Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Mustafa në Kuvend: Si po e bëjmë “bashkimin” ekonomik me Shqipërinë

Në Kuvendin e Kosovës nisi sot vazhdimi në ditën e dytë i debatit parlamentar lidhur me punën 100 ditëshe të kryeministrit Isa Mustafa dhe Programit Qeverisës. Debati filloi dje pasdite pasi një ditë më parë raporti njëqind ditësh u miratua në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, e cila u mblodh edhe sot para vazhdimit të seancës plenare të Kuvendit. Raporti  evidenton masat, vendimet dhe të gjitha aktivitetet e qeverisë së Republikës së Kosovës, të drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, ku theksohen veçmas edhe bashkëpunimet Kosovë-Shqipëri.

“Kemi mbajtur mbledhjen e dytë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në të cilën kemi nënshkruar 11 marrëveshje, përkatësisht memorandume dhe protokolle, të cilat rregullojnë bashkëpunimin në fusha dhe e lehtësojnë këtë bashkëpunim”, theksoi kryeministri Mustafa.

“Është inauguruar pika e transitit të shpejtë me Shqipërinë në Vërmicë”, përkujtoi kryeministri kosovar, i cili  në 16 shkurt së bashku me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, kanë përuruar në portën më të madhe mes dy vendeve terminalin e ri doganor.

“Në fushën e transportit, së bashku me Shqipërinë, është bërë aplikimi në rrethin e 13-të në kuadër të Kornizës Financuese për Ballkanin Perëndimor”, theksoi kryeministri i Kosovës, Mustafa.

Ai tha se, Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës përqendrohet në pesë shtylla kryesore: Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, punësimi dhe mirëqenia; sundimi i ligjit dhe shteti ligjor; axhenda evropiane; reformat thelbësore në arsim; shëndetësia bashkëkohore.

“Në bazamentin e Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në filozofinë e saj vepruese janë vlerat demokratike evropiane, si: respekti për traditën, liria, drejtësia dhe toleranca, transparenca, liria e të shprehurit, liritë individuale dhe kolektive, që paraqesin fondamentin e shoqërisë moderne evropiane të Kosovës. Në të gjitha politikat e saj, qeveria do të promovojë dhe forcojë vizionin për Kosovën shtet i pavarur, demokratik, dhe i integruar në strukturat euroatlantike, në marrëdhënie të përhershme miqësore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoi Mustafa.

“Axhenda Evropiane dhe politikat e jashtme përfshijnë masat që qojnë Kosovën në Bashkimin Evropian, në NATO, partneritet strategjik dhe bashkëpunim me vendet e rajonit”, tha kryeministri kosovar.

Raporti thekson se gjatë periudhës 100 ditore qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur 20 mbledhje, ku janë nxjerrë 136 vendime, i ka trajtuar 28 projektligje dhe ia ka adresuar Kuvendit të Kosovës, ka miratuar 8 koncept dokumente, gjithashtu janë përgatitur opinione edhe për 10 koncept dokumente të tjera të cilat janë në fazën e shqyrtimit.

Debati  parlamentar lidhur me punën 100 ditëshe të kryeministrit Isa Mustafa dhe Programin Qeverisës, sipas kërkesës së deputetit të VV-së,  Glauk Konjufca, mbështetur edhe nga  gjashtë deputetë të tjerë,  gjatë pasditës së djeshme dhe sot pasohet me shumë debate dhe vlerësime të ndryshme të pozitës dhe opozitës, si edhe replika.

Në seancën e Kuvendit në 8 dhjetor 2014,  i mandatuari për kryeministër Isa Mustafa duke prezantuar programin qeverisës ka theksuar se, “do të përgatitet projekti për lidhjen hekurudhore me Shqipërinë” dhe  “do të unifikojmë tregun energjetik me Shqipërinë për të arritur komplementaritet”, ndërsa ka folur edhe për bashkëpunime të tjera pjesë e prioritetit, duke u shprehur se “kultivimi i relacioneve të veçanta kulturore me Shqipërinë dhe me vendet e tjera ku jetojnë shqiptarët do të thellohet”.

E zgjedhur në 9 dhjetor 2014, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit, qeveria e re e Kosovës,  për vitin 2015 ka paraparë të përgatisë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend rreth 100 ligje.

auto pjese dak

Related posts