Eleminimi nga Botërori, italianët duan Ançelotin si trajner të Kombëtares

Në Itali as që e diskutojnë dorëheqjen apo largimin e trajnerit Ventura, ndaj po sugjerohen emrat për drejtuesin e ri të kombëtares axurre që shënoi “turpin” e dytë historik, me mospjesmarrjen në Kampionatin Botëror të viti 2018, pas atij të 60 viteve më parë, kur nuk arriti Botërorin e Suedisë në vitin 1958.

Opinioni italian duket se e ka shprehur njëzëri dëshirën për drejtuesin e ardhshëm, e ai është Karlo Ançeloti.

Me përvojë, me karrierë të mbushur me trofe, me taktikë të pasur, e mbi të gjitha, me karizëm sportive, Don Karleto shihet si trajneri ideal për ringritjen e Italisë. Për më tepër, Ançeloti është momentalisht pa skuadër dhe për të prishur përfundimisht klauzolat kontraktualë me skuadrën e tij të fundit, Bajernin e Mynihut, nuk do të ishte problem.

Megjithatë, nëse Ançeloti për një arsye apo për një tjetër, nuk zgjidhet në krye të pankinës italiane, specialistët sugjerojnë Masimiliano Alegrin e Juventusit. Për të situata mund të jetë më e komplikuar, pasi kontrata e tij me klubin torinez zgjat edhe për pak vite, megjithatë, mediat shkruajnë se kur bëhet fjalë për të ringjallur Kombëtaren, çdo klub do të bënte lëshime.

Emri i tretë në listën e dëshirave të italianëve, është ai i Roberto Mançinit, aktualisht trajner i Zenitit në Rusi. Mançini shihet si trajner modern, e me personalitet, të cilin mund edhe t’ua përçojë lojtarëve të Kombëtares.

Pas mungesës së papritur nga Botërori, për shkak të Suedisë, opinioni sportiv në Itali, nuk kërkon të presë më, për të filluar rigjallërimin e shpresës për Kombëtaren, shpresë e cila u dërrmua rëndë pas eleminimit nga mundësia më prestigjoze për t’iu shfaqur Botës, kampionati i më të mirëve të planetit.
Gjithsesi, kushdo që të zgjidhet trajner i përfaqësueses axurre, do të ketë “punë” për të krijuar stabilitet të ri në skuadër, pas largimit të “senatorëve” Bufon, Barzalji, Kielni, De Rosi, e ndoshta të ndonjë tjetri, nga Kombëtarja. /tesheshi.com/