Nga Enklid PELARI: Pse sauditë e turq nuk dynden drejt Perëndimit? (mbi një spekullim të Mustafa Nanos)

Në “Opinion”-in e fundit, Mustafa Nano tentoi të bëjë spekulativisht një lidhje mes valës së refugjatëve nga Lindja e disa vende afrikane, drejt Europës, si e diktuar nga joshja e tyre ndaj Perëndimit e ikja prej….Islamit. Ishte një prej gjykimeve më sipërfaqësore, aspak intelektuale, madje shumë e trashë në raport me pretendimin e Nanos mbi veten si njeri i lexuar. Të tilla gjykime mund ti hasësh ndër njerëz pa pretendime të larta mbi veten, përgjithësisht mendjeshkurtër, dhe pa formimin e duhur njohës mbi realitete të caktuara. Do mjaftonte fakti që dy vende ku më së tepërmi është prezent Islami në nivele qeverisëse, Arabi Saudite e Turqi, të cilat nuk njohin asnjë valë emigratore drejt Perëndimit, që Nano të mos binte në nivele injorance, e dashakeqësie njëherësh, në intepretimin e fenomentit në fjalë…             

Sot flitet shumë për emigrimin e refugjatëve apo për lëvizjen e lirë të kapitalit human, siç quhen migrimi qytetarëve të vendeve që janë brenda unionit. Në fakt, emigrimi është një proces natyral dhe organik i çdo shoqërie, duke nisur nga ato më të përparuarat e deri tek shoqëritë e prapambetura. Migrimi përkufizohet si lëvizje mekanike e popullsise nga një rajon ekonomik në një tjetër për shkaqe kryesisht ekonomike siç janë faktorët shtytës (push factors), pagat e ulta, varfëria, rrallësia e burimeve natyrore ose tokës, apo për shkak të faktorëve tërheqës (pull factors) siç janë pagat e larta, mundësitë më të mira të shkollimit, më shumë mundësi për sipërmarrje ekonomike, çmimi më i ulët i tokës apo i burimeve natyrore, etj. Po ashtu, disa ekspertë përmendin edhe instabilitetin politik, luftërat, etj.

Themi që emigrimi është një proces organik i çdo shoqërie pasi në vendet e zhvilluara dhe SHBA, migrimi nga zonat rurale drejt zonave urbane ndodhi gjatë procesit të industrializimit, ndërsa në vendet në zhvillim migrimi nga zonat rurale drejt zonave urbane ndodhi për shkak të papunësisë urbane. Kushti bazë i migrimit është se (i,e)migrantët vlerësojnë mundësitë e tregut të punës në sektorin rural apo urban dhe zgjedhin atë treg që maksimizon të ardhurat e tyre të pritshme. Të paktën këtë gjë pohon edhe modeli “Todaro”. Ndërsa popullsia urbane rritet me 1 % në vit në Nju Jork dhe Tokio, në Azi dhe Amerikën Latine kjo popullsi rritet me 4-5% në vit, ndërsa në Afrikë me mbi 6% në vit. Dhe rritja e popullsisë urbane ndodh padyshim me emigrim, pra një proces që vazhdon të ndodh edhe sot në Amerikë.

Duke qenë se ky proces është normal brenda vet vendeve të zhvilluara, por t’i referohemi teorive të Giddens rreth globalizmit, pra lehtësirave të lëvizjeve dhe komunikimit që ofron ky proces, atëherë do kuptojmë edhe më mirë lëvizjen e emigrantëve apo të refugjatëve nga vendet e origjinës deri anembanë globit. Konfliktet në Lindjen e Mesme, nuk janë një ngjarje e përjashtuar në histori, por një vërtetim i asaj se luftërat detyrojnë civilët të largohen nga vendi tyre. Kështu ka ndodhur në çdo etapë të historisë, por edhe në luftën e parë dhe të dytë botërore. Duke qenë se për momentin Lindja e Mesme është kthyer në një arenë përplasjeje të titanëve të globit për influenca, interesa gjeopolitike apo për shkak të burimeve të nëndheshme, rrjedhimisht edhe refugjatët këto vende do t’i kenë edhe më masiv.

