Nga Bujar M. HOXHA: Legjitimiteti i humbur i drejtuesve aktualë të KMSH-së

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, apo, ndryshe, siç citohet thjesht, KMSH-ja, ka mëtuar që në zanafillë të vet të jetë përfaqësuese unike e zërit të besimtarëve të Islamit në Shqipëri. Por nga ’90-ta e shekullit të shkuar e këtej, jo rrallë ka shërbyer si mollë sherri mes muslimanësh, qoftë për emërimet me shumë pikëpyetje, qoftë për influencat mbi grupe besimtarësh apo nga grupe të tilla, për pronat, xhamitë, e gjithçka tjetër.

Sa i takon përbërjes aktuale të organeve drejtuese të KMSH-së, ngjet e kundërta, pasi ka një njëzëshmëri të dukshme e të nënkuptuar të besimtarëve në tërësi mbi faktin se kemi të bëjmë me një uzurpim të pastër të udhëheqësisë.

Edhe besimtari më i painformuar, edhe ai më i humburi, e di fare mirë se ata që drejtojnë sot KMSH-në janë vënë në ato poste si mëkëmbës të një organizate që, nën petkun fetar, ka kryer veprimtari subversive në Turqi.

Qëndrimi në ato poste vjen për shkak të politikave ndërkombëtare të kryqëzuara në hapësirën e vendit tonë, veçanërisht të qasjeve ndaj pushtetit të sotëm në Turqi, reflektuar në pamundësinë e treguar deri tani për të sjellë gjak të ri në krye të KMSH-së.

Nga ky këndvështrim, drejtuesit e sotëm të organizmit përbashkues të muslimanëve shqiptarë janë në pozitat e një ilegjitimiteti të plotë. Nëse ndaj KMSH-së nuk ka një kundërshti të unifikuar e të shprehur hapur, kjo ngjet ngase një pjesë e udhëheqësve fetarë të xhamive, apo e një vargu organizatash deri diku autonome në të njëjtën sferë, kanë zgjedhur për një mijë arsye të mos bëjnë zë.

Në fakt, ngacmimin për këto rreshta ma pati dhënë një lajm i lexuar në faqen zyrtare elektronike të KMSH-së në fillim të tetorit, që fliste mbi organizimin e mbrëmjeve fetare “Frytet e besimit” në xhaminë kryesore të qytetit të Kukësit.

Një prej fotografive përcjellëse të lajmit nuk thoshte asgjë mbi “Frytet e besimit”, por tregonte me tepri për “frytet” e punës së KMSH-së, të ndikimit të saj në besimtarët. “Frytet e besimit” kishin mbledhur në atë xhami gjithsej njëzet besimtarë, ndër të cilët tre ishin ligjëruesit e ardhur nga larg, e gjashtë i përkisnin moshës fëminore!

A thua kaq besimtarë të ketë një qytet i tërë, apo ky numër shpreh pakënaqësinë ndaj institucionit drejtues aktual të muslimanëve, me këmbë në Tiranë e me mendje diku tutje…

Për të vijuar, në kushtet e një ilegjitimiteti të shkoqur, por  edhe të një arrogance të habitshme, që s’është aq e thjeshtë t’i kuptohet burimi, një qarkore me shtatë pika e KMSH-së, e nxjerrë këto ditë për imamët dhe drejtuesit e myftinive në vend, synon hapur t’u mbyllë gojën atyre, për t’i shantazhuar më pas qoftë me gjënë më të thjeshtë: largimin nga puna!

Sigurisht që katrahura, papërgjegjshmëria, në deklarata është e papranueshme, por t’u mbyllësh gojën totalisht udhëheqësve fetarë për t’u shprehur, mes të tjerash, për “çështje të gjeopolitikës apo për çështje të mprehta me rëndësi ndërkombëtare”, kjo është e pamendueshme.

Nuk besoj të ketë një nen të statutit të KMSH-së që urdhëron memecërinë, por jam i bindur se ka një dëshirë të drejtuesve të saj për t’i eunukizuar vartësit, përgjithësisht imamët e kudondodhur, në kryeqytet apo në rrethe.

E para, në lidhje me qarkoren, të shtatë pikat janë aq gjithëpërfshirëse, sa zor t’i shpëtojë njeri ndëshkimit. Prandaj, që pas lëshimit të saj, dy alternativa do të ketë për këdo: o mbyllje goje, o në rrugë!

E dyta, eunukizmi është veçoria më dalluese e grupimit fetaro-politik prej nga i kanë rrënjët drejtuesit e sotëm të KMSH-së. Të kërkosh t’ua diktosh atë imamëve dhe myftinjve ngjan diçka e tepruar.

E treta, imamët dhe myftinjtë nuk janë qenie apolitike! E çuditshme t’u kërkosh gojëmbylljen e plotë!

Po pse tërë ky parashtrim për një qarkore? Fare e thjeshtë! Sepse KMSH-ja tjetër gjë u kërkon vartësve, e tjetër gjë bën vetë. Pasi pritën muajin e shkuar një grup studiuesish gjermanë (gjithmonë sipas faqes zyrtare elektronike të KMSH-së), në Komunitetin Mysliman të Shqipërisëdo t’u hapej dera për një pritje përfaqësuesve tëDeutsche Welle-s!

Nëse gjithçka duket e rastësishme në pamje të parë, nuk është kështu në realitet. Më së pari, në Gjermani ka një kundërvënie të hapur prej kohësh ndaj qeverisësve në Turqi, e përkthyer kjo dhe me kthimin e këtij vendi në një strehë të sigurt për mijëra të kërkuar për veprimtari terroriste në tokën euroaziatike. Ç’është më e rëndësishmja, Deutsche Welle është organi mediatik që nuk resht së godituri pushtetin e AKP-së. E bën këtë në çdo rast, në çdo formë.

Ja, pra, pse KMSH-ja nuk është aq e pafajshme në pritjen e DW-së, për t’i lënë të nënkuptohen pranëvendosjet… Për më tepër, shumë prej udhëheqësve fetarë lokalë nuk do t’i dëshironin pranëvendosje të tilla.

Të bësh vetë politikë, e njëkohësisht t’u kërkosh imamëve e myftinjve të mos hapin gojën pa leje, kjo sikur nuk shkon.

Kjo udhëheqësi aktuale e KMSH-së prej kohësh e ka humbur edhe atë pak legjitimitet të zbehtë që mund të ketë pasur. Jo veç për përkatësinë, por dhe për mungesën e zërit mbrojtës atëherë kur është e nevojshme, atëherë kur detyra ua bën të domosdoshme atë drejtuesve të saj, që nga dryni i vënë një xhamie e më tej.

Në ka gjë me dinjitet që mund të bëjnë në KMSH, është largimi vullnetar, jo përpjekja për t’i disiplinuar kësisoj vartësit. /tesheshi.com/