728 x 90 Leaderboard

Zgjatje kontrate për Benzemanë te Reali, analistët spanjollë e shohin si gabim të madh

Karim Benzema, sulmuesi kryesor i Realit të Madridit, mësohet se do të ketë një zgjatje kontrate në nisje të verës së këtij viti.

Në shenjë besimi, klubi madrilen kërkon t’ia zgjasë qëndrimin në “Bernabeu” me dy vite të tjera francezit, përpos një rritjeje të pagës.

Kontrata e tij aktuale përfundon në fund të qershorit të 2019-s, e do të zgjatet, sipas së përditshmes spanjolle AS, gjer në vitin 2021 apo 2022. Ky do të jetë rinovimi i dytë për të që prej mbërritjes në Madrid në vitin 2009.

E njëjta gazetë kujton megjithatë se paraqitjet e Benzemasë kanë pësuar rënie, duke dhënë këto shifra: gjatë sezonit aktual, ai ka shënuar 12 herë në 1.756 minuta, që do të thotë një gol në 146.3 minuta, përkundër sezonit të shkuar, kur shënoi 28 gola në 2.597 minuta, që i bie një gol në 92.7 minuta.

Lajmi ka patur jehonë në shtypin sportiv spanjoll. “Eshtë gabim i madh t’i ofrosh Benzemasë një kontratë të re,” është titulli i një analize në AS, të shkruar nga Tomas Roncero.

“Nuk e fsheh faktin se, pavarësisht cilësisë së tij të padiskutueshme, unë e kam humbur prej kohësh besimin te Benzema. Mbase jam ndikuar nga fakti se Karim nuk e ka gjetur kurrë rrjetën në finalet e mëdha…

Gjatë këtyre thuajse tetë viteve, ai i ka dhënë sulmit të ekipit klas dhe elegancë… Por Karimit, që mbush 30 vjeç më 19 dhjetor, i është hequr viza tashmë… Gjithçka vjen në fund të ciklit të tij. Unë e shoh këtë si fundin e epokës së Benzemasë në Madrid. Klubi mund t’ia rinovojë kontratën, po për mua ngjan si një gabim…”

Dy paragrafët janë thelbi i asaj që mendon Tomas Roncero. Si ai mendojnë shumë në Madrid, por, për të cituar përsëri autorin e shkrimit, “në fund, Karim luan gjithmonë…”. /tesheshi.com/

Related posts