“Hetuesit dhe gjykatësit e komunizmit duhen larguar nga jeta publike”
“Një i burgosur i kushton shtetit 800 euro në muaj, aq sa një gjyqtar i Gjykatës së Lartë”
“Nuk i ndryshoj deklaratat e mëparshme për Edi Ramën”
“Nuk kam ardhur të shkarkoj Prokurorin, por të punoj”
“Gjykata liron vrasës, se dosjet e hetimit janë copë-copë”
“Duhet dorëzuar pushtet për të bërë shtet”
Mes 100 gjërave që Ylli Manjani duket se e ka me ngut t’i bëjë si ministër Drejtësie, një gjë nuk do ta ndryshojë: deklaratat ndaj shefit të qeverisë.
Në një intervistë për Enkel Demin në “Shih programin”, në TVSH, Manjani, vë gishtin në plagët që më së shumti i dhëmbin sistemit të drejtësisë e politikës shqiptare.
Sipas tij, humbja e sensit të hetimit është parathënia e keqe e sistemit të drejtësisë.
Në këtë bisedë Manjani flet dhe për Presidentin dhe rolin në KLD, reformën e pritshme, kryeprokurorin dhe hetimet në hipoteka e burgje.
Duhet të ndihem këmbëmbarë për ty, se të prisja në studio për të tjera çështje pak kohë më parë, por sot po më vjen si ministër. Urime! Kishit një mbledhje apo jo, në LSI?
Po, u miratua çka ishte propozuar në mbledhjen e kryesisë, një plan për transparencën, për t’iu përgjigjur klimës, ftesës dhe nevojës për të pastruar politikën.
Meta sot thoshte se LSI-së po tentojnë t’i faturojnë gjëra jo të mira. A paragjykohet LSI?
Kjo është një fakt, që nuk ka përse të merret si pezhorative. LSI është rritur edhe për shkak të kësaj klime paragjykuese, sulmuese apo anti-LSI.
A bën LSI xheloze Partinë Socialiste?
Ju doni ta shikoni kështu, kështu e lëmë. Ne nuk kemi asnjë gjykim apo paragjykim. Sa herë ka patur sulme mediatike kanë qenë të stisura e të organizuara, duke parë ndoshta trendin rritës të LSI-së. Xhelozët janë përherë njësoj.
Fjala më në modë është reforma në drejtësi, por pak njohim detajet. Tre gjërat kryesore të saj cilat janë?
Për momentin ka vetëm një projekt-ligj që është propozuar nga një grup ekspertësh për të ndryshuar Kushtetutën. Ky është çelësi për të hyrë në derën e reformës. Pastaj është një skemë shumë e madhe që do të ndryshojë, lëvizë, përmbyset. Tre gjëra: një sistem i drejtësisë që të kufizojë pushtetin politik. Duhet të dorëzohet pushtet për të bërë shtet. Ky duhet të jetë synim kryesor. Në 100-vjetorin e dytë qytetarët duhet të kenë më shumë shtet, dhe shtet është gjykata, vendi ku para ligjit rrihet gatitu dhe në mënyrë të barabartë. E dyta, duhet sistem gjyqësor që t’i shërbejë njerëzve shpejt dhe me efiçencë. Aktualisht sistemi gjyqësor nuk besohet, ndaj duhet ndryshuar. E treta, na duhet sistem i pakorruptuar.
Roli i kreut të shtetit në këtë reformë është larg piramidës së drejtësisë?
Ky rol është çështje pikëpamjesh. Duhet theksuar se asnjë reformë nuk është e suksesshme nëse niset drejt personave e jo institucioneve. Nuk bëhen reformat me mllefet e ditës. Kreu i shtetit ka rol të pamohueshëm në drejtimin e shtetit, unitetin e popullit, në kompozimin e sistemit të drejtësisë. Ka një gjë: ndryshimet kushtetuese janë të rëndësishme, sepse pa këto nuk ka reformë në drejtësi. Po nuk u bënë këto ndryshime nuk mund ta marrim as ftesën për të çelur negociatat për t’u anëtarësuar në BE. Kjo reformë duhet bërë, përmbajtja duhet parë. Diskutimi vazhdon paralelisht si në Komisionin e Venecias, ashtu dhe me diskutimet në Kuvend.
