728 x 90 Leaderboard

INTERVISTA/ Petrit Saraçini i ‘The Reportes’: Ja pse kemi zgjedhur të bëjmë gazetari me pentagrame

Nga Memedali Jusufi

Petrit Saraçini është ndër njerëzit më të angazhuar kohët e fundit, si në sektorin civil po ashtu edhe nëpër debate, ku temë kryesore është kriza politike e Shkupit dhe dalja prej saj. Por Saraçini nuk është ndonjë akademik apo intelektual hijerëndë. Ai vjen nga bota e muzikës, ku lëvron regen (atë të Bob Marley-t), si dhe spiritualen.

Ka përfunduar studimet në drejtimin e shkencave të komunikimit dhe punon në Institutin Maqedonas për Mediume  (MIM).

Ajo që e bën më interesant Petritin është fakti se me disa kolegë apo miq të tij ka formuar një grup muzikor, “ The Reporters”, ku bëjnë pjesë  disa emra të rëndësishëm të gazetarisë në Maqedoni, si Borjan Jovanovski përshembull. Po ç`është kjo gazetari në pentagrame?!

Petrit, herën e fundit ju pamë përpara Kuvendit, ku protestonit së bashku me plenumin studentor, ndërkohë që dje ishit në krahë me kolegët gazetarë në mbrojtje të redaktores së javores “Fokus”, Jadranka Kostova. Si ta kuptojmë këtë?

Angazhimi im në lëvizjet qytetare është autonom dhe jashtë angazhimit profesional në Media-Institutin e Maqedonisë. Për momentin, përveç si përkrahës në protesta për gazetaren Kostova, ose paradokohe për gazetarin e burgosur Kezharovski,  që përfundoi suksesshëm me lirimin e tij prej paraburgimit, jam i angazhuar dhe në aktivitetet e Platformës për Politikë Qytetare – “Hajde!”. Në këtë kuadër, kemi disa iniciativa, siç është për shembull ajo për mbledhjen e parashtresave qytetare ndaj Gjyqit Kushtetues për të tërhequr apo çmuar kushtetutshmërinë e ndryshimeve ligjore për pagesat e kontributeve te punëtorët me honorare.

Me MIM-in  po ashtu kam angazhime në drejtim të avancimit të lirisë së të shprehurit, eliminimin e gjuhës së urrejtjes, bërjen e trajnimeve të ndryshme për gazetarë, aktivistë e organizata të shoqërisë civile, për rritjen e kualitetit të komunikimit publik, si dhe në realizimin e disa hulumtimeve që kanë të bëjnë me sferën mediatike.

Qartë. Po si ta kuptojmë që gazetarët të formojnë grup muzikor, ngase kjo është diçka e paparë, të paktën në Maqedoni?

reporters

Eshtë e paparë edhe në suaza botërore, pasiqë ky është grupi i vetëm muzikor i gazetarëve që luan muzikën e tij autoriale, dhe ka CD të tij. U formuam gjatë iniciativës së Ambasadës Amerikane për të shënuar “Ditët e Daniel Përl-it”, gazetar i shquar amerikan që humbi jetën në Pakistan nga dora e pengmarrësve në vitin 2002, e tash në nder të tij, për shkak se ka qenë edhe muzikant, mbahen koncerte çdo vit anembanë botës.

Që nga koncerti në vitin 2010, e morrëm më seriozisht, regjistruam këngët tona e bëmë turne me  koncerteve anembanë Maqedonisë. Nuk pretendojmë të bëhemi tamam grup muzikor, por nëpërmjet të muzikës të përhapim idenë për solidaritet mes gazetarëve.

Po vjen natyrshëm një pyetje aty për aty: E ndjeni vetën më mirë në gazetari apo muzikë?

Në muzikë pa dyshim, ngase gazetaria është shndërruar në një profesion shumë të vështirë në këto kushte dhe kontekste shoqërore në Maqedoni. Edhe pse të jesh muzikant në Maqedoni nuk është fare lehtë, por së paku bartë një lehtësim shpirtëror, të cilin arti ia sjell çdo njeriu.

Jemi në një krizë të madhe vlerash, e si reflektohet kjo në raportet gazetari versus pushteti?

Për mua, pushteti dhe gazetaria çdoherë duhet të jenë në anë të kundërt të barrikadave. Në Maqedoni, një pjesë bukur e madhe, mos të them dominuese e gazetarisë dhe mediave, është vënë në shërbim të pushtetit.

Si i shikoni marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase gjatë këtyre viteve të pluralizmit? A kemi gjetur gjuhë të përbashkët, sikur te grupi i juaj muzikor?

Për fat të keq, akoma jemi larg gjuhës së përbashkët, edhe pse kohëve të fundit ka shumë shenja optimiste në këtë drejtim – kryesisht te lëvizjet qytetare. Për t’u afruar më tepër, na mungon sinqeriteti, vullneti, dituria dhe njohuritë për “tjetrin”. Në këtë drejtim, kemi edhe shumë punë.

A paragjykoheni që shoqëroheni me maqedonas ?

Shpesh, kryesisht nga ata që këtë e kanë gjoja argumentin e vetëm për të më sulmuar ose diskredituar, pa pasur argumente tjera për atë që e them. Shpesh edhe ua kthej – le të hapin sytë, le të mësojnë gjuhën dhe kulturën e tyre, le të edukohen. E pastaj le të vijnë dhe të kritikojnë.

Çuditërisht, mu ata që as nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë shqip, bëhen mbrojtësit më të mëdhenj të shqiptarëve nga “tjerët”. Unë, përkundrazi, besoj se shoqërimi me njerëz, popuj dhe kultura të ndryshme, mundet vetëm t’i ndihmojë popullit tim.

Ka mision të pamundur në Maqedoni?

Vullneti politik, emancipimi i klasës politike, emancipimi i qytetarisë dhe krijimi i qytetarit aktiv e sovran në vendin e tij, më duken si misione te pamundura, tash për tash.

Si e shikoni perspektivën e Maqedonisë?

Me këto elita politike, me duket e zymtë, dhe me sfida të mëdha.

Çfarë përfaqson integrimi në BE, ndërkohë që nuk mundemi të integrohemi sa duhet mes vete?

Integrimi në BE nuk është mekanik.  Bile edhe po ecëm me hapa të përshpejtuar kah BE-së pas kësaj ngecjeje dhjetëvjeçare. Integrimi i vërtetë në BE do të ndodhë atëherë kur do të ndodhë integrimi në vlera.

Si e shikoni Maqedoninë në kohë globalizimi?

Globalizimi është edhe mundësi, por edhe rrezik për vendet dhe kombet e vegjël. Përparësi në kuptimin ekonomik, rrezik në kuptim të kapërdirjes dhe asimilimit të kulturës, traditave, artit dhe shenjave tjera që janë autentike për çdo popull. Maqedonia nuk ka strategji për t’u ballafaquar me proceset e globalizimit, as me ato pozitivet, as me ato negativet, kështu që më duket si një gjeth në një lum të rrëmbyeshëm. Dhe fati i gjethit assesi nuk është në duart e tij, por të lumit. /tesheshi.com/

 

Related posts