Nga Armand BORA: Koha për të mos harruar, koha për t’u zgjuar!

Harresa është vërtet një dhuratë hyjnore. Pa aftësinë për të fshirë nga kujtesa ngjarje apo ndodhi të dhimbshme, jeta e gjithsecilit do të ishte shumë më e vështirë. Për sa kohë harresa mbetet një proçes personal, spontan dhe gradual mbi ngjarje të caktuara, ajo shërben si një mekanizëm i domosdoshëm, mbrojtës për individin. Por, kur harresa kthehet në një tipar të sjelljes kolektive, vepron mbi ngjarje dhe fenomene të cilat prekin interesa të gjëra publike duke u kthyer kështu në një amnezi kolektive, atëhere nga një dhuratë hyjnore, harresa kthehet në një fatkeqësi njerëzore.

Rastet e amnezisë kolektive nuk i mungojnë shoqërisë shqiptare; madje kohëve të fundit janë shtuar shumë. Rendja nga ngjarja në ngjarje, ende pa u mbyllur mirë e para, po kthehet në një trend kombëtar.

Vetëm disa ditë më parë shoqëria shqiptare u trondit nga një ngjarje e cila u duk se i plotësonte të gjitha kushtet për të qenë reflektuese dhe e denjë për ta kthyer në një shqetësim kombëtar. Vrasja e studentit Marvi Mihalit  ishte një ngjarje e cila do të duhej të hapte debate, diskutime ku gjithsecili do të duhej të nxirrte përgjegjësitë e tij nga kjo histori dhe nga ku do të kishim vendime dhe masa të cilat do të shërbenin për të parandaluar ngjarje të tilla. Më kot shpresova se kësaj here do të ndodhte diçka ndryshe; edhe kësaj here reagimi ishte vetëm emocional.

Është kthyer në rutinë mënyra se si reagon shoqëria shqiptare pas ngjarjeve të tilla me impakt të fortë emocional. Gjithkush rend për t’u identifikuar me pjesën pozitive të ngjarjes dhe të godasë sa të mundet dhe me se të mundet atë që duket se është pjesa e problemit dhe e së keqes. Për çdo rast, paletës së reagimeve kolektive nuk i ka munguar  asnjë ngjyrim: nga mallkimet tradicionale popullore e deri te prononcimet e sofistikuara me nivele të admirueshme artistike që rrëmbejnë zemra dhe “like” lexuesish apo edhe yshtin të tjerë për të shkruar dhe treguar me gisht të keqin e rradhës. Ngjarja e dhimbshme e vrasjes së Marvit pati fatin e keq që të hyjë në të njëjtat ingranazhe perceptimi, diskutimi dhe përfundimi, ashtu si edhe shumë histori të tjera që i paraprinë a i zunë vendin si ngjarja e rradhës.

Mekanizmi i thjeshtëzuar i perceptimit dhe reagimit social veproi edhe mbi këtë ngjarje:  Opinioni u pozicionua qartësisht nga ana studentit të vrarë, ju bashkua dhimbjes së familjarëve dhe e përplasi në një kënd dhome personin që kreu vrasjen, bashkëpuntorët e tij dhe familjet e tyre duke i etiketuar si pjesa e keqe e kësaj historie. Dhe gjithçka mbyllet këtu. Proçedura në vazhdim, hetimi, gjykimi dhe dënimi, është një proçedurë formale.

Në fakt, ky mekanizëm i thjeshtëzuar nuk e zbulon thelbin e problemit, nuk na drejton për te burimi nga ku rrjedh ngjarja dhe sjellja kriminale dhe për më tepër, nuk shërben si mundësi për të parandaluar raste të tjera. Vendosja e gishtit mbi personin që kryen krimin duke i thënë “ti je krimineli”, është jo vetëm e pamjaftueshme, por shpesh edhe e pakëshillueshme.

Nuk janë të rralla rastet kur, krahas viktimës edhe i akuzuari trajtohet si viktimë e krimit të tij. A nuk është e vërtetë që edhe jeta e fajtorit ndryshon pakthyeshmërisht pas një veprimi të rëndë kriminal? A nuk i vuan dhe i paguan shtrenjtë ai pasojat e veprimit për të cilin ndoshta është penduar thellësisht pasi e ka bërë? A nuk duhen kërkuar me ngulm arsyet që nxisin një të ri të nxjerrë armën dhe të marrë jetën e shokut të tij? Dhe a nuk është kjo më e rëndësishme se sa diskutimi mbi masën dhe formën e dënimit që shpërthen rëndom në diskutim pas çdo ngjarje të bujshme?

Për sa kohë do ta kërkojmë zgjidhjen vetëm te dënimi i krimit dhe jo te parandalimi i tij, qetësia dhe siguria e shoqërisë nuk mund të jenë të garantuara.  Për sa kohë do të ndihemi të qetë dhe në paqe me veten vetëm duke u pozicionuar në krahun e të mirës duke e treguar me gisht të keqen, krahu tjetër rrezikon të rritet dhe të bëhet akoma edhe më agresiv.

  • A nuk ka ardhur koha të kontrollohen dhe të pengohen në transmetim programe televizive që nxisin dhe promovojnë dhunën?
  • A nuk duhen ndaluar me forcë shkrime, botime dhe rubrika tabloidesh që identifikojnë suksesin e personave të ndryshëm me devijacionet, perversitetet dhe historitë e tyre  të dhunshme?
  • A nuk duhen riparë programet dhe kurikulat mësimore nën hijen e këtij shqetësimi kombëtar?
  • A nuk duhet forcuar ndëshkimi për ofruesit dhe shpërndarësit e lëndëve narkotike?
  • A nuk duhet ndaluar me forcë përdorimi i alkolit për mosha, në orare dhe vende të caktuara?

Këto e shumë të tjera si këto janë çështjet me të cilat duhet të merret dhe kërkojë me forcë një shoqëri e përgjegjshme për fatin e brezave të saj të ardhshëm. Vetëm një aksion i tillë kombëtar kundër së keqes që i kanoset individit, familjes dhe shoqërisë shqiptare jep shpresë për daljen nga kjo amnezi kolektive. Është koha pë t’u zgjuar! /tesheshi.com/