KLD a duhet reformuar krejtësisht?
Është një propozim që të ndryshojë dhe në formulë dhe në përbërje. Si ministër nuk mund të jap një opinion më shumë sesa kaq. Ka dhe formula të tjera, por unë nuk jam përkrahës i madh i kësaj pikëpamje. Por kjo është vetëm 1/10 e reformës në drejtësi. Ne jemi marrë shumë në këto 25 vite me çështjen “kush emëroi kë”. Koha ka treguar se pavarësisht se kush të emëron, shpesh nuk i tregohet besnikëri ashtu siç pritet. Pavarësia ka një tjetër standard sjelljeje. Çfarë pret opinioni prej nesh? Një gjykatë antikorrupsion, kjo duke vendosur një standard precedenti. Duhet unifikuar e gjithë praktika gjyqësore, sepse qytetarët janë njësoj. Ligjet duhen bërë njësoj për të gjithë dhe të jenë të thjeshtë. Ka ligje që janë të vështira për t’u interpretuar edhe nga vetë juristët. Fjala vjen, ligji i konfliktit të interesit është shumë i paqartë edhe për komunitetin e juristëve. Në këtë pikëpamje duhet të thjeshtojmë ligjet.
Duhen paguar gjyqtarët dhe prokurorët. Rrogat e tyre janë qesharake. Një i burgosur i kushton shtetit 800 euro në muaj, aq sa një gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
Pos kësaj, duhet të fokusohemi në gjëra që i prekin direkt njerëzit. Gjyqet tek ne janë telenovela. Ato duhet të fillojnë dhe mbarojnë pa zvarritje, ndaj kjo duhet ndryshuar me ligj. Edhe në punë njerëzit duhen marrë sipas ligjit, qofshin këta gjyqtarë apo prokurorë. Përformacën e sjelljen në punë duhet ta përcaktojë ligji, jo një këshill qoftë ai etik apo KLD-ja.
Reforma ka oponencë politike apo kundërshtarë politikë?
Reforma ka debatues shumë të fortë, ka debate shumë të mira që duhen dëgjuar.
Cilët janë armiqtë e reformës në Drejtësi?
Nuk di të ketë ndonjë të tillë. Të paktën në nivelin e përfaqësimit në politikë, nuk di të ketë.
Atëherë përse politika diskuton sesi do të kalohet me konsensus apo referendum?
E para kjo shumicë nuk i ka 2/3 e votave për ta miratuar vetë. Po flasim për shtetin, për atë që thashë se duhet hequr dorë nga pushteti për shtetin. Partitë politike duhet të ndërtojnë një skemë të qëndrueshme. Janë bërë reforma pafund në mënyrë të njëanshme. Në 1992 kemi bërë një spastrim të administratës gjyqësore për të dekomunistizuar trupën gjyqësore. Në 1998 kemi bërë një kushtetutë pa opozitën. Një kushtetutë që iu ndryshua më pas tre herë ndryshimeve. Në 1999 kemi testuar prapë gjyqtarët. Pra, po kërkojmë sërish t’i testojmë për herë të tretë gjyqtarët duke ndryshuar Kushtetutën. Sa herë kemi menduar në mënyrë të njëanshme nuk kemi patur rezultat të qëndrueshëm.
A ka një klan politik që e ka zënë pushtetin e drejtësisë?
Unë e mendoj dhe e kam shkruar, që në 100 vitet e shkuara ne njohim modelin e shtetit politik, ku pushteti ka më shumë rol se shteti, por unë nuk shquaj dot një klan apo një grup që ka zënë drejtesinë. Nëse gjejmë një formulë që të ikim nga ky model dhe lëmë të funksionojë gjykata e drejtësia në mënyrë të pavaruar, mbi pushtetin, atëherë jemi në rrugën e mbarë për ngritjen e një sistemi të mirë.
