Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Letra e George Orwell-it në vitin 1944: shpjegon tezat kryesore që formësuan romanin “1984”

Pjesa më e madhe e njerëzve të shquar të letrave, duket se kanë shkruar edhe shumë letra, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Disa herë korrespondencat e tyre reflektojnë dhe formësojnë punën reale “të shkruar”, disa herë duket se janë pjesë e vetë librave. Të dy variantet janë të vërteta në rastin e George Orwell, një volum i letrave të të cilit është publikuar vitin e fundit.

1984

Në këtë botim gjendet edhe një letër e tij e vitit 1944, drejtuar njëfarë Noel Willmett, i cili e kishte pyetur shkrimtarin “nëse totalitarizmi, admirimi i liderit etj janë vërtet në një shkallë të tillë”, duke pasur parasysh se këto fenomene nuk janë në rritje në Angli dhe në Shtetet e Bashkuara. Ja përgjigja e Orwell:

“Duhet të them se unë besoj, ose kam frikë se duke e marrë botën në tërësi, këto gjëra janë në rritje. Hitleri, pa dyshim, do të zhduket shumë shpejt, por vetëm në kurriz të forcimit të (a) Stalinit, (b) milionerëve anglo-amerikanë dhe (c) të gjithë llojeve të hyhrerëve të vegjël të tipit De Gol. Të gjitha lëvizjet kombëtare kudo, madje edhe ato që e kanë origjinën në rezistencën kundër nazistëve, duket se nuk po marrin forma demokratike pasi po grupohen rreth fyhrerëve mbinjerëzorë (Hitler, Stalin, Salazar, Franco, Gandhi, De Valera janë të gjithë shembuj që variojnë) dhe po përshtasin teorinë se qëllimi justifikon mjetin.

Kudo lëvizjet në botë duket se po shkojnë në drejtimin e ekonomive të centralizuara që mund të bëhen funksionale në një kuptim ekonomik, por që nuk janë të organizuara në mënyrë demokratike dhe që favorizojnë një system kastash.

Bashkë me këtë, shkojnë edhe tmerret e nacionalizmave emocionalë dhe një tendencë mosbesimi në ekzistencën e së vërtetës objektive pasi të gjitha faktet duhet të inkuadrojnë më fjalët dhe profecitë e fyhrerit të pagabueshëm. Tashmë historia në një farë mënyre, ka pushuar së ekzistuari, dmth nuk ka asgjë të tillë si historia e kohës sonë që mund të pranohet universialisht, dhe shkencat e sakta janë në rrezik sapo nevoja ushtarake të mos e kërkojë më njerëz të aftë për këtë punë.

Hitleri mund të thojë se hebrenjtë e nisën luftën dhe nëse ia del të mbijetojë, kjo do të bëhet e vërteta zyrtare. Ai nuk mund të thojë se dy dhe dy bëjnë pesë, për shkak të një qëllimi, le të themi se logjikisht duhet të bëjnë katër kur mblidhen.

Por, nëse lloji i botës së cilës i frikësohem arrin, një bote me dy apo tre supershtete që nuk mund të pushtojnë njëra-tjetrën, dy dhe dy mund të bëjnë pesë nëse këtë e dëshiron fyhreri.

Kështu, aq sa unë kuptoj, ky është drejtimi në të cilin ne jemi duke shkuar aktualisht, edhe pse, sigurisht, procesi është i kthyeshëm.

Sa për krahasimin se Britania dhe SHBA janë imune. Çfarëdo mund të thonë pacifistët apo të tjerë, ne nuk jemi bërë totalitaristë ende dhe kjo është një simptomë shpresëdhënëse. Unë besoj shumë fort, siç e kam shpjeguar në librin tim “Luani dhe Njëbrirëshi”, tek populli anglez dhe kapaciteti i tij për të centralizuar ekonominë pa shkatërruar lirinë ndërkohë që e bëjnë këtë. Por, duhet të mbajmë mend, se Britania dhe SHBA nuk janë sprovuar ende, ato nuk kanë njohur disfatën  apo vuajtje të mëdha, dhe ka ndërkaq disa siptoma të këqija që balancojnë ato të mira. Për të nisur, ka një indiferencë të përgjithshme për kalbjen e demokracisë.

A e kupton, për shembull, se askush poshtë të 26-ave tashmë nuk e ka një votë dhe aq sa mund të shihet, masa dërrmuese e njerëzve të kësaj moshe nuk duan t’ia dinë? Së dyti, ka një fakt që intelektualët janë më shumë totalitaristë në përgjithësi sesa njerëzit e zakonshëm.

Në tërësi, klasa intelektuale në Angli e ka kundërshtuar Hitlerin, por vetëm me çmimin e pranimit të Stalinit.

Pjesa më e madhe e tyre janë krejtësisht gati për metoda diktatoriale, policinë sekrete, falsifikimin sistematik të historisë etj. për aq kohë sa ata ndjejnë se këto metoda janë në anën “tonë”. Në të vërtetë, pohimi se nuk kemi një lëvizje fashiste në Angli, ende, do të thotë më së shumti se të rinjtë, në këto momente, e shohin fyhrerin e tyre gjetkë. Askush nuk mund të jetë i sigurtë se kjo nuk do të ndryshojë apo se njerëzit e zakonshëm nuk do të mendojnë dhjetë vjet më vonë ashtu si mendojnë intelektualët tani. Unë shpresoj që ata të mos e bëjnë këtë, unë madje besoj se ata nuk do ta bëjnë këtë, por nëse ndodh do të vijë me koston e një përpjekjeje. Nëse dikush thjesht pohon se gjithçka është për më të mirën dhe nuk e drejton gishtin tek simptomat djallëzore, ai thjesht po ndihmon për ta sjellë më afër totalitarizmin.

Ju, gjithashtu, pyesni se nëse unë mendoj se tendenca në botë është drejt fashizmit, atëherë përse e mbështes luftën. Eshtë zgjedhje mes dy të këqijave – kam përshtypjen se gati për çdo luftë është kështu. Unë e njoh mjaftueshëm imperalizmin britanik sa për të mos e pëlqyer, por do ta mbështesja atë kundër nazizmit apo imperializmit japonez, si një e keqe më e paktë. Ngjashëm do të mbështesja Bashkimin Sovjetik kundër Gjermanisë, për shkak se mendoj se BRSS nuk mund t’i ikë krejtësisht të kaluarës së vet dhe përmban mjaftueshëm nga idetë origjinale të revolucionit sa për të qenë një fenomen më shpresëdhënës sesaj Gjermania naziste.

Unë mendoj e kështu kam menduar që nga nisja e luftës, në vitin 1936 apo aty afër, se kauza jonë është më e mirë, por ne na duhet ta bëjmë edhe më të mirë, e kjo kërkon kriticizëm të vazhdueshëm.

Sinqerisht juaji,

Geo. Orwell

Tre vjet më pas, Orwell do të shkruante librin “1984”. Dy vjet më pas, libri do të publikohej dhe do të tërhiqte vëmendjen e brezave në vijim si ndoshta pohimi fiction më elokuent kundër një bote të reduktuar në supershtete, formuar me “nacionalizma emocionalë”, të hapura ndaj “metodave diktatoriale, policisë sekrete” dhe me falsifikim sistematik të historisë në një botë të shënjuar nga “dëshira për të mos besuar në të vërtetën objektive për shkak se të gjitha faktet duhet të përputhen me fjalët dhe profecitë e fyhrerit të pagabueshëm”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/ 

 

auto pjese dak

Related posts