Nga Shkëlzen Rrecaj
Sot, “Hotel Grandi” në Prishtinë nuk është më ai që ka qenë, një lloj “pasaporte krenarie” e kryeqytetit kosovar. Kohët që erdhën bën të vetën. Grandioziteti i saj nuk e ka më atë shkëlqimin e dikurshëm. Gjiganti i hotelerisë së Kosovës numëronte hiç më pak se 500 punëtorë, në krahasim me ditët e sotme në të cilin punojnë fare pak sosh.
Në këtë gjendje, Grand-i ka ardhur kryesisht nga mungesa e investimeve në hotel dhe nga aferat të cilat ndodhën vite më parë gjatë përpjekjes së privatizimit.
Ata të cilët e kanë sjellë ‘Grandin’ në këtë gjendje janë faktori politik dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit, që është përgjegjëse për dështimin e privatizimit të këtij hoteli.
Thuhet se në këtë hotel kanë ardhur shumë personalitete të ndryshme të asaj kohe, ndërsa veçohet vizita e presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë, Josip Broz Tito.
Për të folur për famën që e ka patur dikur hotel Grandi, portali ‘tesheshi.com’ intervistoi ish-drejtorin Zekë Çeku, i cili na rrëfeu për të kaluarën, problemet dhe idetë për rivitalizimin e këtij hoteli.
Sipas tij, “Grandi” ka qenë me shumë sesa një hotel, pasi që në të janë mbajtur qoftë takimet e biznesit, qoftë konferenca në nivel të ish-Jugosllavisë dhe ndërkombëtare, rajonale, seminare dhe aktivitete të ndryshme nga më të rëndësishmet në vend.
Çeku, për fillim, çfarë kujtoni nga veprimtaria e lavdishme e hotelit Grand?
Hotel Grandi është hapur për herë të parë në vitin 1978 dhe për kohën ka qenë një ndër objektet më të njohura. Është përgatitur dhe është hapur si hotel me pesë yje për herë të parë në Kosovë, bile ka qenë një prej hoteleve më të mira në rajon krahasuar edhe hotelet në pjesën jugore të Serbisë, Maqedonisë, etj. Në atë kohë kuadrin e ka pasur të përgatitur mirë të cilët janë përgatitur në shkollat e hotelerisë dhe turizmit në Beograd, në Universitetin e Dubrovnikut, Ohër, etj.
Hotel Grandi ka qenë me shumë sesa një hotel. Ai ka qenë një institucion ku çdo lëvizje qoftë e biznesit, qoftë delegacioneve të nivelit të ish-Jugosllavisë apo niveleve ndërkombëtare apo rajonale e kanë patur pikëtakim Grandi-n. Aty po ashtu janë mbajtur seminare, konferenca të ndryshme dhe aktivitete të rëndësishme politike, shoqërore, etj.
Në atë kohë Grandi ka funksionar në mënyrë perfekte pasi që ka pasur të gjitha strukturat dhe të gjitha mundësitë.
Mysafirët kanë qenë të llojllojshëm nga të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë, të cilët i ka lidhur bashkëpunimi ndërshtetëror në mes republikave dhe krahinës së Kosovës, normalisht që në atë kohë sipas kushtetutës se vitit 74-të Kosova i ka pasur institucionet e veta. Me Kushtetutën e 1974-tës Kosova ka qenë e barabartë me të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë.
Në hotelin Grand kanë ardhur të gjitha strukturat politike të ish- Jugosllavisë, por edhe nga vendet e tjera. Normalisht në atë kohë nuk ka pasur shumë hotele. Ka ekzistuar ish-hoteli ‘Bozhur’ (pas luftës u emërtua ‘Iliria” – tani Swiss Diamond) dhe hoteli Grand. Të gjitha organizimet kryesore në nivel të Kosovës janë mbajtur në Grand, të gjitha kongreset partiake qoftë të institucioneve vendore, të Republikës së Serbisë ose të ish- Jugosllavisë janë mbajtur në Hotel Grand. Prandaj, kuptohet që në atë kohë ju kemi shërbyer të gjitha strukturave dhe për ne kanë qenë të gjithë të njëjtë. Në atë kohë janë mbajtur dasma, matura, absolventiada nga të gjitha trevat e Kosovës. Në atë kohë kanë ardhur edhe ekipe të futbollit, basketbollit, boksit që kanë bërë gara në elitën sportive jugosllave. Grandi ka qenë me shumë sesa një hotel, thjesht ka qenë një institucion.
