Largimi i kryediplomatit, mediat analizojnë rastin: çfarë e shkarkoi Rex Tillerson?

Presidenti Donald Trump e ka zhytur diplomacinë amerikane në trazira të reja me shkarkimin nga detyra të sekretarit të tij të Shtetit, Rex Tillerson –i cili thuhet se e ka mësuar fatin e tij përmes Tuiterit – dhe ka promovuar dy zyrtarë që janë denoncuar nga grupet e të drejtave të njeriut se kanë mbështetur apo zbatuar tortura.

Një Tillerson i tronditur dhe i demoralizuar foli menjëherë pas lajmit, pa pritur pyetjet e gazetarëve. Ai nuk e kritikoi vendimin e Trump, por nuk e përfshiu presidentin në listën e falënderimeve.

Tillerson tha se kishte marrë një telefonatë pak pas mesditës nga Trump dhe shefi i stafit, John Kelly “për të garantuar qartësi në ditët që vijnë”.

Duke reflektuar për ditët e tij në detyrë, Tillerson pretendoi se “tejkaluam pritshmërinë për gati çdo gjë”, në lidhje me Korenë e Veriut. Ai pranoi se mbetet shumë punë për të bërë në marrëdhënien me Kinën. Në atë që disa e interpretuan si kritikë ndaj Trump, ai veçoi “sjelljen dhe veprimet shqetësuese” të Rusisë.

Zyrtarë të departamentit të Shtetit thanë se Tillerson ishte paralajmëruar se do të kishte një postim të presidentit në Tuiter që kishte lidhje me të, por jo përmbajtjen. Gazetarët që udhëtonin me Tillerson, thanë se ai dukej i mpakur, por nuk dha asnjë shenjë se rrezikonte detyrën.

Më pas erdhi postimi, që iu bë i ditur Tillersonit nga një këshilltar i afërt.

Vetë Trump dukej i qetë, e përpara se të nisej për në Kaliforni, këmbënguli për gazetarët se “kishte folur për këtë çështje prej kohësh”.

Presidenti komentoi: “Në fakt kam shkuar mirë me Rex, por ka pasur vërtet mentalitet dhe mënyrë të menduari të ndryshme mes nesh. Po të shohësh marrëveshjen e Iranit, mendoj se është e tmerrshme. Ma ha mendja që ai mendon se është OK. Unë dua ose ta shkel marrëveshjen ose diçka tjetër e ai mund të ndjehet ndryshe për këtë temë. Kështu që ne nuk po mendonim njësoj”.

Tillerson ka argumentuar me bindje se SHBA duhet të zbatojë marrëveshjen me Teheranin për ambicjet e tij bërthamore që u arrit nën presidencën e Barak Obamës në vitin 2015. Zëvendësi i tij në detyrë, Pompeo është një kundërshtar i kahershëm i marrëveshjes.

Verën e kaluar, Tillerson u raportua se e kishte quajtur Trump, “hajvan të pandreqshëm”, raportim që ai e mohoi.

Të hënën, përpara shkarkimit, Tilleron lëshoi një reagim shumë më të ashpër ndaj sulmit me agjent nervor ndaj një spiuni rus në Britani, shumë më të ashpër se komentet e Shtëpisë së Bardhë. Ai e nxori Rusinë si një të dyshuar, një hap që zëdhënësja e Trump e ka shmangur në komente. Mediat amerikane raportuan tërbimin në Shtëpinë e Bardhë që Tillerson i kishte bërë të duken shumë më të butë në lidhje me Rusinë.

Por, burimet thonë se shkarkimi lidhet me bisedimet e ardhshme me Korenë e Veriut dhe me disa negociata tregtare. Pas njoftimit për takimin me liderin e Penianit, Trump tha se nuk e kishte biseduar shumë me Tillerson këtë çështje.

“E mora vetë këtë vendim. Rex nuk ishte brenda vendit. E konsultova vendimin për Korenë e Veriut me shumë njerëz, por vendimin e  mora vetë”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts