728 x 90 Leaderboard

Kush kanë qenë drejtorët e Top Channel-it në vite dhe sa e meriton Ben Blushi t’i pasojë ata

Nga Ermir Hoxha

Ka diçka “për t’u shënuar” në faktin që Ben Blushi, pas 15 vitesh në politikë, rikthehet në familjen mediatike, aty ku dhe e startoi zellin e tij për fjalën e shkruar, komunikimin, fillimisht si redaktor në gazetën e parë opozitare nën pluralizëm, RD.

Gjithashtu dhe për Top Channel, që ia beson punët e veta një emri publik ardhur nga politika, me aftësi ende të paprovuara menaxheriale, për të drejtuar një gjigand mediatik me shumë kthina.

Blushi vjen si drejtor i TOP-it në një kohë kur ky gjigand po kalon një periudhë të vështirë në burimet njerëzore. Shumë të ikur, sidomos profile të njohura, që zëvëndësohen nga të tjerë, por që kanë lënë vraga në portretin plot shkëlqim të këtij televizioni.

Ndërkohë, prej afro dy vjetësh, TOP-i është drejtuar nga ai që thjesht njihet si Eri, ish-shoferi i të Tanit të ndjerë, Erjon Ylli, pa asnjë lidhje me median në kuptimin e një karriere të mirëfilltë gazetareske.

TOP-i, si Drejtorë të Pëgjithshëm në vite ka patur:

I traditës mbetet Enkelejd Jotin, sot Drejtor i QSUT-së.  Ishte fillimisht drejtor i Top Albania Radio-s e më pas i televizonit. Me formim ekonomist, atij i dedikohet mbajtja në këmbë e gjigandit brenda profilit të tij.

Joti pati një shkëputje nga TOP-i në fillim të viteve 2000, ku televizionin e drejtuan Petrit Beci dhe Xhevdet Ferri.

Beci vinte nga bota televizive. Ndërsa Xhota vetëm nga ajo filmike. Por që të dy me përvoja menaxheriale. Ata  drejtuan televizionit në kulmet e veta, kohën e ngjizjes së tij, për t’ja lënë vendin më pas sërish Kelit të kthyer nga Amerika si koka e TOP-it në kuptimin e traditës së nisur herëtme radion. Dhe padyshim duke qenë shok i Tanit.

I ndjeri Dritan Hoxha i drejtoi mediat që themeloi me shokët e tij, me disa përjashtime. I kishte besnikë e të bindur. Disa u aftësuan në profilet e reja e disa mbetën në vend, ku mungesat e aftësive jua mbulonte teknologjia apo talenti i atyre që punësoheshin. Ka patur dhe prej atyre që nga shoferë te Lori, përfunduan drejtorë sektori, për më tepër duke punuar me artistë.

Po sa e meriton Ben Blushi të jetë Drejtor i Përgjithshëm i Top Channel-it?

Në media, pika më e lartë e suksesit në karrierë, aq sa e pati, ka qenë Kryeredaktor i Koha Jonë në kohët e arta të kësaj gazete, viti 1996-1997. Solli si risi titujt bombastikë alla La Republicca, foton e llojit tabloid marrë nga gazetat britanike, si dhe llojin e faqosjes. Ndërsa te RD-ja ishte thjesht redaktor dhe shkrues reportazhesh.

Sa i përket aspektit menaxherial, aty ku dhe Rama e shpotiste më së shumti për paaftësi, Blushi ka mbajtur postin e ministrit të Arsimit dhe të zëvëndësministrit të Pushtetit Lokal, që të dyja nën qeverisjen e Nanos.

Në të parin rast ju njoh si “meritë” hapja e të parit universitet privat, “Nju Jorku” i të ndjerit Gramoz Pashko, e në të dytin mosbërja dot e kartave të reja të identitetit, atyre biometrike, realizuar pak vite më vonë nga i ndjeri Ferdinant Poni nën qeverisjen e Berishës.

Në postin e Drejtorit të Përgjitshëm të TOP-it, Blushi do provohet nga aftësia menaxheriale, por sidomos nga qasja në informim. Edhe pse nuk ka ndikim direkt tek lajmi – pasi para tij sipas piramidës hierarkike është Drejtori i lajmeve – në direktivat e përgjithshme patjetër që ka.

Në këtë aspekt, ai ka një pozicion të paragjykuar dhe të kompromentuar, pasi hyn të drejtojë një media me një pozicion të qartë politik. Deri më tani ka qenë e kundërta. Fjala vjen, pasi Alfred Peza u përfshi në politikë, çdo media e madhe e serioze do e kishte të vështirë apo gati të pamundur t’i besonte drejtimin. Në këtë pikë, profesionalisht dhe parimisht, është një zgjedhje e gabuar emërimi i Blushit si Drejtor i Përgjithshëm.

Nga ana tjetër, Blushi është i dënuar të sjellë risi në TOP, të themelojë standarte. I ndjeri Hoxha e strukturoi televizonin në atë mënyrë sa çdokush, pavarësisht pozicionit të punës, nuk duhej të ishte aty thjesht një rrogëmarrës, por një gjurmëlënës real, me anë të një standarti që sillte. Ndërsa Blushi është nga ata që i mban duart në xhepa pak më shumë se ç’duhet. Duhet ta kuptojë që ka shkuar në një kompani që duhet të përveshë llërët e jo thjesht të heqë duart nga xhepat. Në këtë pikë ka dhe një bast me Ramën, për të treguar se është i aftë…tej shkruesit të librave. /tesheshi.com/

 

 

Related posts