Kush prej personaliteteve të kohës kanë qëndruar në Hotel Grand?
Në periudhën time sa unë kam qenë drejtor, prej fillimit të vitit 1985 deri në prill të viti 1988, nuk mbaj mend personalitete të rëndësishme përveç funksionarëve më të lartë kosovarë. Gjithsesi, në atë kohë kanë ardhur edhe udhëheqës nga Sllovenia, Kroacia, Serbia, Maqedonia edhe delegacione të ndryshme nga bota e jashtme. Përmendet se aty ka qëndruar dy herë presidenti Josip Broz Tito, por në kohën para se unë ta menaxhoja Grandi-n.
Çfarë ishte për ju t’u shërbeje këtyre personaliteteve?
Profesionistët nuk bëjnë dallime në personalitete. Ne kemi qenë biznes ekonomik edhe në atë kohë edhe pas lufte për ne mysafirët kanë qenë të barabartë, normalisht ai që ka paguar me shumë ka patur një trajtim më të kujdesshëm, sepse edhe shërbimet ofrohen konform edhe pagesave që bëhen. Kuptohet për nivelet më të larta që organizohen darka solemne është normale të kërkohet një nivel më i lartë i shërbimit dhe për këtë kemi zgjedhur shefat më të mirë që i kishim, shërbyesit më të mirë janë shërbyer ushqimet më të mira, etj. Edhe në atë kohë përveç menysë ndërkombëtare kemi promovuar edhe ushqimet tradicionale shqiptare. Kur kanë ardhur delegacionet e ndryshme u kemi ofruar ushqimet tradicionale shqiptare.
Sa dallon puna në atë kohë me kohën e tashme?
Nuk mund të bëjë një krahasim me tani. Unë nga Grand-i jam larguar në vitin 2006, kur ka përfunduar privatizimi pasi që erdhi investitori që bleu Grandi-n. Prej asaj kohe në Grand kam qenë vetëm si mysafir dhe nuk e di se si ka shkuar puna. Me aq sa di, tani ka fare pak aktivitet ekonomik. Hoteli Grand është degraduar jashtëzakonisht shumë. Mirëpo nëse mund të krahasojmë aktivitetin para dhe pas luftë, atëherë mund të them se kemi zbatuar të njëjtën politikë, të njëjtat kuadra kemi qenë, përafërsisht patëm pranuar rreth 480 punëtorë të rinj në kuadër të kompanisë Kosova ku ka qenë edhe Grand-i. Kryesisht në Grand janë organizuar trajnime, ne kemi pasur njerëz të posaçëm që janë marrë me trajnime. Të gjithë nxënësit nga shkollat e hotelerisë edhe në vitet e 80-ta si dhe pas luftës i kemi marrë në trajnim. Prandaj Grand-i ka qenë një shkollë e madhe e kuadrit për hoteleri dhe turizëm.
Sa i përket organizimit të punës në aspektin operacional dhe profesional, puna është bërë me kujdes të madh, me mjeshtra dhe kuadër të trajnuar. Prej 480 punëtorëve që kemi pranuar pas luftës, ndoshta shumica e tyre nuk vinin prej shkollave profesionale, mirëpo që të gjithë kanë kaluar përmes procesit të trajnimeve edhe praktikës që ka zgjatur prej nëntë deri në dymbëdhjetë muaj.
Çka mund të veçoni për lexuesit tanë prej kohës kur ju keni qenë drejtor?
Unë jam entuziast për punën time. Këtij profesioni ia kam kushtuar tërë jetën. Viteve të 80-ta situata ka qenë pak më ndryshe dhe me më pak probleme. Në Grand kanë ardhur klientë që i shquante sjellja e mirë, vetëkontrolli, etj. Në njëfarë mënyre ka pasur më disiplinë, ligjet kanë qenë më të ashpra në atë kohë dhe menaxhmenti ka pasur me shumë kompetenca.
Do të veçoja kohën kur kemi hyrë pas lufte, pasi që gjatë viteve të 80-ta nuk ka ndonjë gjë që do të mund ta veçoja, ngase puna është kryer konform ligjeve të atëhershme në mënyrë profesionale. Pas përfundimit të luftës ka qenë interesante se ne kur kemi hyrë në Grand, kemi hyrë në mënyrë të organizuar me përkrahjen e KFOR-it anglez. Në atë kohë ka qenë kolonel Nili që ka qenë përgjegjës për ekonomi edhe ne në biseda me KFOR-in anglez, ata mezi kanë pritur që ne të ktheheshim. Unë edhe ashtu kam qenë drejtor legjitim në bazë të dokumentacionit të këshillit të punëtorëve.
