Auto Dak
Auto Dak

Hapet kanali “i ri” i Suezit, faktet kryesore historike e financiare që prej projektimit në vitin 1858

Egjipti hap sot një rrugë të dytë për kalimin e anijeve në kanalin e e Suezit. Autoritetet egjiptiane e kanë cilësuar këtë rrugë si “dhuratë e Egjiptit për botën”.

Burim vital për buxhetin e shtetit, kanali i Suezit është një nga rrugët ujore më të përdorura në botë. Ai lidh Mesdheun dhe detin e Kuq duke lejuar anijet të bëjnë rrugën midis Europës dhe Azisë Jugore pa u dashur të rrotullohen rreth Afrikës.

Ja disa të dhëna thelbësore për kanalin e Suezit:

Kanali i Suezit është 193 kilometër i gjatë. Hapja e tij u dizenjua nga inxhinieri francez, Ferdinand de Lesseps. Gërmimet për kanalin nisën në vitin 1859 dhe zgjatën 10 vjet.

Rreth 6 mijë të ftuar të huaj morën pjesë në hapjen e kanalit të Suezit në nëntor 1869. Rreth 1 milion egjiptianë punuan për gërmimin e kanalit. Rreth 125 mijë nga kjo forcë pune humbën jetën, sipas historianit egjiptian, George Kirlis.

Në vitin 1858, de Lesseps mori lejen nga drejtuesi i lartë i vendit,  Said Pasha për të krijuar kompaninë  që do të ndërtonte kanalin. Kjo kompani do të shfrytëzonte veprën për 99 vjet nga hapja e saj.

Pjesa më e madhe e aksioneve të kompanisë së kanalit të Suezit zotëroheshin nga investitorë egjiptianë dhe francezë, por kriza financiare e asaj kohe detyroi qeverinë egjiptiane të shiste aksionet e saj tek qeveria britanike në vitin 1875.

Kompania e kanalit të Suezit mbeti nën kontrollin britanik e francez deri në vitin 1956 kur ish-presidenti Gamal Abdel-Nasser shtetëzoi kanalin.

Në vitin 1956, kanali u mbyll për shkak të një sulmi të koordinuar nga Britania, Franca dhe Izraeli në atë që njihet si Agresioni Tripalësh, dhe u hap vetëm një vit më vonë.

Në vitin 1967, kanali u mbyll sërish për shkak të Luftës Arabo-Izraelite e njohur gjithashtu edhe si Lufta Gjashtëditore.

Kanali u rihap në vitin 1975 pasi Egjipti mori kontrollin e plotë të rrugës ujore pas luftës së 1973-it me Izraelin.

Kostot financiare dhe të ardhurat

Nuk ka një vlerësim zyrtar të kostos së ndërtimit të kanalit të Suezit, por vlerësime jozyrtare e vendosin atë rreth 20 milionë paundë në vlerën që monedha britanike kishte në atë kohë.

Nuk ka vlerësim zyrtar as për të ardhurat totale të kanalit nga hapja e tij në 1869-ën, mirëpo sipas agjencisë shtetërore të statistikave në Kajro, kanali solli 47 miliardë dollarë të ardhura në 10 vjetët e fundit, me një total prej 182 mijë anijesh që kaluan nëpër rrugën ujore në këtë periudhë.

Kanali “i ri” i Suezit

Kanali i ri i Suezit si e quan qeveria egjiptiane rrugën e re ujore që përurohet është në fakt një kanal prej 72 kilometrash i lundrueshëm nga anijet dhe i lidhur me kanalin qendror.

Gërmimet për këtë rrugë të re nisën në 5 gusht 2014 dhe përfunduan në 29 korrik 2015.

Kostoja e kësaj rruge të re ujore nuk i kalon 4 miliardë dollarë sipas autoriteteve të kanalit të Suezit.

Qeveria egjiptiane mblodhi 8.5 miliardë dollarë për të financuar këtë projekt të madh duke shitur çertifikata jo të tregtueshme me maturim pesëvjeçar dhe me interes 12 për qind tek qytetarët e vendit.

Qeveria pretendon se projekti do të dyfishojë fitimet nga kanali i Suezit nga 5.3 miliardë dollarë në vit aktualisht në rreth 13 miliardë në vit.

Ekspertët besojnë se kjo pritshmëri mund të përmbushet jo më parë se viti 2023, për shkak se në pesë vjetët e ardhshëm Autoriteti i kanalit të Suezit duhet të paguajë qytetarët që kanë blerë çertifikatat e “pronësisë”.

/tesheshi.com/
kanali 2

kanali 3

auto pjese dak

Related posts