë masën protestuese më homogjene dhe duke e transformuar më në fund atë në bashkësinë e “njerëzve autentikë”. Autenticitetit i të cilëve është pikërisht motivi i tyre superior protestues. Gjatë protestës së studentëve, dhjetorin e kaluar në Tiranë, u vërejt, sidomos gjatë fillimit të saj, se identiteti personal i studentëve anoi nga identiteti kolektiv i tyre që i dha formë protestës deri sa i bëri ata autentikë në raport me pjesën tjetër të shoqërisë. Por çfarë bëjnë rrjetet sociale?  Ata, si mekanizma perfektë për të pasqyruar dhe inkurajuar individualizmin tek njerëzit, në mënyrë të vazhdueshme, veprojnë në dy kahe. Nga njëra anë i motivojnë ata në mobilizim, nga ana tjetër përmes, dhjetëra çikërrimave të vetëshfaqjes, i tërheqin njerëzit drejt afishimit të dukurive personale, drejt identiteteve familjare e përkatësive individuale duke zhvleftësuar ngadalë identitetin kolektiv që i bashkon ata në një protestë. Studentët e protestave të dhjetorit të kaluar filluan të dështonin në pjesën e fundit të saj,  kur u spostuan nga një grup kolektiv, pra nga “njerëz autentikë”, në identitete personale, familjare dhe politike, pra nga “ne”, në “une” të izoluara brenda një like-tivizmi të reduktuar.

Ajo që ndodh shpesh me protestat digjitale, me koreografinë e turmave të cilat mbushin facebook-un, twitter-in apo çdo rrjet të komunikimit social, është se qëllimi i masave protestuese spostohet nga ideali i saj drejt tërheqjes së vëmendjes së botës në koreografinë dhe imazhin e turmës më shumë sesa në softin dhe përmbajtjen e saj. Prandaj, protestat moderne sot janë spektakolare, të mahnitshme, plot ngjyra dhe postura individësh që bëjnë gjeste të habitshme, veçse rezultati dhe efekti i tyre politik është gjithnjë më i vogël. Kjo sepse motori politik nuk lidhet dot me rrotat e realitet politik për të vënë në lëvizje ndryshimin e madh që duhet të vijë.

Marrë nga revista MEDIUS – /tesheshi.com/

 

 

auto pjese dak

Related posts