728 x 90 Leaderboard

Historia e Sarës: një refugjate apo një kirurge?

Shtëpia e Sarës ka qenë një tendë, për tre vjetët e fundit, që kur ajo u detyrua të largohej prej luftës në Siri. Në moshën vetëm 11-vjeçare, planet e Sarës për të ardhmen janë tashmë të qarta.

“Do të bëhem kirurge”, thotë ajo me vendosmëri.

Është një ambicie fisnike, që ndahet nga shumë të rinj në të gjithë botën.

Por, në ndryshim nga bashkëmoshatarët, Sarës do t’i duhet të tejkalojë më shumë peripeci për të arritur qëllimin e saj.

Një gjë e tillë ndodh për shkak se Sara, së bashku me prindërit dhe tre vëllezërit e vegjël, Ali, Deeb dhe Hadi, aktualisht jetojnë në një tendë prej dy dhomash në një vend-strehim informal në lagjen Zahle në luginën Beqaa, në Liban.

“Brezi i humbur”

Ata janë refugjatë nga Siria. Vogëlushja është një nga milionë fëmijë rreth e qark botës që aktualisht janë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre për shkak të konfliktit, dhunës dhe luftës – dhe vuajtjet e tyre ishin parësore në ditën Botërore të Refugjatëve.

Sara po ndjek shkollën dhe dëshiron të ketë një karrierë kur të rritet. Këta të rinj shpesh janë quajtur “brezi i humbur”- në rrezik për të humbur elementët bazikë të një fëmijërie të lumtur e paqësore – mes të tjerave dhe arsimimin.

Sara mund të konsiderohet si një prej fatlumëve – ajo po ndjek shkollën fillore dhe flet me krenari për përvojën e saj akademike.

Me ndihmën e një përkthyesi, Sara shpjegon sesi merr autobusin çdo ditë për në shkollën fillore në Taalabaya, në luginën Beqaa.

Ajo ndjek mësimet në arabisht, anglisht, matematikë, shkencë, gjeografi, sporte dhe arte.

Shkolla e gëzon: gjërat që preferon më shumë, siç thotë ajo, janë “shkolla dhe mësuesit, miqtë dhe orët e mësimit”.

Lënda e saj e preferuar është anglishtja, “për shkak se e dua shumë mësuesen”.

Detyrat e shtëpisë në tendë

Kur nuk është në shkollë, ajo ndihmon në shtëpi dhe luan me vëllezërit e saj.

Ndërsa mosha e rritur është ende vite tutje, sytë e Sarës janë fokusuar në karrierën e saj të ardhshme.

“Do të bëhem kirurge, doktore, në të ardhmen”, thotë ajo, e arsyeja është e thjeshtë “për shkak se ata kujdesen për njerëzit”.

Vogëlushja thotë se e di që duhet të studiojë shumë dhe beson se shkolla e saj po e ndihmon në rrugën e suksesit – shkenca është një “lëndë e mirë”për të, siç thotë.

Detyrat e shtëpisë i bën në dhomën kryesore të tendës familjare, ndërtuar nga i ati, Ghassan. Kjo ka qenë shtëpia e familjes për të paktën tre vjet.

“Vend i sigurtë”

Sara dhe familja e saj u zhvendosën në Liban pesë vjet më parë, pasi shtëpia e tyre në Siri u sulmua dhe u shkatërrua pjesërisht, duke bërë që fqinjët e tyre të frikësoheshin se ata kishin vdekur në këtë shpërthim.

Deri në këtë moment, ata tashmë ishin zhvendosur disa herë për shkak të konfliktit dhe Sara ishte rreth gjashtë vjeç kur familja u detyrua të largohej nga vendi.

Në atdhe, Ghassan ishte rrobaqepës – ai tani pranon çdo lloj pune për të mundësuar të ardhura për familjen e tij.

Gruaja e tij, nëna e Sarës, Fatima ishte një edukatore kopshti në Siri, por ndryshimet në kurrikula midis dy vendeve bëjnë që ajo të mos punojë aktualisht.

Vogëlushja thotë se ajo ka mall për familjen dhe shtëpinë në Siri dhe se në Liban, ata bëjnë një “jetë të ndryshme”.

Ajo ka shpresa që familja do të jetë në gjendje të jetojë diku tjetër duke thënë: “Tenda është shumë e nxehtë në verë dhe shumë e ftohtë në dimër”.

E pyetur nëse ku do të donte të jetonte në të ardhmen, ajo ka një dëshirë shumë të thjeshtë: “Në një vend ku nuk ka dhunë, në një vend të sigurtë”.

Arsimimi i Sarës është mundësuar nga një bashkëpunim midis agjencisë së OKB-së, UNRWA, që punon me refugjatët palestinezë dhe Fondacionit për Arsimin.

Bashkëpunimi mundëson arsimim fillor për fëmijët e refugjatëve palestinezë të cilëve iu është dashur të lënë shkollat siriane për shkak të konfliktit.

Duke punuar së bashku, ata kanë ndihmuar më shumë se 66 mijë nxënës të fillores në Liban, Jordani dhe Siri.

Vetë fondacioni është angazhuar në mundësimin e arsimimit për më shumë se 10 milionë fëmijë që nuk kanë akses në shkollim të cilësisë së mirë, me 6.6 të vegjël që tashmë janë të regjistruar.

Historia e Sarës ilustron rëndësinë themelore të arsimimit në transformimin e jetëve të fëmijëve të cilët janë zhvendosur.

“Çdo fëmijë duhet të ketë mundësinë ta gëzojë shkollën ashtu si Sara, pavarësisht rrethanave të tyre të vështira”, thonë drejtues të fondacionit.

“Si komunitet global, ne kemi përgjegjësinë për t’iu qasur çdo fëmije që nuk shkon dot në shkollë”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

 

Related posts