Auto Dak
Auto Dak

Nga Ermir HOXHA: Ç’mendoj për shkollat e Maarrif dhe ato të Gulenit (një sqarim i detyruar)

Eshtë një risi që për herë të parë në 20 vite karrierë profesionale, po detyrohem të shkruaj në vetën e parë njëjës, një diçka që në respekt të një etike përzier me modesti, nuk ja kam lejuar vetes për të gjitha llojet e shkrimeve të bëra gjer më sot. Jam i detyruar ta bëjë këtë në funksion të sqarimit të një pozite timen në raport më një shkrim nga kolegia Fatjona Mejdini, e cila ka në qendër çështjen e futjes në tregun arsimor shqiptar të linjës Maarrif, fondacion arsimor i sponsorizuar nga qeveria turke, si një alternativë e kolegjeve turke të financuara nga FETO.

Kolegia Mejdini më drejtoi dy pyetje për të cilat unë dhashë dy përgjigje (të cilat janë më poshtë), por që metodika gazetareske bën që prej tyre të merren fraza të shkëputura që ndodh të dalin dhe jashtë kontekstit, bazuar nga fryma e përgjithshme e shkrimit. Unë nuk mund të diktoj frymën e shkrimit të koleges Mejdini, ajo është zgjedhje e saj, ashtu si dhe metodika e përdorur. Por vetë mund ta sqaroj qëndrimit tim personal, duke iu ofruar, të gjithë atyre që ndoshta kanë keqlexuar qëndrimin tim në tre fraza të zgjedhura, si referent brenda shkrimit, ku isha i vetmi dhe jo me të tjerë. Ato janë përgjigjet e tre pyetjeve që më janë drejtuar.

Dhe këtu është rasti për të kujtuar se, linja editoriale e tesheshi.com, apo dhe qëndrimet e mija personale për aksh çështje, janë një zgjedhje e lirë, e pa imponuar nga asnjë arsye okulte dhe asnjë pakt me sfond financiar.

Eshtë zgjedhje tërësisht e lirë që për zhvillime të caktuara, sigurisht politike, të pozicionohesh kështu apo ashtu, kundër njërit apo pro tjetrit, siç ta dikton logjika dhe kredoja individuale, të cilat në këtë rast nuk kanë asnjë diktat nga jashtë, aq më pak financiar, por janë një bindje pastërtisht e brendshme.

 

Pyetjet e koleges Mejdini dhe përgjigjet e mia:

 Si i keni parë kërkesat e qeverisë turke këto vitet e fundit për mbylljen e të ashtuquajturave “shkolla të Gulenit” në Tiranë? A ka qenë e drejtë kjo kërkesë dhe a ka sjell ndonjë dëm në arsimin shqiptar?

Për koiçidencë, ju po flisni me të birit e njeriut që e solli shqip Gulenin, që nga viti 1994, kohë kur sapo kishte nisur hapja e shkollave të para të linjës së tij, të cilat quheshin thjesht kolegje turke, siç dhe vitet më pas, pa u marrë kush me frymëzuesin e tyre – një klerik sa praktik aq dhe me prirje sufiste, gjersa mbërriti momenti politik për të dalë në pah një detaj i tillë, varësisht një zhvillim sa politik e sa militar në Turqi, me efekte tragjike, referuar pasojave njerëzore, siç ishte pra grushti i shtetit në meskorrik të 2016-ës.

Tani, shteti turk i ka bërë një klasifikim organizatës FETO, duke e futur në listën e saj të zezë si terroriste, një zhvillim normal për një shtet në emër të sigurisë kombëtare. Kjo më pas ka dhe pasoja zinxhir, siç është pra kërkesa për mbylljen e shkollave që burojnë nga FETO. Ne kemi lirinë që mos na pëlqejë kjo gjë, ta kontestojmë pse jo, por është një zhvillim i pashmangshëm në bazë të kontekstit politik të atij shteti. Kështu ka gjykuar dhe Orban me një universitet të Sorosit në Budapest.

