reklama juaj ketu

Lame: Qytetarët që kanë apartamente në prona jo të tyre, të aplikojnë për blerjen

lameKreu i ALUIZN-it, Artan Lame ka deklaruar hapjen e afateve për blerjen e trualleve nga ana e qytetarëve. Në një dalje për mediat Lame tha se deri tani kanë aplikuar 91 subjektë për 1200 apartamente.

Ai i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që kanë blerë në bregdet apartamente dhe nuk kanë pronësi mbi truallin të paraqiten në zyrat e ALUIZN-it.

“Sot do të dalim përpara publikut për të deklaruar hapjen e afatit të ri për paraqitjen e kërkesave për blerjen e truallit nga ana e qytetarëve, që do mundësonte më pas regjistrimin në zyrat e regjistrimit të pasurive të pronës së tyre si të ligjshme. Nga evidentimi faktik rezulton që deri tani kanë aplikuar pranë nesh 91 subjekte për rreth 1200 apartamente të përfshira në këtë kategori, që i kanë blerë qytetarë e nuk mund t’i regjistrojnë në hipoteka. Por nga ana tjetër janë disa qindra subjekte të tjera, me rreth 4-5 mijë apartamente të ndërtuara e të shitura qytetarëve, të cilët nuk mund t’i regjistrojnë këto prona sepse nuk kanë mundur t’i deklarojnë me ligjin e 2009-s. Këto apartamente gjenden të ndërtuara kryesisht në plazhet e Velipojës, në zonën e Gjirit të Lalzit, dhe pjesa masive e tyre në zonat e plazhit të Golemit, Shkëmbit të Kavajës dhe Malit të Robit. Të gjithë qytetarët që kanë blerë në bregdet apartamente nga subjekte ndërtues që nuk kanë pronësi mbi truallin, të paraqiten në zyrat tona për të aplikuar për këtë qëllim”, theksoi Lame