728 x 90 Leaderboard

Albin Kurti përballë Enkel Demit: Ju tregoj Zajednicën, ata që e firmosën, dhe vezët tona

“Zajednica po e kthen Kosovën në Federatë”

“Po krijohet Republika Srbska në Kosovë”

“Vezët nuk janë dhunë, Zajdnica është dhunë”

 Një marrëveshje vere ka prishur gjakrat e politikës në Prishtinë. Zajdnica, ose më mirë bashkësia e komunave serbe ka krijuar baza të shëndosha për federalizimin e Kosovës. Megjithëse janë vetëm 6 % serbët po zotërojnë çerekun e territorit të Kosovës dhe kontrollojnë pasuritë më të vyera minerare, ujore dhe turistike të vendit.

Marrëveshja, Zajdnica ka provokuar reagimin e ashpër të Lëvizjes Vetëvendosja, e cila nuk ka ndër mend të mjaftohet me një bikerinë vezësh.

Albin Kurti, themelues i lëvizjes ka folur për ‘Shih Programin’ në Televizionin Publik Shqiptar.

Çfarë është Zajednica?

Zajednica i përdor serbët për më shumë territor dhe jo për më shumë të drejta. Marrëveshja e firmosur mes LDK-PDK dhe pakicës serbe e kishte këtë term: “Zajednica” dhe nuk e kishte shqip “Bashkësia e komunave me shumicë serbe”.

Zajednica për ju është projekt etnik dhe racist thoni ju…

Në Kosovë 92% janë shqiptarë, 6 % janë serbë dhe 2 % të tjerë. Të gjitha komunitetet e kanë nga një yll në flamurin e Kosovës, me simbolikë sipas marrëveshjes së Ahtisarit, ku qytetarët kanë të drejta të barabarta. Mirëpo serbët u ndanë në 10 komuna me shumicë serbe, megjithëse janë vetëm 6%, tani ata i duan këto 10 komuna. Në Kosovë ka 130 mijë serbë, por sipas kësaj ndarje atyre u takon 25% të territorit tonë. Pasi që u ndanë prej Kosovës duke kërkuar decentralizim tashmë këto komuna po kërkojnë që të centralizohen. Këtë po e kërkon në fakt Beogradi. Mustafa dhe Thaçi ia mundësuan. Beogradi po pret që qeveria e Kosovës të bëjë një dekret qeveritar që t’i japë kompetencat në arsim, shendetësi, financë, po presin që këto komuna të  kenë Presidentin e vet, qeverinë e vet, gjyqësorin e vet. Kosova tani do të përbëhet nga Zajednica dhe nga shumica e popullsisë shqiptare.

Nëpërmjet marrëveshjes së Zajednicës edhe një komandati i postës kufitare duhet të jetë vetëm serb?

Po. Kjo është një qasje raciste. Ata nuk do të pranojnë shendetësinë, arsimin dhe qeverisjen e Kosovës. Ata do të kërkojnë një shtet brenda shtetit, që vetë shtetin e nxjerr jashtë loje. Në asociacionin e komunave serbe 25 % e popullsisë nuk do të jenë serbë, por gjithsesi  asociacioni shkruhet në marrëveshje se ka të drejtë të përfaqësojë vetëm interesat e serbëve. Pra, do të ketë dy palë shqiptare dhe dy palë kufinj brenda Kosovës. Do të ketë shqiptarë të degraduar në Zajednicë.

Në Zajednicë ka edhe pasuri natyrore?

Po, absolutisht. Burimi më i madh ujor ndodhet në komunën e Zubin Potogut që do të jetë nën Asociacion. Do të jemi gjithmonë nën mbikqyerjen e tyre tashmë. Liqeni u Ujmanit, pasuria më e madhe ujore e Kosovës mbetet nën humorin e serbëve. Ujrat e Kosovës janë nën sulm. Ata duan të marrin burimet ujore që ne të jemi të varur nga Serbia. Në këto komuna është dhe miniera e Trepçës. Ajo është miniera më me vlerë në Kosovë. Aty tash ka pak punëtorë shqiptarë, rreth 1 mijë, e 2000 janë serbë, por dikur aty kishte 22 mijë punëtorë. Trepça vazhdon të jetë shumë e pasur, shumë më e pasur se borxhet e saj. Ato borxhe janë të Millosheviçit, nuk i krijuan shqiptarët, I gjetëm. Është interesant sesi një numër i madh minierash e burimesh ujore, si dhe pika turistike bien pikërisht në këto komuna. Harta që na serviret sot, është një hartë leopardi. Kjo është hartë gjymtuese.