Sa për “dëmin në arsim”, kjo duhet vlerësuar në kohë. Për hir të së vërteës, kolegjet turke sigurisht  që kanë patur standart të lartë mësimdhënieje. Kjo provohet dhe nga fakti se paçka konotacionit negativ që ka “turku” në mendësinë e elitës shqiptare, kjo elitë ka zgjedhur t’i dërgojë fëmijët pikërisht në këto kolegje, pa patur asnjë afeksion kulturor apo fetar me turkun. E kanë bërë këtë madje pa e ditur se kush është Guleni e fryma e organizatës së tij. Por thashë, është një zhvillim i pashmangshëm që ka dhe viktimat veta në një tjetër plan. Kolegjet mund të jenë njërat nga ato.

Ndërkohë, kolegjet turke të Gulenit kanë vepruar në bazë tregu – kërkese/ofertë – dhe do jetë tregu ai do përcaktojë nëse mbyllja e tyre do ketë ose jo pasoja në cilësinë e arsimit shqiptar. Sot tregu nuk është ai i 94-ës kur ato u hapën.

Si e shikoni tashmë zgjerimin në një kohë të shkurtër të influencës së qeverise turke në shkollat shqiptare, në një kohe kur fondacioni shtetëror Maarif po vijon intensivisht jo vetëm blerjen e shkollave (si në rastin e univesristetit të NY) por dhe hapjen e të rejave (siç është rasti i një shkolle të mesme në Elbasan). A sjellin këto lëvizje dhe rrezikun e influences së qeverise turke në vend dhe përhapjen e propagandës së kësaj qeverie tek shqiptarët?

Po. Qeveria turke ka vendosur që edhe të ofrojë alternativën e saj në tregun e kërkesës për arsimim në kolegjet turke. Por ta themi se nuk është e njëjta gjë. Maarrif, sido-sido, më shumë se ndërhyrje arsimore është politike. Kjo e vë në sfidën e vështirë që të bind tregun se arsimorja do prevalojë mbi politiken. Do duhet kohë ta provojë se mund ta sfidojë Gulenin në pikën më të fortë të tij, arsimin pra.

Sa për rrezikun e “influencës së qeverisë turke”, edhe njëherë më duhet t’ju kujtoj se ky është treg, treg i lirë, me të drejtë zgjedhjeje. Në shkollat e Gulenit apo të Erdoganit (po spekullojmë kështu), shkohet me vullnet të lirë, me liri zgjedhjeje, dhe këtu përfshihet dhe liria për t’u influencuar nga njëri apo nga tjetri. Kjo vlen dhe për shumë shkolla të tjera, kolegje apo universitete, pas së cilave qëndron një rrymë, një frymë, një botëkuptim, qoftë dhe një besim.

Eshtë normale që në shkollat e saj, qeveria turke të promovojë frymën e saj, standartet e saj, pikëpamjet e saj, ashtu siç ka bërë dhe Guleni, ashtu siç bën çdo shtet apo organizatë. Dhe ata nxënës që zgjedhin të arsimohen te njëra apo tjetra, janë të lirë që të marrin thjesht dijen ngushtësisht skolastike, apo dhe frymën politiko-kulturore që ato përcjellin. Sepse, jo çdokush që është shkolluar te kolegjet e Gulenit ka zgjedhur të jetë dhe gulenist. Ashtu si jo çdo student që del nga “Zoja e Këshillit të Mirë” zgjedh të jetë katolik apo filokatolik.

Eshtë rasti këtu për të kujtuar se një pjesë e mirë e elitës shqiptare të fillimshekullit të 20-të, ndoqën Zosimea-n e famshme të Janinës. E jo çdokush që doli prej saj ishte filogrek.

Çështja është nëse kurrikulat apo fryma e shkollave të qeverisë turke, shkojnë kundër interesave shqiptare. Nëse kjo konstatohet në ndonjë detaj, le ta në e thotë ndokush duke e argumentuar si e qysh. Kaq sa i përket aspektit politik. Aspekti tjetër është vetëm arsimor dhe rregullohet në bazë tregu. Qeveria turke apo dhe Guleni vetë, nuk detyrojnë askënd me zorr të vijë e arsimohet te ta.

 

 

auto pjese dak

Related posts