Ne kemi pasur dy herë nga gjashtë muaj në bordin tonë nga një oficer anglez të cilët kanë përcjellur punën tonë, sepse Grand-i ka qenë prej objekteve mjaft interesant në aspektin e sigurisë, për arsye se ka qenë i vetmi objekt ku janë vendosur të gjitha organizatat ndërkombëtare. KFOR-i na ka ndihmuar me logjistikë pasi që në Grand nuk kemi gjetur asgjë, ngase të gjithën e kishin marrë serbët. Ne jemi organizuar mirë meqenëse kemi qenë profesionistë. Shumë shpejt kemi krijuar strukturat menaxhuese, atë të kontabilitetit, të mirëmbajtjes teknike, shërbyesit, kuzhinierët dhe të gjithë jemi organizuar para se të hyjmë në objekt. Nuk kemi pasur para që as artikuj ushqimor t’i blejmë. Kemi marrë borxh ku kemi mundur.
Avantazhi ishte se kishim shumë mysafirë dhe kështu e morëm shpejt veten. Ne jemi organizata e parë në Kosovë që i kemi paguar tatimet. Grandi ka qenë shembull për organizim. Kemi qenë ekonomikisht të fortë pasi që kemi arritur t’u ndihmojmë shumë organizatave të ndryshme në Kosovë. Koha më e vështirë ka qenë kur është folur për privatizimin e Grandi-t dhe mënyra e privatizimit ka qenë e disfavorshme. Ne kemi kontaktuar edhe sllovenët për të sjellur një model të privatizimit këtu tek ne që ka qenë modeli më i mirë në kushtet dhe rrethanat politike dhe i cili do të jepte rezultate fenomenale ashtu siç ka dhënë në Slloveni. Fatkeqësisht, këtu u zgjodh modeli i spin off-it gjë që bëri të mundur që Grandi-n ta marrin njerëz që nuk kishin mjete dhe kështu objekti është në gjendje çfarë është tani.
Si ka qenë përshtypja e të huajve ndaj ofertës dhe shërbimit të këtij hoteli?
Në vitet e 80-ta Grand-i ka qenë një ndër hotelet me të mira në ish- Jugosllavi. Grand-i është zgjedhur prej pesë hoteleve më të mira në ish- Jugosllavi në vitet 86, 87 dhe 88-të.
Mysafirët në atë kohë kanë qenë shumë të kënaqur. Ne kemi pasur salla të ndryshme, kemi pasur restorantin kryesor ku janë mbajtur banketet, sallën e konferencave, disko barin, restorantin ekskluziv në katin e 13-të. Gjatë kohës sa kam shërbyer si drejtor, Grand-i ka punuar 24 orë në ditë. Edhe mysafirët e huaj edhe ata vendorë kanë qenë shumë të kënaqur me shërbimet që u kemi ofruar. Ne jemi furnizuar prej burimeve të sigurta, kemi pasur ekspertë që janë marrë më kontrollet dhe sigurinë e ushqimit dhe shumë aspekte të tjera të cilat neve na kanë bërë lider në këtë aktivitet shërbyes.
A ka pasur më shumë vizitorë të huaj apo vendor?
Viteve të 80-ta diku 70-75% kanë qenë vendor d.m.th në atë kohë vendorë janë quajtur mysafirë nga të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë. Edhe slloveni edhe kroati janë quajtur vendor pasi kemi qenë një shtet. Nga Kosova për buajtje nuk ka pasur shumë vizitorë, por organizimi i ahengjeve kanë qenë më shumë nga Kosova. Në qoftë se themi kosovar në atë kohë kanë qenë diku rreth 40% kanë qenë kosovarë, rreth 30% nga republikat e Jugosllavisë, kurse të tjerët nga vendet e Perëndimit. Ndërsa pas luftës, për ta kaluar natën 95-98% kanë qenë të huaj, bile në Grand kanë qenë të stacionuara të gjitha zyrat diplomatike që më vonë janë bërë ambasada, për arsye të sigurisë së madhe që ofronte hoteli.
Ai mungon kryeqytetit Hotel Grand?
Absolutisht po. Çdo respekt z. Pacolli që e ka rregulluar bukur hotelin ish- Iliria, tani Sëiss Diamond që është një hotel reprezentativ, që ka një staf profesional, shërbime profesionale me një kulturë të theksuar turistike. Mirëpo, me Grandi-n në ish-Jugosllavi të gjithë janë mburrur dhe jo vetëm prishtinasit, por e gjithë Kosova.
