Pak ditë para zgjedhjeve për kreun e ri të Komunitetit Musliman Shqiptar, nga burime konfidenciale brenda këtij institucioni mësohet se kreu aktual Skënder Bruçaj nuk do kandidojë sërish për një mandat tjetër.
Edhe pse për momentin ai është një prej tre kandidatëve në garë, së bashku me Myftiun e Tiranës Ylli Gura dhe Gëzim Abdishahun, një klerik i njohur nga zona e Kavajës me impakt në jetën komunitare muslimane, burime brenda KMSH-së thonë se Bruçaj mund ose do ketë një tërheqje në momentet e fundit, për t’ia lënë vendin si kandidat një tjetër emri brenda institucionit.
Kujtojmë se zgjedhjet në KMSH provokojnë gjithnjë një interes publik e mediatik, për vetë pozitën e këtij institucioni në raport me zhvillimet brendakomunitare e jashtë tyre, të cilat ndodh të reflektojnë dhe kontekste politike e gjeopolitike veç atyre fetare.
Që nga rithemelimi në vitin 1991 e deri më sot, KMSH është drejtuar nga tre emra: Sabri Koçi, Selim Muça dhe Skënder Bruçaj.
Ky i fundit qe risia e kalimit nga një drejtues i moshës së tretë, te një në moshë më “rinore”. /tesheshi.com/