Dështimi i diplomacisë ekonomike të Kosovës

Nga Bashkim Kastrati

Shumë vende të rajonit po e përdorin diplomacinë ekonomike për të tërhequr investime të huaja në vendet e tyre dhe ato kanë pasur rezultate në këtë aspekt. Për këtë qëllim angazhohen departamente të veçanta në kuadër të ministrive të jashtme, por edhe në vizita të liderëve shtetërorë pjesë e delegacionit janë shpesh edhe grupe të bizneseve të suksesshëm apo përfaqësues të odave ekonomike, të cilat përfaqësojnë bizneset.

Por në Kosovë diplomacia ekonomike ekziston vetëm në letër. Në Ministrin e Punëve të Jashtme, funksionon departamenti për Diplomaci Ekonomike, që ka të bëjë me promovimin e interesit ekonomik kombëtar të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, sensibilizimin dhe tërheqjen e investimeve të huaja si në energji me strategjitë ekonomike dhe programin e zhvillimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në kuadër edhe të politikave të integrimit në Bashkimit Evropian.

Misioni i Departamentit për Diplomaci Ekonomike, ka të bëjë me promovimin e interesit ekonomik kombëtar te Republikës se Kosovës në arenën ndërkombëtare, sensibilizimin dhe tërheqjen e investimeve të huaja me strategjitë ekonomike dhe programin e zhvillimit të Qeverisë se Republikës se Kosovës, në kuadër edhe të politikave të integrimit në BE. Ky departament, ka për detyrë zyrtare të ndjek, mbështesë dhe lehtëson, aktivitete të ndryshme promovuese, si ekspozita, panaire, forume, konferenca, unione, seminare, brenda dhe jashtë Kosovës, me të gjithë aktorët e tjerë shtetëror dhe privat në kuadër të promovimit.

Por deri më tani nuk është dëgjuar shumë për këtë departament, e as për ndonjë rezultat konkret dhe sukses në tërheqjen e investimeve të huaja apo promovimin e potencialit ekonomik që e ka Kosova.

Ndërkaq, në ambasada nuk ekzistojnë departamente të veçanta ekonomike, por në disa qendra kanë atashe të ekonomisë, por që nuk kanë dhënë ndonjë rezultat konkret. Është raportuar vazhdimisht se në ambasadat e Kosovës janë punësuar familjar të politikanëve dhe militantë të partive në pushtet, ndërsa është për të dyshuar për përgatitjen e tyre profesionale për të përfaqësuar interesat e Kosovës në vende të ndryshme të Botës.

Ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se një ndër dështimet më të mëdha të qeverisë se Kosovës gjatë vitit 2016, është rënia e investimeve të huaja dhe zbehja e interesimit të kompanive të huaja që të kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, tregojnë se deri në muajin shtator të këtij viti, shuma e investimeve të huaja kanë qenë 184 milionë euro. Kurse vitin 2015, investimet ndërkombëtare kanë qenë rreth 320 milionë euro.

Duke e marrë parasysh këtë situatë, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) në vazhdimësi ka kërkuar që të ketë një angazhim më të madh të institucioneve sa i përket diplomacisë ekonomike. Krerët e OEK-ut kanë thënë se për të pasur një strategji për diplomaci ekonomike të mirëfilltë dhe nëse mendohet se ajo duhet te ketë sukses, nevojitet një bashkëpunim edhe me mekanizmat ekonomike që veprojnë në Kosovë. Ata thonë se nuk ka ndonjë dokument që mund të quhet Strategji e diplomacisë ekonomike dhe se një strategji e tillë është e domosdoshme.

Në lidhje me diplomacinë ekonomike së fundi është shprehur edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj. Në hapje të punimeve të Konferencës së IV-të të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme ai ka thënë se në kuadër të diplomacisë kosovare, një fokus i veçantë do të orientohet në diplomacinë ekonomike.

