728 x 90 Leaderboard

Kufijtë e Thaçit: pse politika kosovare po dyndet te Berisha e po anashkalon Ramën?

Është një panoramë e pazakontë ajo që po ndodh në politikën shqiptare, me në sfond çështjen e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ish-kryemnistri Berisha, i cili ç’prej 5 vitesh është thjesht një deputet, ndonëse me protagonizëm të lartë publik duke qenë i palodhur në akuza e sulme ndaj kundërshtarit politik, një pasion i pashuar që ndoshta do e ndjek deri në frymën e fundit, është shndërruar sakaq në personazh kryesor në këtë zhvillim të politikës së Prishtinës.

Një pjesë e mirë e politikës kosovare, në pushtet a opozitë, kanë hyrë e dalë në zyrën e tij duke bërë dhe deklarime të përbashkëta. Ndërsa nga kahja e pushtetit nuk lëviz asgjë.

Në fakt, që në krye të herës, sapo doli në sipërfaqe cështja e kufijve, Berisha qe i pari që sokëlliu me deklarime, duke sulmuar ashpër presidentin Thaçi, e marrë prej këtij të fundit të njëjtën resto. Ndërsa zëri zyrtar i Tiranës, ka qenë tejet i zbehtë në këtë aspekt. Vetëm nga Ministria e Jashtme ka patur një qëndrim paksa fluid, me fraza të thata e skematike, me nëntekst respektimin e çdo marrëveshjeje që mund të arrihet mes dy vendeve në funksion të paqes rajonale. Vetë Rama, njeriu që për sa qeveris, ka qenë mjaft aktiv në kauzën kosovare, derisa ka xhelozuar dhe elitën mediatike e politike të Prishtinës e cila e ka parë si futhundës në punët e saj, nuk është ndjerë fare.

Dhe siç po shihet këto ditë, politika e Kosovës që ven e vin nga Prishtina në Tiranë, nuk kalon pothuajse fare nga Rama. Dhe e gjitha kjo me një potencim të Berishës, e pashpjeguar racionalisht në terma politikë.

Berisha nuk ka kurrfarë peshe gjersa nuk ka asnjë post ekzekutiv. Deklarimet dhe qëndrimet e tij, sigurisht që trazojnë sentimente politike, por në fund nuk vendosin për asgjë.

Faktorizimi i Berishës ngjan si një kundrapeshë e Qoses, njeriut që prej kohësh ka mbrojtur tezën e ndryshimit të kufijve. Por që të dy janë në pozita të ngjashme; thjesht zëra opinionbërës por jo vendimmarrës.

Gjithsesi, kjo është koha më e bukur e ish-liderit demokrat që pas rrëzimit nga pushteti 5 vite më parë. Gjatë kësaj kohe, imazhi i tij pësoi një rrënim dhe tek shija politike kosovare, që e përzier me folklorizëm e kishte si idhull prej vitesh, duke nisur dhe thjesht nga emri, Sali. Paralel, edhe nga impakti i pushtetit, pësoi një përmisim imazhi i Ramës, që nisur dhe nga vetëm detaji i emrit – Edi – folklorikisht ishte jashtë shijes kosovare.

Tashmë, politikisht, pritet të kuptohet në kohë se pse njëri është në qendër e tjetri në periferi, në raport me një zhvillim të nxehtë në politikën kosovare. /tesheshi.com/                                                                    

 

Related posts