Nga Fjolla SPANCA: Përse tradhëtojnë burrat?

Tallazi i nji bote gjithë mundim, shpesh të shtyen me u ngjit majave prej ku, zemra e zbehun arrinë me i kap ca hije t’Dritës, të cilat më pas kthehen në Shpresë dhe Forcë. Për vite të tana, kam taku gra që përtej çdo zhgënjimi, trishtimi a halli’ kanë lind prej fillimit për hatër t’nji Dashnije të Pafundme. Ato kaherë më kanë fol për ambëlsinë e të qenunit Afër me Burimin e Pashterruem të Qetësisë e Mirësisë. Zoti që dilte prej krahnorit të tyre ishte i Butë, Falës, i Afërt dhe ShumëiDuruar!  Kurse, emri i profetit Muhamed (Paqe pastë mbi Të) i lëviztë shkëmbinjtë e thepisun prej ernave zullumqare të traditave boshe. Kështu, këto gra të fisme e të hijshme, me e pa flokë mbuluar, më ftonin me udhëtu nëpër mendime të ndrittuna mbi të Bukurën.

Përse tradhëtojnë burrat. Disa porosi për gratë

Pak nga mosdija, e shumë nga habia e nisa udhën për me u Taku a Njoftu me Botën e grave që veç fëmijëve, rropaten për mbarëvajtjen e shtëpisë, shqetësohen për mirëqenien e shoqënisë si dhe i japin kësaj Kohe, aq sa kanë nxënë e dijnë. Këto gra nuk janë kukulla të punueme nëpër sallat e operacioneve plastike. As janë modele të daluna mode. Shpesh i takoj me buzë në gaz, por ka raste dhe kur e kanë ngjy buzën n’vaj. Ndonjëherë më rastis me i përqafue teksa janë me rrobat gjithë aromë gjelle, hudhre a qepe. I shoh dhe me njollat e biskotave e të qumështit që janë vepra arti prej doçkave të fëmijëve. Më thënë drejtën, së fundmi edhe kanë shtu peshë, se s’para dalin për shëti, nuk kalojnë ditën nëpër palestra e as kanë mundësi me bo pazare nëpër marketet e aristokracisë tiranase e prishtinase. Ama në fund të ditës, ajo dora e bardhë, ai syni që shkëlqen e nxjerr Jetë, t’japin mjaftueshëm ajër për nji natë t’prarueme n’Dashni.

Përse tradhëtojnë burrat. Disa porosi për gratë

Në takimet modeste, herë të stërgjatura e herë fare të shkurtëra, Profeti Muhamed (Paqe pastë mbi Të) më ka ardhur krejt i Lehtë, i Mbarë, i MirëKuptueshëm, Zemërgjonë, i Dashtun, i Përkryem në njerëzoren dhe Misionin e vet.

Ai qe burrë i fisëm, i hijshëm e besnik.  Dashnija e pakufizueme ndaj zonjës së tij, të Bekuemes Hadixhe, ishte e vetmja histori që mund të më mbante zgjuar duke u thellu në urtësinë e nji afrimi të tillë. Thjeshtësia me të cilën Profeti i Ndriçuar jetonte si bashkëshort, më flet për kujdesin, qëndrueshmërinë emocionale dhe moralin e tij. Menimi i Lartë për Krijuesin e nxjerrë Profetin (Paqë pastë mbi Të) para nesh me nji dimension krejt tjetër nga çkemi parë nëpër shekujë historie. Biles edhe martesat e më vonshme, mbasi Muhamedi (Paqe pastë mbi Të) u mbështjellë me kurorën e Përcjellësitë të Fjalës së Zotit janë aq frymëzuese, anise pak kush i ka shtjelluar motivet e tyre. Profeti Muhamed’ si burrë dhe mik, si shok jete dhe shok lufte, i fali Botës sonë, atë Shpirt që ish përcjellur kaherë por në modelin më të përsosur dhe më të lehtë për t’u jetu, si në brendinë e zemrës, ashtu dhe në gjymtyrët e jashtme.

Përse tradhëtojnë burrat. Disa porosi për gratë

Një prijës xhamije ndërsa flet për tradhëtinë, liston “shkaqet” të cilat burrat fort të ndershëm i detyrokan me i shkel kurorat e tyre, sidomos në një kohë, kur siç thotë edhe vet hoxha, nuk qenkërka  aspak e vështirë me ndodhë nji gjë e tillë. Ai pëmend ekonominë dhe tradhëtinë, si prishëse të familjes. E para reduktohet e ngushtohet në përdorimin e xhirollogarisë bankare nga ana e gruas, si shenjë abuzimi dhe sebep, për grindje familjare. Kurse e dyta, që meriton trajtim i fije më të hollë, pra tradhëtia, sipas hoxhës lidhet kryekëput me mosfunksionimin e “TEORISË SË SAKTË” të gruas.

E çfarë është “TEORIA E SAKTË”?!

Hoxha përmend nji të vërtetë të hidhun, “femra sot sa bon fëmijën e parë, e sheh burri nji herë n’muaj”. Pra, bashkëshortja e vërtetë, ajo e cila e pret burrin me kënaqësi, qetësi e buzëqeshje në Ballkanin pseudo Europian, pro Perëndimor, nuk arrinë të kurohet përditë. Rrobet e saja mbajnë erna gatimesh, sepse fëmijët kërkojnë të hanë, anise burri është tunduar rrugëve teksa ka zhbiriluar me sy  të gjitha adoleshentët e rastit. Ky s’do mend që s’ka për të qenë i kënaqun, edhe sikur zonja e tij, të ish dukeshë a princeshë.

