Ministri i Jashtëm maqedonas iu përgjigjet zyrtarëve serbë: nuk ju kemi përgjuar

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov ka folur gjatë një konference për mediat për tensionin në marrëdhëniet me Serbinë. Ai ka thënë se Maqedonia asnjëherë nuk ka marrë një hap që kërcënon ndonjë vend tjetër, e këtë nuk e ka bërë as ndaj Serbisë. Kryediplomati ka folur edhe për supozimet se tensionet kanë ardhur si pasojë e përgjimeve që mund t’u jenë bërë zyrtarëve të Serbisë.

“Qeveria e re ka qenë viktimë e përgjimeve ilegale. Nuk bëhet fjalë për diçka të tillë”, ka deklaruar Dimitrov.

Po ashtu ai u shpreh se Maqedonia angazhohet për marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, përfshirë këtu edhe Serbinë.

Nga ana tjetër zyrtarët qeveritarë të Serbisë dy ditëve të fundit kanë deklaruar se sipas informacioneve të shërbimeve të intelegjencies ata po përballen me një fushatë të spiunimit dhe të presionit nga shteti fqinj.

Ata nuk kanë shpjeguar se për çfarë bëhet fjalë konkretisht, por shtypi serb ka shpalosur teori sipas të cilave shërbimet maqedonase kanë spiunuar zyrtarët e lartë të shtetit serb, përfshirë presidentin Aleksander Vuçiç.

Kujtojmë se para dy ditësh qeveria serbe ka tërhequr tërë personelin e ambasadës së tyre në Maqedoni dhe kanë kërcënuar kryeministrin e ri të Maqedonisë se në rast se voton pro Kosovës për UNESCO do të prishin marrëdhëniet fqinjësore. /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts