728 x 90 Leaderboard

Nga George MONBIOT*: Bota natyrore po zhduket para syve tanë

U ndjeva po aq i ç’orientuar sikur kisha harruar pinin. Ia ngula sytë larvës, pa qenë në gjendje ta lidhja me një emër të caktuar. Nuk besoj se fuqitë e mia mendore po zbehen: ende zotëroj një aftësi të madhe të risjell në mendje fakte dhe shifra e të memorizoj pasazhe të gjata teksti. Këtu bëhet fjalë për një humbje specifike. Si fëmijë dhe djalë i ri, gjeja kënaqësi të isha në gjendje të identifikoja pothuajse çdo bimë apo kafshë të egër. Dhe tani kjo më ka ikur. Aftësia është zbehur nga mospërdorimi: nuk mund t’i identifikoj më për shkak se nuk i gjej më për t’i parë.

Ndoshta kjo harresë është mbrojtëse. Unë kam shmangur vështrimin. Për shkak se nuk mund të duroj të shoh se çfarë i kemi bërë natyrës, unë nuk shoh më vetë natyrën: përndryshe, shpejtësia e humbjes së saj do të ishte e papërballueshme. Shkatërrimi mund të dëshmohet nga njëri vit në tjetrin. Rënia e shpejtë (rreth 25 për qind në pesë vjet) shënohet nga humbja e britmave të egra që deri së fundmi, mbushnin qiejt sipër shtëpisë sime. Ambicia ime për të parë kolonitë e zogjve të detit në Shetland dhe St Kilda është zëvendësuar nga qëlllimi për të mos i vizituar kurrë këta ishuj gjatë sezonit të shumimit: nuk duroj dot të shoh shkëmbinjtë e boshatisur, ku popullsia ka rënë me rreth 90 për qind në dy dekadat e fundit.

Kam jetuar gjatë mjaftueshëm sa të bëhem dëshmitar i zhdukjes së mamalëve të egër, fluturave, pilivesave, zogjve këngëtarë dhe peshqve që dikur kisha frikë se nipërit e mi nuk do t’i shihnin: gjithçka ka ndodhur më shpejt sesa e parashikuan madje, edhe më pesimistët. Shëtitja në fshat apo zhytja në det është tashmë po aq e dhimbshme për mua sa ajo e një artdashësi që hyn në galeri për të parë se mjeshtërit e vjetër janë hequr nga kornizat.

Shkaku i këtij përshpejtimi nuk është mister. Kombet e Bashkuara raportojnë se përdorimi nga ana jonë e burimeve natyrore është trefishuar në 40 vjet. Zgjerimi i shpejtë i minierave, prerjes së drurëve, prodhimit të mishit dhe peshkimi industrial po spastron planetin nga vendet e tij të paprekura dhe mrekullitë natyrore. Ajo që ekonomistët pretendojnë është progresi, ndërsa ambjentalistët e përcaktojnë si rrënim.

Kjo ka sjellë katërfishimin e zonave të vdekura oqeanike që prej vitit 1950: “asgjësimi biologjik” përfaqësuar nga rënia tronditëse e popullatës së vertebrorëve, nxitimi për të ndërhyrë edhe në pyjet e fundit të paprekura, zhdukja e brezave koralorë, akullnajave dhe akullit detar, rrudhja e liqeneve, tharja e tokave ujë-mbajtëse. Bota e gjallë po vdes nga konsumimi.

Ne kemi një dobësi fatale: dështimin për të perceptuar koston shtesë. Ndërsa sistemet natyrore kalojnë nga njëra gjendje në tjetrën, ne pothuajse harrojmë menjëherë se çfarë kemi humbur. Mua më duhet të bëj një përpjekje të vendosur për të kujtuar ato që kam parë në rini. A mund të ketë qenë e vërtetë që çdo pjesëz hidhrash, në këtë kohë të vitit, ishte plot me vrima larvash? Që fluturakët ishin kaq të zakonshëm saqë rrallë ua hidhja sytë? Që lumenjtë, rreth ekuinoksit të vjeshtës, ishin pothuajse të zinj nga ngjalat?

Të tjerat duken në harrim. Kur kritikova praktikat aktuale, fermerët më dërguan imazhe të kulturave të gjelbra të thekrës me mesazhin: “Shihi këto dhe provo të na thash se ne nuk kujdesemi për natyrën”. Eshtë e gjelbër, por është po aq pasur nga ana ekologjike, sa edhe një pasarelë aeroporti.

Një lexues tregon ndryshimin që ai ka parë në fushën pranë shtëpisë së tij, ku bari dikut përdorej për mullarë ndërsa tani pritet për silazh. Duke parë punëtorët që prisnin barin me shpejtësi nëpër fushë, ai kuptoi se çdo qenie e gjallë që mund të kishte mbetur aty, do të copëtohej.

Shpejt pas korrjes, ai pa një dre që qëndrojnë në barin e prerë. Ai qëndroi gjatë gjithë ditës dhe natës pasuese. Kur shkoi ta shihte nga afër, ai e gjeti këlyshin e saj me këmbët e prera. “U ligështova, ndjeva zemërim dhe pafuqi… sa kohë i ishte dashur të vdiste?”. A është ky mishi i ushqyer me bar që reklamojnë revistat dhe restorantet? Ky është realiteti.

Kur kujtimet tona spastrohen po aq sa edhe toka, ne nuk arrijmë të kërkojnë restaurimin e saj. Harresa jonë është një dhuratë ndaj grupeve lobuese industriale dhe qeverive që u shërbejnë atyre.

Një shembull: në përgjigje të lobimit të fermerëve të deleve, qeveria lejoi që korbat, një specie tepër inteligjente dhe jetë-gjatë që sapo ka nisur të marrë veten nga shekuj persekutimi, të vriten sërish në mënyrë që të mbrohen qingjat. Ekzistojnë 23 milionë dele në këtë vend, dhe 7400 çifte korbash. Pëse duhet që gjithë speciet e tjera të dorëzohen përballë epidemisë së bardhë?

Duke iu përgjigjur një ankese se pjesa më e madhe e parqeve tona kombëtare janë pothuajse pa jetë të egër, qeveria ngriti një komision. Tani, lobistët kërkojnë një vend të ri në Zelandën e Re për fermat pas Brexit: pa rregulla e armiqësor si ndaj jetës së egër ashtu edhe ndaj syrit njerëzor.

Ne harrojmë historitë tona. Ne nuk arrijmë të kujtojmë, për shembull, se raporti Doëer i vitit 1945 krijoi vizionin e parqeve kombëtare më të egra nga ato që kemi sot, dhe se dokumenti qeveritar për mbrojtjen e natyrës në shkallë të gjerë, hartuar në vitin 1947, konsiderohet i mprehtë dhe inovativ sot. Kujtesa është një akt radikal.

Asaj larvës, me që ra fjala, ia gjeta emrin: është larva e një fluture me ngjyra të shkëlqyeshme të zezë e rozë që dikur popullonin lagjen time. Nuk do ia lejoj vetes ta harroj sërish. Do të punoj për të rifreskuar njohuritë e mia që i kam humbur. Sepse tani e di se pa pushtetin e kujtesës, ne nuk mund të shpresojmë të mbrojmë botën që duam.

* George Monbiot është kolumnist për “The Guardian”.

Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts