Në Londër, besimi i kandidatit laburist për bashkinë e qytetit u shndërrua në çështje vetëm kur kundërshtari i tij konservator e bëri të tillë, në përpjekje për të lidhur rivalin me ekstremizmin islamist në një fushatë të kritikuar si përçarëse dhe raciste.
Sidoqoftë, nuk ka ndodhur kështu në pjesën tjetër të Europës, ku në disa raste besimi dhe familja e Sadiq Khan është parë përmes lenteve të ndryshme: në pjesën më të mëdha të mbulimit ndërkombëtar të medias së huaj për zgjedhjet e Londrës, ato ishin më të rëndësishme se politika që ai jepte si alternativë.
“Sadiq Khan, kryebashkiaku i parë musliman i Londrës”, ishte titulli kryesor në revistën e përjavshme franceze të krahut të majtë, “L’Obs”. Televizioni më i madh i këtij vendit TF1 kishte vendosur titrat: musliman, djali i një emigrant, person autodidact – dhe kryebashkiak i ardhshëm?
“Metroneës” shkon edhe më tej, duke thënë se fitorja e Khan do ta bëjë atë kryebashkiakun e parë musliman të një kryeqyteti europian.
“Le Monde” kishte pikëpamjen e vet për të vënë re se Khan “djali i një shoferi autobuzi, një emigrant nga Pakistani”, e përshkruan besimin e tij islamik si “pjesë të identitetit tim”, duke shtuar se kundërshtari i tij, Zac Goldsmith ishte “djali i një miliarderi franko-britanik me origjinë hebreje”.
Besimi i Khn ka dominuar në mbulimin e media për zgjedhjet në kryeqytetin britanik, edhe në Holandë, ku Ahmed Aboutaleb ka qenë kryebashkiaku i parë musliman në qytetin e dytë më të madh të vendit, Roterdam që prej vitit 2009. Titulli kryesor i medias me autoritet në këtë vend, NRC Handsblad ishte: “Miliarderi i gjelbër kundër muslimanit leftist”, ndërsa gazeta e djathtë, “De Telegraaf” zgjodhi ta përcjellë lajmin thjesht me këto fjalë: “Londra ka kryebashkiakun e parë musliman.
Në Gjermani, “Süddeutsche Zeitung” vinte në dukje, – edhe pse jo në titullin kryesor – se Londra duket se do të ketë kryebashkiakun e parë musliman, ndërsa gazeta kryesore në Zvicër, “Le Temps” vinte në dukje se zgjedhja ka dalë përmes një dueli mes djemve të “një miliarderi dhe të një shoferi autobuzi”. Ky duel, sipas gazetës, e bën Londrës “kryeqytetin e parë europian që do të drejtohet nga një musliman”.
Perceptime të ndryshme të Islamit dhe integrimit dalin në pah në disa vende që kanë një pikëvështrim shumë të ndryshëm ndaj Pakistanit. “Eshtë origjina pakistaneze e Khan një pengesë?, pyeste një gazetar zviceran në një stacion radioje. “A nuk është Pakistani i asociuar me fondamentalizmin dhe terrorin?”.
I intervistuari i stacionit radiofonik u përgjigj se në një qytet ku pothuajse 40 për qind e banorëve kanë lindur jashtë Britanisë së Madhe e ku popullsia muslimane përbën 12 për qind të popullsisë së përgjithshme (në disa lagje edhe më shumë se 30 për qind) imazhi popullor për Pakistanin ka të bëjë më shumë me dyqanet e qoshkave dhe ekselencën akademike.
Por ndoshta shembulli më i qartë sesa ndryshëm e sheh pjesa tjetër e botës Londrën – dhe rëndësinë e besimit – nga mënyra sesi vetë qyteti e sheh vetveten vjen nga Shtetet e Bashkuara, ku Donald Trump shkaktoi më herët trazira me apelin për ndalimin e muslimanëve që të hyjnë në vend.
“Kryebashkiaku i parë musliman i Londistanit”, ishte titulli i madh i faqes së internetit që përmbledh lajmet kryesore “The Drudge Report”, ndjekur nga një nëntitull: “Liderët hebrenj shprehin shqetësim në lidhje me problemet në votim” dhe më poshtë “FLASHBACK: pjesë të qytetit 50 për qind Islamike”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/