Disa rusë të punësuar si kontraktorë paraushtarakë ishin në mesin e më shumë se 100 personave të vrarë në sulmet ajrore të SHBA-së në Sirinë veriore javën e kaluar, sipas miqve dhe familjeve të tyre.
Këta persona po punonin për një kompani private ruse të quajtur Wagner, e cila ka dërguar qindra kontraktorë privatë në Siri për të ndihmuar ushtrinë ruse dhe forcat pro-regjimit.
Një nga të vdekurit ishte 51-vjeçari Vladimir Loginov. Ngjashëm me shumë kontraktorë që kanë shkuar në Siri, edhe ai ishte anëtar i një grupi kozakësh ultranacionalistë, të cilët gjithashtu kanë luftuar në Ukrainën lindore.
Distrikti Kozak i Baltikut tha në një deklaratë se Loginov ishte një shtetas rus i cili u vra në një “betejë të pabarabartë”, ndërsa “heroikisht mbronte atdheun tonë në largësinë e tij nga barbarët e çmendur”, kur vdiq më 7 shkurt.
“Vladimir vdiq për Atdheun, Kozakët dhe besimin ortodoks!”, tha grupi.
CNN ka arritur të konfirmojë emrat e të paktën tre rusëve të tjerë të cilët u vranë duke mbështetur milicinë pro-regjimit në një sulm në shkallë të gjerë atë ditë. Sipas zyrtarëve amerikanë, një forcë prej rreth 500 vetë kaluan lumin Eufrat afër Deir Ezzorit, së bashku me tanke, raketa dhe artileri.
Synimi i tyre ishte një bazë e Forcave Demokratike Siriane të mbështetura nga SHBA, të cilat ishin nën zjarrin e artilerisë. Një detashment i SHBA ndodhej në bazë. SHBA u përgjigj me sulme ajrore duke vrarë rreth 100 sulmues, sipas koalicionit, ndërsa pjesa tjetër u tërhoq.
Një nga rusët e vrarë ishte Kirill Ananyev, sipas mikut të tij Aleksandër Averin. Ai tha se Ananiev kishte qenë në Siri “pak më shumë se një vit” dhe se ai ishte vrarë kur “artileria amerikane shkatërroi njësinë e Wagnerit”.
Shumica e viktimave, sipas burimeve lokale, duket se kanë qenë anëtarë të një milicie të krishterë pro-regjimit nga qyteti i Suqaylabiyah. Më parë këtë javë, është mbajtur një funeral masiv për rreth 30 anëtarë të milicisë – që shpesh e përshkruan veten si “gjuetarët e ISIS” – në qytet.
Dy djemtë e një udhëheqësi të shquar fisnor u vranë, sipas postimeve të mediave sociale nga Siria.
Wagner, i cili ndodhet nën sanksione të SHBA-ve për mbështetjen e separatistëve në Ukrainën lindore, ka disa qindra kontraktorë në Siri, sipas analistëve. Në dhjetor, Nikolai Tikhonivch nga Tomsk u vra “në zonën e autostradës Hama-Idlib”, sipas një postimi social-mediatik nga grupi patriotik “Rus” të cilit i përkiste ai.
Dy kontraktorët e Wagner që u kapën nga ISIS në nëntor nuk janë lajmëruar nga koha kur janë shfaqur në një video menjëherë pasi u kidnapuan. Ata besohet të jenë të vdekur, sipas zyrtarëve rusë.
Wagner është i regjistruar në Hong Kong dhe nuk ka zyra publike në Rusi dhe nuk ka detaje të kontaktit. /tesheshi.com/