“Përmes një politike të jashtme aktive, ne synojmë të përmbushim interesat tona të brendshme. Vëmendje të veçantë  do t’i kushtojmë diplomacisë ekonomike, investimeve të huaja direkte, krijimit të vendeve të punës dhe bashkëpunimit ekonomik që do të jetë fokusi jonë i ardhshëm”, ka deklaruar ministri Hoxhaj.

 

Funksionalizimi i diplomacisë ekonomike i domosdoshëm për Kosovën

Njohësit e çështjeve ekonomike në Kosovës, konsiderojnë se vendet e rajonit, si rezultat i diplomacisë së efektshme ekonomike, janë duke u faktorizuar për shumë çështje në Evropë dhe më gjerë.

Ekonomisti Lulzim Beqiri ka thënë për tesheshi.com se nëse i referohemi vendeve të regjionit që janë në zhvillim e sipër vërehet se ka diplomaci aktive për thithjen e investimeve në vendet e tyre, madje shpesh has që edhe shtetet e zhvilluara përdorin këtë diplomaci në mënyrë që të rrisin mirëqenien e qytetarëve të tyre.

“Ministria e Jashtme e Kosovës nuk  e sheh të udhës që të merr praktika të tilla, mund të marrim si shembull Turqinë që shumë shpesh ndërmarrin vizita në vende të ndryshme për të tërhequr sa më shumë investitorë dhe dihet se Turqia është ndër vendet më te zhvilluara në botë”, ka thënë Beqiri.

Ai thotë se Kosova duhet që ta bëjë prioritet diplomacinë ekonomike në mënyrë që të tërhiqen investimet e huaja, pasi që Kosova ka potencial në fusha të ndryshme ku mund të investohet. Ai thotë se pjesë e vizitave jashtë vendit duhet të jenë edhe bizneset dhe përfaqësuesit e bizneseve, të cilët duhet të bëjnë kontakte me homologët e tyre në vende të ndryshme.

“Është e udhës që Ministria e Punëve  të Jashtme të funksionalizojë ato departamente dhe të jetë një koordinim më ë mirë në mes të Ministrive, Qeverisë dhe odave ekonomike. Shumë rrallë ndodh që një lider kosovar merr biznesmenë me vete në udhëtimet e tij në shtete të ndryshme siç është praktikë nga shumë liderë, neve na mjafton kjo kënaqësi që kemi dhe prapë pretendojmë se kemi buxhetin më të madh në histori rritjen më të madhe, stabilitetit më të madh”, theksoi Beqiri.

Ai thotë se është e domosdoshme që departamenti për diplomaci ekonomike të jetë më aktivë dhe të ketë rezultate në fushën ku ata punojnë, pasi që deri më tani nuk kemi parë ndonjë rezultat konkret nga ky departament.

“Thjesht pse paguhen ata punonjës në ato departamente, pse nuk ka një përgjegjësi, duhet një qytetari ma aktive dhe një gazetari hulumtuese dhe një presion qytetar që të lëvizin nga kolltukët këta profiter në kurriz te qytetarëve”, u shpreh Beqiri.

Që nga përfundimi i luftës, institucionet e Kosovës në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtarë, kanë bërë përpjekje që të hartojnë strategji të zhvillimit, por që të gjitha kanë dështuar.

Vetëm për hartimin e strategjisë të punuar në vitin 2007, ishin shpenzuar 750 mijë euro. Ndërsa, për tri strategjitë tjera, është raportuar se janë shpenzuar me qindra miliona euro.

Por të investimi në këto strategji nuk ka dhënë rezultate. Rrjedhimisht milionat e shpenzuara për këto strategji kanë shkuar huq, kjo për faktin se të hyrat vjetore mesatare të investimeve të huaja në Kosovë gjatë periudhës 2009-2013 kanë qenë 400 milionë euro, që është shumë e pamjaftueshme për të siguruar rritje të dëshiruar ekonomike, ndërsa gjatë viteve të fundit ka pasur trend të vazhdueshëm të rënies së investimeve të huaja. /tesheshi.com/