Kjo gruaja që plak ditën tuj punu, tuj la shtëpinë e tuj shtru peta bureku, gjenë mjaftueshëm kohë për të eduku fëmijët e burrit, i cili nevojat fiziologjike pa dashje i ka vu prioritet në familje. Ky burrë, që hoxha thotë se i ka vajt gruaja 150 kile dhe i ka mbaru familja, e ka harru Profetin e Paqtë, që martohej me gra të moshuara  e të lodhura nga vuajtjet, për t’i mbrojtur e për t’u dal krah!

Hoxha, ndoshta pa dashje anashkalon emra grash, të cilat me burrat e tyre kishin lidhur zemrën dhe asgjë e përbotshme nuk prekte, as sa një fije floku, dashninë e rehatinë e çiftit. Madje, hoxha sërish gabon kur flet për tradhëtinë si diçka që vjen, zhvillohet e shtohet prej neglizhencës së gruas, ose pamundësisë së saj për t’u plastifikuar si “artistet” nëpër klipet e Max Production.

Hoxha nuk flet mbi edukimin, dijen, kulturën, formimin e aftësimin e gruas si kërcënim serioz për injorancën dhe tradhëtinë apo prishtjen e familjes. Fatëkeqësisht, hoxhallarët në diskurset e tyre ndonjëherë bajate burrat i nxjerrin si krijesa me nevoja të shfrenuara dhe pa mundësi kontrolli mbi epshin, kusht ky parësor për të fitu Parajsën. Burrat zhveshen dhe prej përgjegjësive mbi Moralin, po aq sa shfajsohen për paaftësitë ekonomike dhe mungesën e theksuara të përqëndrimit e produktivitetit brenda ambjenteve shtëpiake.

Përse tradhëtojnë burrat. Disa porosi për gratë

Dje, në nji libër si pa dashje, e gjeta për të dytën herë, thënien e tejçmueshme, tek e cila kam parë të mbahen shpirtnisht shumë besimtarë.

“Gjatë kthimit për në Medine, Profeti (Paqja qoftë mbi  Të) fillon të qajë. Shoqëruesit e pyesin:”Përse qan o i dërguar i Zotit? Ai u përgjigjet:”Më ka marrë malli për vëllezërit e mi.”  Të pranishmit e pyesin: “Po a nuk jemi ne vëllezërit e tu o i dërguar i Zotit?!” Profeti (Paqja qoftë mbi Të) ua kthen: “Jo. Ju jeni shokët e mi. Vëllezërit e mi janë ata njerëz që do të vijnë më vonë, që do më besojnë, edhe pse nuk më kanë parë.”

Për t’u kthyer edhe një herë tek tradhëtia;

Shqetësimi im si grua, vajzë, bijë e motër lidhet me mos peshimin e fjalëve nga ana e prijësve fetarë. Hoxhallarët me pak shkollë, pak edep dhe pak dije lëshojnë llafe, terme e fraza të pa studjuara e shtjelluara që në thelb. Ata janë gati krejt të shpërfillun kundrejt FJALËS, për të cilën Profeti Muhamed (Paqe pastë mbi Të) kishte merak të madh. Hoxhallarët nuk zgjedhin fjalët kur u drejtohen njerëzve, të cilët kanë pak informacion dhe në shumicë rastesh, ligjeratat e tilla i marrin të mirëqena.

Së dyti, sipas logjikës së hoxhës, çdo soj tradhëtie nga ana e burrave muslimanë, justifikohet lehtazi dhe përligjet për sa kohë gratë e tyre nuk e mbajkan veten. Hoxha këtu, gabon rëndshëm sepse anashkalon fatkeqësitë e plot grave që janë të detyruara të jetojnë brenda kufizemeve të përcaktuara prej kontekstit social, ekonomik, kulturor e politik.

Akoma më trishtues është fakti që hoxha flet për gratë, sikur të ishin “pula n’pazar” a “kukulla të importuara prej Kinës”. Ai anashkalon barazinë gjinore në luftë për të ruajtur parimet e moralin. Pra, Hoxha flet për të jashtmen, duke e anashkaluar të brendshëm anise këto të dyja asnjëherë nuk mund të jenë në kundërshtim me njëra-tjetrën për sa kohë flasim për një grup njerëzish, që janë besatu me ndjek udhën e Pejgamberit Urti’shumë.

Idhnimi im e tejkalon vrullin e kritikës së hoxhës, duke pretendu për nji soj reflektimi mes besimtarësh, për sa kohë ata mëtojnë me u vllaznue me Profetin dhe me e këqyr Fytyrën e Zotit të tyre.  Tuj u mbështet tek tradita e gjanë e Profetit, konsideroj se hoxha në fjalë dhe hoxhallarët e tjerë bashkë me ndjekësitë e tyre, kanë për detyrë sqarimin e përpiktë të termeve dhe sidomos, trajtimin me dinjitet dhe integritet të çështjeve me ndjeshmëri dhe pasoja të nalta, për besimtarët, për ata që lexojnë, meditojnë, thellohen e luten, por edhe për ata që fenë e kanë ngushtue me pyetje e përgjigjie të shkurtëra ose fotografi në rrjetet sociale.

Fjalët e hoxhallarët nuk përkojnë me shembullin e Profetit të Drejtë, i cili s’kishte komplekse a inferioritet në kohën kur ndihmonte gruan me punë shtëpie. Profeti (Paqe qoftë mbi Të) si shembulli më i denjë, më i patrazueshëm e më i bukur jeton larg nesh’ larg xhamive që gratë i kanë shpërfytyru e burrat i kanë kthyer në qenie pa kontroll mbi egon. /tesheshi.com/