Nga Ermir Hoxha
Kosova sot ka një parti të quajtur Nisma – ajo e themeluar dhe e drejtuar nga Fatmir Limaj – por vite më parë, Nisma (e Re), ka qenë dhe një lëvizje gjysëmpolitike dhe gjysëmintelektuale në Shqipëri, e cila pati shumë pak javë jetë; ose më saktë nuk pati jetë fare. Ajo mbeti thjesht një shkëndijim mendimi, një ide e cila nuk mundi të gjejë dot terren. Bëhet fjalë për një lëvizje të themeluar muaj pas zgjedhjeve të 22 marsit dhe hipjes në pushtet të PD-së dhe që kishte për kokë Fatos Lubonjën. Ky i fundit, siç shpjegon vite më parë, u nis nga ideja për të krijuar një frymë nën emërtimin Nisma e Re, e cila do përfshinte në gjirin e saj individë nga partitë politike me premisa intelektuale, të cilët më pas do diktonin tjetër frymë në partitë respektive.
Ja si shprehej Lubonja në në një intervistë duke tentuar që të shpjegojë se ç’përfaqson Nisma e Re. “Nisma në vetvete është mjaft e gjërë për të ofruar një opcion politik të vetëm. Të frymëzuar nga ajo, zotërinjtë Hajdari, Ngjela apo Meçe, që janë politikanë, mund t’u propozojnë partive të tyre opcione politike, që do ta ruajnë identitetin e partisë, por që njëkohësisht do të kenë dhe ngjyrimin e Nismës.”
Por Nisma e Re e Lubonjës at’botë ka hasur në dyshimet dhe paragjykimet tipike shqiptare. Ai shpjegon përballjen me to:
“Nga simpatizantët e Aleancës më është bërë vërejtja se Nisma i shërben lojës së Berishës i cili don tani të realizojë, nëpërmjet Hajdarit, që është miku i tij, atë që se bëri me ish-miqtë e tij të djeshëm më të cilët është armiqësuar…”
“Një simpatizant i Legalitetit, miku im i burgut, më ka bërë vërejtjen se Nisma në thelb mbron privilegjet e ish-komunistëve, sepse pjesa më e madhe e nismëtarëve të saj janë bij komunistësh…”
“Një soçialist më tha se strategjia e Nismës është që të nxjerrë jashtë loje Partinë Socialiste, çka është e pamundur, sepse pa Partinë Socialiste nuk mund të zgjidhen problemet e shqiptarëve…”
“Një intelektual i pavarur me tha: pse Azem Hajdari do t’i bashkojë intelekualët shqiptarë, nuk ka Shqipëria intelektualë më të aftë se ai?…”
Ndërkohë, Nisma e Re Lubonjës arriti të hartojë dhe një deklaratë e cila nuk u botua asnjëherë. Dhe sipas Lubonjës, ajo shënoi dhe fundin e kësaj lëvizjeje.
Deklarata:
Ngjarjet e ditëve të fundit tregojnë se klima politike në Shqipëri është më e mbarsur se kurrë me polarizim dhe urrejtje të shqiptarëve ndaj shqiptarëve dhe për këdo është e qartë se nga kjo klimë nuk mund të rrjedhë veçse bjerrja e shpirtit ndërtues dhe paqedashës dhe rritja e shpirtit shkatërrues dhe luftënxitës – çka do të sillte pasoja të pariparueshme për vendin.
Të gjithë atdhedashësit e ndjejnë sot për detyrë që të frenojnë polarizimin e shoqërisë dhe ashpërsimin e klimës politike dhe për këtë mendojmë se duhet filluar me përpjekjet për të kuptuar shkaqet e këtij fenomeni.
Nisma mendon se shkaktar për këtë gjendje ëshët tendenca në rritje e pushtetarëve për të qeverisur jashtë frymës së ligjit, çka shfaqet kryesisht nëpërmet agresivitetit dhe arbitraritetit në rritje ndaj opozitës, dhe, nga reagimi i opozitës ndaj këtij agresiviteti nëpërmjet ushqimit të frymës së konfrontimit.
Cili është shkaku i agresivitetit të pushtetit?
Tashmë është mëse evidente që ky agresivitet buron nga fakti se pushtetarët, të vetëdijshëm se nuk gëzojnë më mbështetjen mbarëpopullore që gëzonin atëherë kur populli i dha mëse 60 përqind të votave, synojnë zëvëndësimin e autoritetit që u dha legjitimitetit me arbitraritetin dhe dhunën që u jep pushtetit. Nisma mendon se shkaku kryesor për humbjen e kësaj mbështetjeje qëndron tek largimi i PD nga programi që i dha votat më 22 mars….
Nisma e Re , si një lëvizje e frymëzuar nga fryma demokratike liridashëse e dhjetorit ’90, si një lëvizje që ka na bëzën e saj synimin për bashkëjetesën e shqiptarëve në harmoni dhe siguri nëpërmjet përhapjes së frymës së tolerancës dhe bashkëpunimit, si dhe zhvillimin sa më të shpejtë të vendit nëpërmjet zbutjes së klimës politike, mendon se shmangja e kësaj alternative tragjike nuk është e pamundur.
Disa nga propozimet që ajo mund të hedhë janë këto:
- Shpallja e fraksioneve brenda PD dhe PS në mënyrë që grupet e tyre të moderuara dhe ekstremiste të dalin hapur me strukturën dhe fizionominë e tyre dhe parlamenti shqiptar të pasqyrojë kështu më realisht interesat e shtresave të ndryshme të popullit.
- Gjithë po në funksion të një pasqyrimi më real të shtresave politiko-shoqërore në parlament, pra edhe të një ekuilibri shoqëor, Presidenti të shpërndajë parlamentin dhe ta çojë vendin në zgjedhje të reja.
- Krijimi i një aleancë të partive të qendrës si Aleanca Demokratike, PSD dhe parti të tjera të cilët t’u bëjnë thirrje anëtarëve të moderuar të PD dhe të PS si dhe intelektualëve të pavarur për një Front të ri Demokratik.
- Ndjekjen e shembullit polak, krijimin e një qeverië teknikësh të pavarur mbi partitë.
Ishin kjo pra një pjesë e të vetmes deklaratë të Nismës së Lubonjës, e cila pra, siç kuptohet, u krijua pas goditjes së parë zhgënjyese të shkaktuar nga PD muaj pas kishte marrë pushtetin, në vitin 1992. Pak vite më vonë, Lubonja do themelonte dhe Forumin për Demokraci, së bashku me Daud Gumenin dhe Petrit Kalakulën, e ndodhur kjo pas zgjedhjeve të 26 majit 1996, e cila po ashtu pati pak muaj jetë, edhe pse u bë promotore një fryme të fortë opozitare ndaj Berishës, ku u mpleks edhe kriza e shkaktuar nga rënia e skemave piramidale. /tesheshi.com/