Taulant Balla para dy javësh ka deklaruar në këtë studio se Berisha është armiku i reformës, kurse PD thotë se sistemi do të kontrollohet nga Fatmir Xhafa. Keni një koment?
Berisha ka merita dhe gjynahet e veta si çdokush. Unë mendoj se përpara me Berishën, PS ka bërë amendimet kushtetuese, ndaj kjo është retorikë e kotë. Tani është momenti për të treguar se kush do të bëjë shtet. Kjo është një reformë që sapo ka nisur.
Po për Xhafën a keni një koment, për çfarë thotë opozita për të?
Problemi nuk janë individët, sepse ata largohen shumë lehtë nga detyra. Xhafaj është kreu i komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi. Nën drejtimin e tij është bërë një punë kolosale. Nuk është gjë e thjeshtë për një jurist që është në politikë e të tërhiqet pa thënë mendimin e tij, siç bëri Xhafaj. Problemi është se të gjithë jemi të detyruar që të zbatojmë staturën e detyrave që bëjmë. Nuk e ka fajin detyra, por klima e përgjithshme në paragjykimin e ushtrimit të një funksioni. Ka një lajm të mirë sidoqoftë. Ekspertiza e PD-së ka bërë një punë kolosale. Ajo që ka bërë selia blu është kontribut që duhet marrë në konsideratë, sepse ka burime të jashtëzakonshme njerëzore që kanë drejtuar këtë vend. Reforma në drejtësi është një ushtrim që duhet ta bëjmë vetë, për të arritur vendimmarrjen më të mirë të mundshme për vendin tonë.
A keni një koment për konsideratat e ambasadorit Lu?
Është një gjë shumë e mirë që sot partnerët të jenë kaq të drejtpërdrejtë dhe kaq të pranishëm në jetën tonë.
Përse nuk ndiqet penalisht një gjykatës që liron një vrasës?
Një gjykatës paguhet të dënojë ose të lirojë dikë nga burgu. Nuk do të bëj avokatin e askujt, por që në momentin që policia njofton se u arrestua X dhe Y që ka vrarë apo plagosur, ne sapo e kemi dënuar një person. Heqja dorë nga prezumimi i pafajësisë ka sjellë një reaksion zinxhir shkeljesh. Kjo transferohet nga polici, tek oficeri gjyqësor, nga ai tek prokurori, nga prokurori tek gjyqtari. Unë do te loboj fort për hetimin, sepse dosjet hetimore janë në kolaps. Dosjet hetimore janë bosh. Shkatërrohen provat që në vendngjarje dhe shumë shpesh i kthehen kundër pastaj gjyqtarëve. Unë e di shumë mirë, siç e dini edhe ju se ka gjyqtarë të korruptuar, por e di pse ndodhin këto më së shumti, sepse kemi dosje të kompromentuara. Kjo ka krijuar një sistem alibish që duhet t’i luftojmë. Vrasja duhet provuar, por nëse nuk ke prova, nuk mund të bësh asgjë.
Ambasadori amerikan ka folur me emra konkretë, njëri prej tyre ishte Mjacaj, që u lirua dhe bëri një krim akoma më të madh. A ka përgjegjësi ky gjykatësi që e ka liruar?
Unë sot kam firmosur një konkluzion ekspertimi për dy trupa gjyqësore për këtë çështje që ju flisni. Por, jam i bindur thellë se nuk i duhet rënë në qafë askujt kot.
Por, nga ana tjetër ministri i Brendshëm deklaron se policia po riarreston ata që liron gjykata….
Po edhe kjo është e vërtetë. Topi është mes nesh, dhe mirë është që të mos luajmë top mes nesh. Gjithçka vjen nga standardi i hetimit nga fillimi deri në fund. Çelësi i vetëm është që duhet të rrisim aftësinë provuese të prokurorit. Duhet të mbushim dosjen me prova që të mos ketë më gjyqtar nga të lëvizë. Këtu kemi dështuar deri tani.
