reklama juaj ketu

Droga dhe jeta hedoniste e natës shkaktaret e shuarjes së jetës së këngëtarit George Michael

Të dielën, më 25 dhjetor, vdiq në shtëpinë e tij në Londër një prej figurave më të njohura të muzikës pop, George Michael.

Jo shumë orë pasi ai ndërroi jetë, një mik i ngushtë i tij ka deklaruar se qasja e lehtë te droga i shkatërroi karrierën këngëtarit.

Menaxheri i tij, Gary Farrow, thotë se George Michael vuante nga varësia e drogës në kohën e vdekjes së tij.

Këngëtari ndërroi jetë në moshën 53-vjeçare, në shtëpinë e tij në Goring-on-Thames në Oxfordshire.

Ndërkaq, ish-menaxheri i tij, Michael Lippman, tha se ai kishte pësuar një sinkopë kardiake.

Ai deklaroi kështu për The Sun: “Unë besoj se qasja e lehtë te droga ishte shkaku i problemeve të tij. Mendova se George ishte shumë i mençur për t’u përfshirë deri në atë masë me substanca të paligjshme. Por kur ju mbërthen kjo sëmundje, është e vështirë për ta luftuar atë.”

Deklaratat e tij vijnë pasi një mik tha për Mirror se ylli i muzikës pop kishte organizuar në vazhdimësi mbrëmje festive hedoniste vetëm disa javë para se të vdiste.

Burimi ka bërë të ditur se këngëtari do të organizonte mbrëmje të tilla festive gjatë gjithë natës në shtëpinë e tij në Highgate, në veri të Londrës.

Një burim tjetër, duke pretenduar të jetë i afërt me Michael-in, i tha Telegraph-it se ai kishte pësuar një mbidozë.

“Ai është dërguar në urgjencë në disa raste. Ai përdorte heroinë. Unë mendoj se është mrekulli se si e ka shtyrë deri tani,” ka rrëfyer burimi.

George Michael, i lindur si Georgios Kyriacos Panayiotou, ka patur një karrierë të bujshme, megjithëse me një jetë të trazuar personale.

Beteja për ta fshehur seksualitetin e tij prej homoseksuali dhe përballja me famën çuan në frikën për jetën, që e shtynë atë të eksperimentojë me alkoolin dhe drogat. /tesheshi.com/