Fatmir Xhafaj pason Edi Ramën: Përgjimi, sajesë dhe shantazh. Ta hetojë prokuroria

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka përforcuar qëndrimin e Edi Ramës duke kërkuar që të mbajnë përgjegjësi penale ata që kanë sajuar montimin e videos ku përflitet se është vëllai i tij.

Xhafaj deklaroi se është shantazhuar nga mafia dhe krimi i organizuar në aleancë me një pjesë të politikës dhe pjesë të “sistemit të kalbur të drejtësisë”.

Ministri i Brendshëm ka rrëfyer historinë e vëllait të tij, që sipas tij është ndaluar nga policia italiane në vitin 2002.

“Ngjarja ka ndodhur në vitin 2002. Vëllai im ka qenë rreth 25 vjet në atë kohë, e kanë ndaluar për 1 muaj dhe e kanë liruar duke urdhëruar largimin nga Italia. Kam qenë ministër i Turizmit në qeverinë Majko. Kam kërkuar dorëheqjen për këtë ngjarje, por pasi u panë rrethanat dhe përfshirjen time, kryeministri nuk e pranoi dorëheqjen time”.

“Agroni për asnjë çast nuk iu fsheh hetimit, por ka kërkuar që të marrë pjesë në këtë çështje. Vendimi përfundimtar ka vite që është në fuqi, asnjë veprim i imi nuk ka krijuar imunitet, apo favor kundrejt ekzekutimit të vendimit penal ndaj tij. Asnjëherë si funksionar publik dhe si ministër nuk kam bërë kompromis me faktin që vëllai im nuk duhet të vuante dënimin e dhënë, edhe pse ajo çka ai ka bërë është e shpërpjestuar me dënimin e madh”, shtoi ministri Xhafaj.

Ministri tha se nuk e ka nxitur vëllanë e tij që të shkojë me këmbët e veta në burg.

“Unë nuk e nxita që ta kryente këtë akt, por ai nuk ma dha mundësinë që të provonte Fatmir Xhafajn si ministër të Brendshëm nëse do të kërkohej ndonjëherë ekstradimi i tij”, thotë ministri Xhafaj.

Ai e quajti sajesë audio-përgjimin dhe i kërkoi Prokurorisë që të hetojë sa më parë. Xhafaj akuzoi opozitën se po e shantazhonte.

“Sajesë e plotë! Një mashtrimn nga fillimi deri në fund! Manipulim dhe i bërë keq. Nëse nuk e ka bërë opozita, ajo ka rënë viktimë e tij edhe pse në këtë rast tregoi se sa ligësi prodhon një pjesë e kësaj opozite. Interesa intime të saj janë bërë bashkë me interesat kriminale të grupeve të caktuara brenda dhe jashtë sistemit të kalbur të drejtësië. Janë gati të bashkëpunojë edhe me djallin vetëm e vetëm që kjo qeveri të ikë sa më parë. Garantoj se edhe nëse unë do të kisha ikur nga kjo zyrë, çfarë është bërë nga unë, kolegët dhe partnerët ndërkombëtarë nuk do të prishet më. Shpejt edhe SPAK edhe BKH do të jetë në funksion e krimi do të humbasë terren. Askush nuk më shantazhon, askush nuk më pengon në arritjen e qëllimeve të mia”, tha Xhafaj.

Akuzat për modifikimin e ligjit të ekstradimit, Ministri i Brendshëm i quajti qesharake.

“Është akuza më qesharake dhe nuk u besoj veshëve kur e dëgjoj. Nuk ka asnjë kontribut timin teknik në këtë nen, por e mbroj si një nen që është në përputhje me Konventën, Kushtetutën dhe të dobishëm për qytetarët shqiptarë. Është standard ndërkombëtar! Nuk e kemi shpikur dhe as jemi ne të vetmit”, tha ai. /tesheshi.com/

 

Related posts