A është Prokurori i përgjithshëm në syrin e ciklonit?
Unë nuk e di nëse është, por në tërësi kemi patur disa risi në sjelljen e prokurorëve. Për herë të parë kanë shkuar politikanë në gjyq. Është meritë e prokurorëve hapja e shumë dosjeve, mbetem pozitivist në gjykimin e tyre. Unë besoj tek sistemi, jo tek individi në veçanti. Llalla ka shumë arsye pse duhet të qëndrojë aty, ashtu sikundër ka shumë gjëra që mund të bëheshin ndryshe. Problemi nuk është Prokuroria, problemi është hetimi, ka humbur sensi i të hetuarit.
Si mund të motivohet një Prokuror i Përgjithshëm, kur ai e di që do ta heqin sapo të kalojë reforma?
Unë nuk e them këtë. Për mua si ministër Drejtësie, Llalla do të ketë gjithë mbështetjen time. Do ta mbështes dhe kam nxituar në ditët e para të punës sime të komunikojë dhe me prokurorë të rretheve për të hetuar në Hipoteka, burgje, kudo ku do të ketë korrupsion. Ministri i Dejtësisë duhet të relatojë për të “bërat dhe të pabërat” e Prokurorit. Unë nuk hyj në këtë kategori, nuk kam ardhur të shkarkoj, por të punoj.
Ka korrupsion në burgje? Ka një listë çmimesh?
Mua më takon të shërbej dhe të marrë masa që të shërbehet. Kam informacione dhe po punoj për shumë raste që më kanë ardhur informacionet.
Ka hetues, gjykatës së kohës së Enverit që janë ende në ushtrim të detyrës. A keni një koment?
Unë nuk kam asnjë ngarkesë ndaj tyre, por ata që kanë kryer krime duhen dënuar. Edhe ata që kanë dhënë dënime ekstreme mirë është që të mos jenë të ekspozuar në jetën publike. Duhet kërkuar ndjesë për viktimat e komunizmit, ashtu siç duhet të tregojnë respekt për ata që kanë punuar me drejtësi dhe përkushtim.
Dekriminalizimi, a na çliron nga banditët e karagjozët?
Ligji është garancia më e mirë për këtë gjë. Por, si për çdo ligj tjetër edhe në rastin e dekriminalizimit garancia është minimaliste nëse vullneti është i keq. Ne si LSI e bëmë të parët këtë duke folur për dekriminalizimin, madje sot po flasim edhe për dekormercializimin e politikës.
Kur e mësuat se do bëheshit ministër i Drejtësisë?
Di që më thirrën dhe më thanë a e pranon apo jo? Duhet ta them që kemi patur biseda paraprake, pasi u bë e qartë se zoti Naço kërkoi dorëheqjen.
Çfarë të tha Meta kur të propozi detyrën?
Më tha të bëj këtë që po bëj. Të jem korrekt në punë dhe të jem pjesë e një nisme të fortë antikorrupsion dhe reformës në drejtësi.
Si punohet me Edi Ramën?
Duhet ta them që mua Rama më ka dhënë mbështetje për hir të së vërtetës. Ai është përkrahës i shumë ideve dhe nismave transparente që kam ndërmarrë për të kryer shërbimet publike. Unë dhe Rama nuk jemi gogol i njëri-tjetrit. Kemi patur pozita kritika në vite ndaj njëri-tjetrit. Në mendim jemi natyra kritike të dy, por jemi bashkëpunues.
Nuk ka ngjarë që ndërrimi i një ministri të jetë shoqëruar me aq shumë komente sa ky i juaji, madje u tha se kjo ishte një sfidë që Meta i bën Ramës?
Kjo është pjesë e analizës. Nuk është personale, nuk ka të bëjë fare me qëndrimet e mia dhe as të Ramës ndaj meje.
A do të korrigjoje ndonjë nga deklaratat e mëhershme ndaj Ramës?
Jo. Këtë as nuk e bëj dhe as i kërkoj kujt të ndryshojë deklarimet ndaj meje.
/tesheshi.com/