Auto Dak
Auto Dak

‘LEXO!’/ Nga Agim BAÇI: Hija e …letërsisë

(Shënime rreth romanit “Hija e erës” i Carlos Ruiz Zafon)

Si një hije që fryn mbi ne, për të ringjallur dashurinë, për veten dhe të tjerët. Vjen e nuk mundet të ndalet, edhe kur ata që duan ta mbajnë i kanë drejtuar armën e kohës moderne: harresën e fjalës dhe dashurisë! Ky do të jetë gjithnjë shkrimtari, ose më saktë, pasoja e shkrimtarit – fjala-, të cilën moderniteti kërkon ta lërë në një stacion ku trenat nuk nisen e mbërrijnë kurrë. Por era e… dashurisë për fjalën dhe fuqinë e saj do ta fryjë. Do ta fryjë për të ecur gjithnjë më shpejt se treni modern i pafjalësisë.

Spanjolli Carlos Ruiz Zafon ka mundur të ndërtojë një jetë me letërsi dhe përmes saj, të na rizgjojë. Varreza e Librave të Harruar, nuk është veçse fjala e harruar në përditshmërinë tonë. Por mjafton vetëm të zgjasim dorën, të rrëmbejmë dhe ta duam atë që zgjodhëm, dhe të gjitha jetët reth nesh të ndryshojnë.

Kështu ndodh me Hijen e Erës, një libër që nis të marrë jetë kur Danieli 10-vjeçar nis ta lexojë, ta përjetojë, dhe të mësojë të vërtetën. Në momentin që ai tërheq librin, ndizet mekanizmi i pandalshëm i ndryshimit nga fjala- fjala e së vërtetës së asaj që duam, gjë të cilën e pikturon letërsia.

Dhe, më pas, ndodh ajo që duhet të ndodhë pasi fuqia i kalon fjalës, teksa njerëz të përgjumur, nisin e të jetojnë tjetër jetë, edhe pse me gjërat që gjithë jetën i kanë patur aty. Por tani është zgjuar “syri”, i cili mund të shohë ndryshe, edhe pse është “hije e erës”, ose thënë ndryshe, hija e shkrimtarit.

Danieli, Gustavo, Isaku, Fermini, Nuria, Hasinta, Mikeli, Bernarda, Klara, Bea, nuk janë thjesht emra, por fuqi e fjalës që ndezi dëshira e një njeriu për ta jetuar fuqinë e letërsisë. Ata kanë qenë aty. Kanë bërë një jetë të paditur. Ose s’kanë ekzistuar. Por në momentin që nisin të jetojnë përmes letërsisë, një dritë ndizet brenda tyre dhe i bën të shikojnë atë që s’kanë mundur kurrë të shikojnë më parë.

Përpjekjes së ringjalljes së fjalës i përgjigjet abuzimi, i pikturuar nën emrin Fumero në rastin tonë. Dhe në fakt, e keqja mund ta vrasë shkrimtarin, por jo fuqinë e fjalës së tij. Si për të na kujtuar, se në jetë mund të ndodhë që e keqja mund të fitojë shumë beteja, por  kurrë jo luftën.

Dhe kështu ndodh edhe me Fumeron – një fëmijë pa fëmijëri, një burrë pa burrëri, një pikturë  inferioritetit shpirtëror- pra, një fytyrë e së keqes moderne e kundërshtisë njerëzore, që është i destinuar të vritet nga fuqia e fjalës.

Dhe, natyrshëm, në fund të një beteje, nuk është shkrimtari, por personazhi i tij ai që e ndëshkon, sepse do të jetë jeta e letërsisë ajo që do të mundet të rikujtojë njeriun për fuqinë brenda tij. Ashtu siç ka patur gjithnjë letërsia “misionin” e saj të heshtur dhe fitues, duke ndezur qiriun e duhur për të parë atë që thellë brenda nesh nuk kemi mundur ta zgjojmë më parë.

Por Zafon e ndez, dhe flaka e tij ngroh por nuk djeg kurrë. Vetëm na bën të shikojmë brenda vetes dhe t’i japim ngrohtësi së mundshmes së mirë njerëzore. Ndaj, krejt natyrshëm, madje domosdoshëm, Lain Kuberi, personazh i ndërtuar nga Hulian Karaksi, ka nisur jetën e tij, për të ndëshkuar në emër të letërsisë, atë që shkrimtari nuk mundi. Natyrisht, edhe të asaj që shkrimtari ka dëshiruar.

Ashtu, padukshëm, siç fryn një erë, Zafon ndryshon fatin e një fëmije, duke e futur atë drejt një lirie tjetër, duke shkundur çdo fuqi brenda tij, duke kërkuar çdo grimë të njeriut, në çdo cep të lëkurës, në çdo fije floku, në çdo hap.

Eshtë nga ata libra ku lexuesi ndjehet bashkëudhëtues. Duke “ngarkuar” personazhin e tij Danielin të gjejë rrugët për të zbardhur fatin e një libri, Zafon ka ftuar në fakt lexuesin e drejtëpërdrejtë për të marrë në dorë fatin e librit, fatin e fjalës, duke e bërë bashkëudhëtar të rëndësisë për të parë tek vetja atë që na vjen përmes letërsisë, përmes artit në përgjithësi. Sepse fundja, njeriu që duhet të kërkojmë të takojmë më me ngulm është vetvetja, është leximi i gjërave rreth nesh.

E pas një rrëfimi të ardhur në shqip në mënyrë të jashtëzakonshme nga Ardian Klosi, vijmë e ndeshmi me një pyetje të përbotshme: A do ta mundim modernësinë që e ka kapur për gryke fjalën – atë fjalën e vërtetë njerëzore, atë që prek thelbin? Carlos Ruiz Zafon na paralajmëron një betejë. Një betejë që ka kohë që ka nisur, dhe ku njeriu duhet të gjejë kurajo për të vënë kufij. /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts