GJESTI/ Karagjozllëku etik i Ramës te Ermali: si u distancua nga një “pullë e kuqe” dhe lajmi mbi shqipen

Të shtunën në mbrëmje, kryeministri Rama u shfaq në një prej emisioneve më të shplara televizive, Xing të Ermal Mamaqit, aty ku shpërfaqet, së bashku me humorin bajat, edhe një pullëkuqësi me skena e të denja “për ta kaluar kanalin te Tirana”.

Me një të tillë u ballafaqua pikërisht Rama, duke bërë një gjest, në harmoni me karagjozllëkun e emisionit, por me një diferencë etike.

I ndodhur afër – në një distancë prej afro një metër –  nga një femër, pjesë e talk show-t, e cila ka si rol edhe “zhveshjen” pos të qënit partnere e Mamaqit, Rama zgjodhi t’i qëndrojë larg me anë të një veprimi që la në befasi gjysmëgollomeshen dhe vetë Ermalin.

I pari i qeverisë u tërhoq në fund të kanapesë ku qe ulur, me një ndjenjë të dukshme bezdie dhe refuzimi ndaj një putanizmi ngacmues, duke e shoqëruar lëvizjen me një çehre krejt serioze.

Mamaqi, në stilin e tij e kaloi me të qeshur, atë që në fakt ishte një goditje e radhës për gjetjet e tij “spektakolare”, që kanë në thelb skena për pullë të kuqe. E kjo, prej një njeriu që shkon dhe në kishë(!).

Nga ana tjetër, edhe pse Rama ka teorinë e tij të të mbrojturit me nevojën për komunikim shumëdimensional me publikun, molepsja e tij për t’u bërë pjesë e një hapësire vulgare mediatike, duke u investuar madje dhe në skena aktoriale, ia heq sharmin e nevojshëm serioz të një kryeqeveritari që pretendon ta ketë bast me veten dhe njerëzit, kthimin e rrotës së historisë për Shqipërinë.

Edhe pse tentoi të ishte tejet serioz në përgjigje të pyetjeve të tralalashme të Ermalit, për çka morri dhe jo pak duatrokitje nga publiku në sallë, Rama ka mëkatin e të “dhënit gjak” organizmave të shprishur të ushqyerjes mediatike të gjindjes. Dhe Xingu është një prej tyre!

Nga ana tjetër, aty doli dhe një lajm: futja e gjuhës shqipe dhe nëpër kurikulat universitare. Pasi iu kërkua që t’i ofronte njeriut të zakonshëm disa kërkesa, Rama zgjodhi prej tyre dhe atë për ta ruajtur gjuhën e nënës; thënë ndryshe, shqipen. Ai e quajti si të rëndë situatën e përdorimit të shqipes, dhe se për këtë arsye po shihej mundësia e futjes si lëndë edhe në arsimin e lartë. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts