Mosdhënia e pagave në kohë, “Bechtel Enka” i kërkon qeverisë së Kosovës 63 milion euro pagesë dëmi

Nga Bashkim Kastrati

Kosova vazhdon të ndëshkohet nga kompanitë me të cilat ka lidhur kontrata. Pas humbjes së rastit me një kompani vendore me gjykatën e arbitrazhit dhe mundësisë që të humb qindra milionë euro në rastin e Post-Telekomit të Kosovës, ka plasur skandali i radhës.

Ministria e Infrastrukturës këto ditë ka marrë një shkresë nga kompania Bechtel&Enka, përmes së cilës i kërkohet që të paguajë edhe 63 milionë euro shtesë për shkak të vonesës së pagesave që i ka bërë kjo ministri gjatë realizimit të autostradës Prishtinë-Shkup.

Në këtë dokument thuhet se palës kontraktuese i janë shkaktuar dëme dhe ka pasur vonesa në përfundimin e punimeve – krejt këto si rezultat i pengesave nga punëdhënësi – në këtë rast Ministria e Infrastrukturës.

Këtë e ka konfirmuar ministri aktual i Infrastrukturës, Pal Lekaj gjatë një emisioni në KTV. Lekaj ka deklaruar se kjo rrugë do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës 63 milionë euro më shumë se sa që ishte nënshkruar kontrata fillestare.

“Kjo për shkak të vonesave që janë bërë në pagesat bankare, amortizim ndaj kompanisë ‘Bechtel Enka’. Këto probleme nuk i kanë zgjidhur në tavolinë. Tani kjo rrugë do t’i kushtojë buxhetit gati 800 milionë euro dhe nuk është faji i im”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo është për të ardhur keq, derisa ka akuzuar qeveritë e kaluara për neglizhencë në këtë rast.

Kujtojmë që para Lekajt, Ministrinë e Infrastrukturës e ka udhëhequr Lutfi Zharku i cili vjen nga radhët e LDK-së. Ky i fundit e ka mohuar se po kërkohen 63 milionë më shumë nga ‘Bechtel Enka’.

Por siç duket, Zharku ka dashur ta minimizojë këtë çështje, sepse “penalltinë” apo detyrimin që Ministria e Infrastrukturës të paguajë 63 milionë euro, e ka konfirmuar për media edhe zëdhënësja e kompanisë ‘Bechtel Enka’, Ela Ruçi. Por ajo ka thënë se kjo çështje do të diskutohet me qeverinë dhe do të tentohet të gjendet një zgjidhje.

Nëse Qeveria e Kosovës do të detyrohet që të paguajë 63 milionë euro shtesë, kjo do ta dëmtonte shumë buxhetin e Kosovës dhe se këto para do të mund të investoheshin në shumë fusha tjera. Kujtojmë që në institucionet shëndetësore shpesh ka mungesë të shiringave, fashave dhe materialeve tjera elementare për shkak të mungesës së buxhetit, në raste të tilla nuk duhen më shumë që qindra-mijëra euro për të bërë këto furnizime.

Por duhet theksuar se nëse kompania në fjalë do të bënte padi ndaj Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Infrastrukturës, humbja do të ishte shumëfish më e madhe dhe e gjithë kjo për shkak të neglizhencës së institucioneve të Kosovës.

Prokuroria duhet ta hetojë këtë rast

Ekonomisti Lulzim Beqiri ka thënë për tesheshi.com se dëmtimi i buxhetit të Kosovës për 63 milionë euro është një skandal i madh. Ai thotë se këto 63 milionë euro janë taksa të qytetarëve, dhe po keq menaxhohen nga autoritetet kosovare dhe se një gjë e tillë nuk duhet lejuar.

“Jam i pajtimit që të kemi rrugët më të mira, por jo me çmimin më astronomik, pra kemi qindra rrugë në shumë fshatra të vendit që për shkak të mungesës së rrugës janë detyruar të braktisin vendin e tyre. Sipas informatave publike, autostrada për Shkup nuk do të kushtojë aq sa kishin paralajmëruar institucionet kosovare, për faktin se nuk ka pas një menaxhim të duhur nga ish-ministri i infrastrukturës, pra duhet paguar edhe 63 milionë euro shtesë, që kjo shifër arrin në 800 milionë euro, ose pothuajse 1/3 e buxhetit të shtetit. Kjo nuk ka kurrfarë kuptimi, autostradat më të shtrenjta në rajon, dhe kjo nuk duhet lënë pa hetuar, se pse duhet të shpenzohen edhe 63 milionë euro shtesë”, thotë Beqiri.

Ai thotë se ky rast duhet të hetohet nga institucionet e drejtësisë dhe ata që e kanë shkaktuar këtë dëm  të përgjigjen para drejtësisë, sepse këto janë para të qytetarëve.

“Kosova po humb shumë nga mos efikasiteti dhe mos serioziteti i udhëheqësve të vet, mendoj që këtu ka edhe elemente për hetim nga prokuroria, pse duhet paguar qytetaret penallti përderisa ato para ishin paraparë, cilat janë arsyet që publiku ende nuk i di”, theksoi Beqiri.

Vonesat mund të jenë shkaktuar qëllimisht?

Ekonomisti Mustafë Kadriaj ka thënë për tesheshi.com se penalltia e folur prej 63 milionë eurove tregon se po dalin në shesh aferat e ministrit të kaluar, “sepse vonesat bëhen me qëllim dhe në bashkëpunim me kompaninë në një farë mënyre me u gjobit institucionet e Kosovës nga kompania në fjalë dhe ato mjete me i nda”.

Ai thotë se edhe ministri aktual nuk ka përvojë dhe përgatitje profesionale për të udhëhequr një ministri aq të rëndësishme përmes së cilës realizohen projekte të mëdha kapitale.

“Pra këtu kemi shpëlarje të parave dhe keqpërdorim të buxhetit të Republikës se Kosovës. Pse ministri i kaluar ia ka lenë ‘pataten nxehtë’ ministrit aktual dhe siç e ceka më lart mistri aktual nuk e njeh problematiken e infrastrukturës, kështu që ky është para aktit te kryer, sepse po të kishte dijeni dhe kompetencë së pari do të duhet të kërkoheshin fajtorët pa ardhur deri tek vonesat dhe mos realizimi i kontratës nga ana e ministrisë në fjalë”, u shpreh Kadriaj.

Ai thotë se nëse humbin gjithë këto miliona euro, Kosova humb shumë pasi që ato para do të mund të investoheshin për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Buxheti i varfër i Kosovës do të dëmtohet dhe ato mjete ka shumë vende që do të investoheshin në ministrinë e infrastrukturës në projekte tjera, ose në ministri tjera, por duke qenë dëshmitarë të ngërçeve dhe krizave institucionale, ne nuk mund te presim diçka më mirë”, thotë Kadriaj. /tesheshi.com/