Sot, në vendet perëndimore, por edhe tek ne ngrihet pyetja se përse emigrojnë arabët, apo ndryshe popullsitë muslimane? Në fakt kjo pyetje është disi e paedukatë, pasi dihen shkaqet që i kanë nxitur ata të lenë vendet e tyre, pra “ruajtja e kokës” siç i thotë populli. Nga ana tjetër këtu ngrihen dhe spekulacione të tipit: “muslimanët lanë vendet e tyre islame dhe iu drejtuan vendeve të krishtera, pasi Islami nuk ju ofron atyre të drejtat minimale’’, siç aludoi Mustafa Nano në debatin e së enjtes së kaluar në Opinion.

Si parantezë e gjithë kësaj duhet theksuar se sot ka vetëm një vend musliman që aplikon ligjet e Sheriatit, apo Kur’anit, dhe ai vend është Arabia Saudite. Ky vend, jo vetëm që nuk regjistron fare emigrime (edhe pse pashaporta e tyre hyn në të gjithë botën), por madje ka bujtur së paku tre milionë sirianë (meqë dhe zonj. Ballauri aludoi se nuk ka dyndje refugjatësh drejt vendeve arabe).

Së dyti, vendet arabe në dominancë janë vende autokratike apo diktatoriale dhe nuk është feja që jua ka kufizuar të drejtat këtyre emigrantëve, por pikërisht mungesa e saj. Janë regjime të stisura nga jashtë, ish-fuqi kolonizatore, ku prania e fesë si regjistër moral apo juridik udhëqjeje është pothuajse zero.

Nga ana tjetër është Turqia e viteve të fundit e cila dëshmon një tjetër realitet. Aty, ardhja në pushtet e një partie me ngjyrime fetare si AK-Parti, solli progresin dhe zhvillimin e vendit në të gjitha dimensionet dhe sferat e jetës, përfshi edhe atë ekonomik. Madje edhe Shqipëria jonë është një rast “par exelance” i prapambetjes të shkaktuar nga regjime diktatoriale e të korruptuara njëherësh, siç ngjashëm me disa vende në Lindje e Magreb (Afrika Veriore). Është njësoj sikur valën e  emigrimit shqiptar ta trajtosh si valë muslimanësh që ikin nga Islami për të shkuar drejt Perëndimit(!), meqë popullsia është me shumicë e besimit islam.

Vende me sisteme diktatoriale kanë qenë dhe janë: Siria, Libia, Iraku, Egjipti, Maroku, e që rrjedhimisht nuk është rastësi që kanë pasur edhe prurjet më të mëdha emigratore. Ndërkohë që në vende arabe ku është instaluar demokracia, apo që ka një demokraci hibride, si Libani, Jordania, Turqia, etj., nuk është vërejtur më një valë e tillë emigratore.

Madje në Turqi po njihet procesi i rikthimit të diasporës në vend, kryesisht i asaj gjermane. Ndërsa vala e emigrimit turk drejt Gjermanisë në vitet ’60 ishte vetëm si kërkesë e krahut të punës. Por dhe po të ishte ndryshe, nuk do kishte asgjë islame në atë lloj vale, e butë dhe pa asnjë pasojë sociale, pasi pushtetin në Turqi e kishin kemalistët, pra anti-islamistët.

Kështu, nëse duam të bëjmë me faj apo t’ia faturojmë dikujt kostot e valëve emigratore, nëse flasim për aktorë lokalë, ato pa dyshim janë regjimet diktatoriale të instaluara që para shumë dekadash në Lindjen e Mesme.

Ndërsa nëse do flisnim për aktorë globalë, atëherë lista do të ishte e gjatë ku pa dyshim që keq-qeverisja globale, përplasja e superfuqive në mënyrë indirekte, pra me ushtri guerrilase apo opozita – siç thoshte Giddens për këtë luftë të moderuar – defiçenca e institucioneve ndërkombëtare për të parandaluar apo ndaluar konfliktet e armatosura etj., janë shkaqet më të mëdha që kanë mbjellë destabilitete e për rrjedhojë kanë provokuar lëvizje të refugjatëve dhe valë emigratore. /tesheshi.com/