728 x 90 Leaderboard

Nga Ermir HOXHA: Sot më mirë se dje? Ç’nuk kupton ose ç’nuk pranon Rama

“E megjithatë sot jemi më mirë se dje, e nesër do jemi më mirë se sot…”, është një prej frazave të kryeministrit Rama përgjatë ligjërimit të tij rutinor, në intervista e debate parlamentare. Vjen e finalizohet kjo, pasi ka shprehur më parë të qënit i pakënaqur me veten, rreth cilësisë së qeverisjes e se si po i vejnë punët kësaj të fundit.

Por a është vërtetë kështu?

Në disa drejtime e në disa tregues, sigurisht që po; por në tërësoren, ose me në shumatoren e përgjithshme, me gjuhë aritmetike, jo. Dhe Rama bën mirë ta pranojë këtë fakt, ose më së paku ta kuptojë pse. Sepse, dhe ky është thelbi, mungon paraja. Përvoja e tranzicionit shqiptar na kë dhënë të kuptar se kur ka para në qarkullim, të gjithë mynxyrat e tjera bëhen të kapërdishme. Në javët e para të vitit ’97, një ndryshim drastik në xhepat e shqiptarëve, bëri që dhe perceptimi mbi Berishën të ishte 180 gradë. Nga engjëll ai u shndërrua sakaq në djall, sapo paratë nisën t’u fluturojnë nga xhepat. Kur ai erdhi në pushtet në vitin 2005, pati fatin të gjente plot hambarin e të ardhurave ngamos, duke dhënë shijen e një qeverisjeje me plot rezultate. As Gërdeci, as 21 Janari, as grykësia e LSI-së, e as mynxyrat e tjera, nuk do kishin mundur  ta rrëzonin nga pushteti nëse nuk do ishin shfaqur shenjat e krizës ekonomike globale, që më pas u bë rajonale me recesionin grek si simbol, për t’u shndërruar dhe në krizë shqiptare.

Ndaj, Rama po perceptohet si një dështim mu prej faktit  se nuk ka mundur dot të sjellë më shumë para në xhepat e njerëzve. Pra, ai i është futur tokës, po e lëron atë, po kujdeset si askush, por shi nuk po bie. Ndaj dhe toka nuk jep fryte. Shiu janë paratë, është ekonomia. Nga ana tjetër, këtij handikapi thelbësor dhe përcaktues në jetën shqiptare nën Rilindje, nuk i ka ndihur asgjë tjetër në funksion të amortizimit të problemeve. Mjafton fakti i bandave të tatimeve, pra shtrëngesa fiskale, të cilat iu qasen biznesve për të plotësuar kuotat e të ardhurave të përcaktuara që në kushte zyre, e për dreq jo vetëm për shtetin.

Është paradoksale por duhet pranuar se dy segmentet kohore më me entuziazëm social në jetën shqiptare në tranzicion, nuk e përfshijnë fare Rilindjen e Ramës, përkundër këtij cilësimi eufemik.

Ato janë vitet ’93 – ’96 dhe 2001-2009. Që të dyja këto kanë të bëjnë me kontekstin ekonomik. Në dy prej këtyre segmenteve kohore, ta ardhurat e shumta nga rrugë të lloj-llojshme, i bënë qeveritë respektive, të Nanos e Berishës, shumë më të gëlltitshme se kjo e Ramës. Nuk ishte meritë e tyre ajo ekonomi me të ardhura – veç një mbyllje syri në pak pastrim parash (bumi i ndërtimit në bregdet), ishte droga gjithashtu nën simbolin Lazarat, informaliteti dhe emigracioni, ku te kjo e fundit përfshihen dhe pensionet greke, një prej burimeve kryesore në ekonominë jug-juglindjes, fut në llogari dhe privatizimet e shumta  –  e të cilat sot i shfaqin në një tjetër dritë, dy ish-kryeqeveritarët me bilancin më negativ në drejtimin e punëve të shtetit, ku asnjërit prej tyre nuk i lidhet emri me ndonjë reformë a model cilësor qeverisjeje.

Pra, nganjëherë vendos koha, rrethanat, kontekstet, më shumë se njeriu që gjendet mes tyre. Kjo sa i përket perceptimit. Sepse, duke mos përfshirë gjykimin mbi liderët, sigurisht që Shqipëria është shumë mirë në disa drejtime, ku veçohen veprat inftrastrukturore, porse në realitet dominon dhe udhëheq bindja se gjërat kanë shkuar e po shkojnë keq e më keq. Si mostër mund të merret Kukësi. Kjo zonë, apo ky qytet i Shqipërisë që mban vulën e varfërisë, nuk ka të krahasuar më të djeshmen: me një rilindje urbane për t’u patur zili, me ekipin e futbollit në majat e suksesit prej vitesh, me Rrugën e Kombit që e përkëdhel dhe e ka afruar 2 orë me Tiranën nga 7-8 orë që ishte; e megjithatë jeta e atyshme është e zhytyr nën dëshpërim. Pse? Thjesht mungon paraja. Sepse dhe emigracioni nuk është më ai i djeshmi. Ndryshim i brezave dhe konteksteve sociale, ka bërë që mos ketë të më dërgesa drejt vendlindjes nga ata që kanë ikur prej saj. A do të jetë më mirë nesër? Po pati para, po. Edhe po qe ky nivel korrupsioni apo rendi mizerabël gjithashtu.

Edhe diçka tjetër: nuk mund të jetë sot më mirë se dje me indikatorë dëshpërimi kaq të lartë. Ikja dhe prirja në rritje për ikje, është e tillë. Më pas, nuk mund të ketë ekonomi në rritje, kur nis e humbet kapitalin njerëzor, që është njëherësh investues e konsumator.

Ndaj Rama duhet ta pranojë: sot është më keq së dje, por jo e gjitha për faj të tij. Faji i tij është kur nuk e pranon se toka që ai e punon nuk do nxjerrë asnjë produkt nëse nuk bie shi! /tesheshi.com/

 

Related posts