Me këtë lloj organizimi të ri, a nuk jemi duke shkuar drejt një federalizmi?

Absolutisht po, veç tani kantonet do të ngrihen në bazë komunash që kanë edhe tre mijë banorë, komuna që kanë të njëjtën peshë si Komuna e Prishtinës fjala vjen. A e di që në shëndetësi ata kanë strukturat e veta. Fjala vjen ka një spital në Graçanicë, kur në Prizren apo Prishtinë spitali është rajonal, i shërben një krahine.

A është marrë shembull Republika Srpska, kur është bërë kjo marëveshje?

Po, plotësisht. Por dua të sqaroj diçka më parë. Shqiptarët i karakterizon policentrizmi, ndërsa serbët janë ndryshe, ata kanë kryeqytet vetëm Beogradin. Oliver Ivanoviç po gjykohet sot nga EULEX, por produkti i tij po pranohet. Ndërkohë ne shqiptarët, nuk e kemi pësuar shumë nga gjykatat, por produkti ynë i luftës po gjymtohet. Sot në Kosovë po veprohet si në Bosnjë. Ata po kushtëzojnë njohjen me zaptim. Serbia po kushtëzon pakësimin e lidhjeve me Rusinë me krijimin e këtyre komunave me shumicë serbe, për t’u forcuar në Ballkan. Ndërsa politikanët tanë në këtë rast janë servilë me ndërkombëtarët dhe tiranë me popullin. Kompleksi i inferioritetit tek politikanët tanë i bën që të hyjnë me ambicie të vogla kombëtare në negociata me Serbinë në Bruksel. Serbia na ka shumë borxh, por shantazhet për dosjet e korrupsionit, komplekset e inferioritetit të politikanëve si dhe padija e tyre po dëmtojnë Kosovën.  Ambiciet për vete politikanët shqiptarë i kanë shumë të mëdha në raport me ambiciet për kombin. Kosova dhe Shqipëria duhet të fillojnë ta mendojnë veten si një komb për të qenë përballë Serbisë.

Tirana zyrtare më duket e vakët në raport këtë çështje?

Liderët tanë duhet t’ia lënë çështjen popullit. Nëse do të votonte populli nëpërmjet referendumit në të dy vendet, bashkimi do të ishte i garantuar. Por, vetë politikanët e të dyja krahëve a thua e duan këtë bashkim?!

Ne në Kosovë jemi aleat me SHBA dhe nuk kemi ende ushtri. Edhe kur hyri Shqipëria në NATO hyri më shumë si territor sesa si ushtri. Në shekullin e XXI shteti dhe kombi duhet të jenë shumë të rëndësishme. Fuqia jonë vetiake është e pazëvendësueshme.

Zajednica në Kosovë po kërkohet nga serbët dhe po lejohet nga shqiptarët, po asosacioni i komunave shqiptare në Serbi u krijua apo jo?

Serbia nuk e njeh parimin e reciprocitetit. Kur komunat shqiptare në Serbi kërkuan këtë asociacion, Daçiç deklaroi: “Mos luani me zjarrin! Mos guxoni se Serbia është më e fortë se kurrë.”

Serbët kanë një parim: “Ajo çfarë është e jona është e jona, ajo çfarë është e juaja është e negociueshme”.

Pas disa aksioneve kundër përfaqësuesve të qeverisë, pati dhe vezë në Parlament, tani keni nisur një peticion dhe po lajmëroni demonstrate e protesta të fuqishme. Do ketë dhunë?

Dhunë është Zajednica, nuk janë vezët në Parlamentin e Kosovës. Nuk lënduan kënd vezët. Zajednica është dhunë edhe për fëmijët ende të palindur. Pas 10-15 viteve, kur do të mund të konsolidohet Zajednica, nuk e lëviz dot më nesër as me luftë. Dhunë është firmosja brenda natës e marrëveshjes me Vuçiçin, dhunë është mënyra sesi qeveria do ta kalojë këtë marrëveshje pa e çuar në Kuvend. Në një shtet si Kosova ku nuk ka demokraci, nuk ka rrugë tjetër veçse aksioni qytetar. Deri më tani kanë nënshkruar mbi 100 mijë qytetarë. Ne kur kemi hyrë në Parlament nuk kemi hyrë që ta lëmë protestën jashtë. /tesheshi.com/

 

Related posts