Hoteli Grand-in e kanë konsideruar si oda e Kosovës, ka qenë si institucion jo vetëm si hotel, çdo gjë ka qenë e lidhur të Grand-i, rreth Grand-it, para Grandi-t, afër Grandi-t. Edhe sot qytetarët e Prishtinës, por edhe ne që jemi pak më të vjetër e që e kemi shijuar Grand-in, janë të lidhur shpirtnisht me Grand-in dhe normalisht na mungon shumë. Mirëpo, i mungon gjithsesi Prishtinës dhe tërë Kosovës. Një objekt i tillë gjithmonë ka qenë simbol i qytetërimit dhe i ekonomisë së Kosovës.
Ku qëndron problemi që ka vite që nuk zgjidhet problemi i rivitalizimit të objekti me nam ndërkombëtar?
Nuk jam kompetent që të flas për këtë problematikë, sepse që nga privatizimi nuk jam në rrjedha fare. Problemi filloi me privatiziminm, d.m.th ka pasur probleme me ekipin e atyre që e kanë privatizuar Grand-in. Kanë filluar disa probleme në mes tyre, sa që janë proceduar lëndë gjyqësore në këtë proces. Investitori në Kosovë konform ligjit ka pasur obligime për një kohë të caktuar ta bëjë renovimin e Grand-it edhe normalisht ka dhënë premtime që do t’i punësoj mbi 500 punëtorë, ç’gjë që ka qenë e paarritshme për të, pasi që Grand-i nuk ka nevojë për më shumë se 300 punëtorë. Në kohën më të mirë ne kemi pasur 320 punëtorë.
Për shkak të një privatizimi të dështuar që prapa tij mund të qëndrojnë edhe manipulimet të ndryshme, unë nuk jam kompetent të flas, por gjithsesi po të ishte bërë privatizimi si duhet, nuk do të vinte te dështimi ashtu siç nuk dështoi Swiss Diamond. Tani, Grand-i është në administrim të AKP-së. Është mirë që po ruhet Grand-i si strukturë, si ekspert i kësaj fushe edhe si një njeri që më ka mbetur shpirti në Grand, dëshiroj që sa më shpejt të gjendet një rrugë ligjore dhe serioze ashtu që të bëhet përzgjedhja e investitorëve dhe të vije deri te funksionalizimi i tij. E lus Zotin, por kërkoj edhe nga njerëzit që kjo të bëhet në mënyrën më të favorshme që Grand-it të bie në duar të merituara, të biznesmenëve që e meritojnë, qofshin ata vendas apo ndërkombëtarë.
A mund ta kthejë ky hotel shkëlqimin që e ka patur në të kaluarën apo kërkohen investime të mëdha sa që nuk ia vlen?
Ne para privatizimit e kemi bërë një fizibilitet me ekspertë nga Austria dhe Sllovenia. Kemi ardhur në përfundim se duhet investuar diku rreth njëzet milionë euro që Grand-i të kthehet në një kategori, një pjesë me pesë yje dhe pjesa tjetër me katër. Problemi qëndron se Grand-i kur është ndërtuar është përgatitur sipas standarteve të asaj kohe. Ndërsa tani standardet kanë ndërruar. Asokohe dhoma ka qenë më e madhe, lartësia e tavanit duhet të jetë më e madhe, pra kriteret kanë ndryshuar. Kështu që konsideroj se në aspektin teknik dhe arkitektonik, Grand-i duhet t’i nënshtrohet një ristrukturimi të dhomave dhe gjithë infrastrukturës.
Praktikisht kërkohet një investim goxha i madh. Ndoshta më llogari do të kishte të ndërtohet nga fillimi sesa të riparohet. Megjithatë jam i mendimit që Grand-i të mos rrënohet, pasi që ka strukturën më të qëndrueshme në Kosovë, pasi që është ndërtuar për nivelet më të larta sizmike që t’u bëjë ballë tronditjeve dhe dridhjeve të mëdha të tokës. Prandaj investimet në Grand e kalojnë tridhjetë milionëshin. Po ashtu janë bërë dëmtime gjatë kohës sa e ka patur në dorë investitori privat i cili kishe po bëjë diçka, nuk ka bërë asgjë. Pa dyshim që Grand-it duhet t’i kthehet fama e dikurshme, sepse ka lokacionin, e në hoteleri gjëja më e rëndësishme është lokacioni. /tesheshi.com/