Amerikanët përgjithësisht njihen se kanë një botëkuptim pozitiv për jetën, por me afrimin e zgjedhjeve presidenciale të Nëntorit, sondazhet tregojnë se votuesit janë të zemëruar. Kjo mund të shpjegojë suksesin e kandidatëve që vijnë nga jashtë politikës, si republikani Donald Trump dhe demokrati Bernie Sanders. Por, çfarë qëndron në thelb të këtij irritimi?
Një sondazh i realizuar në Dhjetor 2015 nga CNN-ORC tregon se 69 për qind e amerikanëve janë ose “shumë të zemëruar”, ose “të zemëruar deri diku” rreth “rrugës që kanë marrë gjërat” në Shtetet e Bashkuara.
E njëjta shifër 69 për qind janë të zemëruar për shkak se sistemi politik “duket se po funksionon vetëm për ata që janë brenda tij me para dhe pushtet, si në Wall Street ashtu edhe në Washington”, sipas një sondazhi të kryer nga NBC/Wall Street Journal nëntorin e kaluar.
Shumë njerëz nuk janë vetëm të zemëruar, ata janë më të zemëruar sesa ishin një vit më parë, sipas një vëzhgimi nga
NBC/Esquire të muajit të kaluar. E kjo veçaërisht për republikanët me 61 për qind, dhe të bardhët 54 për qind, por edhe për 42 për qind të demokratëve, 43 të komunitetit latin dhe 33 për qind të afroamerikanëve.
Kandidatët e kanë ndjerë humorin e votuesve dhe po përshtasin retorikën me këtë rast. Donald Trump, që e ka rrokur më mirë se të gjithë irritimin e votuesve thotë se është “shumë, shumë i zemëruar” dhe “me kënaqësi, do të pranonte mantelin e zemërimit”, ndërsa rivali i tij republikan, Ben Carson thotë se ka takuar “shumë amerikanë që janë të shkurajuar dhe të zemëruar ndërsa shohin zhdukjen e ëndërrës amerikane”.
Ja pesë arsyet përse votuesit ndjehen sikur ëndërra amerikane po bie copë-copë.
- Ekonomia
“Mosarritja e progresit real ekonomik për klasën e mesme dhe punëtore në Amerikë përgjatë 15 vjetëve të fundit është burimi më bazik i zemërimit dhe pakënaqësisë në Shtetet e Bashkuara”, thotë William Galston, ekspert i studimeve të qeverisjes në organizatën Brookings Institution.
Edhe pse vendi mund të jetë rimëkëmbur nga recesioni – prodhimi ekonomik e ka marrë veten dhe niveli i papunësisë ka rënë nga 10 për qind në 2009-ën në 5 për qind në vitin 2015- amerikanët sërish ndjejnë ndikimin në portofolin e tyre. Të ardhurat për familje kanë qenë në stanjacion për 15 vjet. Në vitin 2014, të ardhurat mesatare për familje ishin 53,657 dollarë, sipas censusit, krahasuar me 57,357 dollarë në vitin 2007 dhe 57,843 në vitin 1999.
Gjithashtu, ndjehet një lloj mendësie se shumë vende pune janë të një cilësie më të ulët dhe mundësitë po veniten, thotë Galston. “Kërkimi i shpjegimeve mund të degjenerojë shpejt në identifikimin e keqbërësve në politikën amerikane. Në të majtë, ata janë miliarderët, bankat dhe Wall Street. Në të djathtë, ata janë emigrantët, vendet e tjera që na shfrytëzojnë dhe ekonomia ndërkombëtare- janë dy anë të së njëjtës monedhë”.
- Emigracioni
Demografia e Amerikës po ndryshon – gati 59 milionë emigrantë kanë mbërritur në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1965 e jo të gjithë kanë hyrë në vend legalisht. Dyzet vjet më parë, 84 për qind e popullsisë amerikane përbëhej nga të bardhë, jo hispanikë, një shifër që vitin e kaluar ishte reduktuar në 62 për qind, sipas një vëzhgimi të qendrës kërkimore Pew. Në vëzhgim projektohet që trendi do të vijojë dhe deri në 2055-ën njerëzit e bardhë jo hispanikë do të përbëjnë pak më pak se gjysmën e popullsisë. Pew projekton që ata të përbëjnë vetëm 46 për qind të popullsisë deri në vitin 2065. Ndërsa deri në 2055-ën, aziatikët do të jenë grupi më i madh që do të zhvendoset drejt Amerikës.
“Ka qenë një periudhë e ndyshimit të jashtëzakonshëm demografik, kulturor, fetar dhe breznor”, thotë Paul Taylor, autori i librit “Amerika e radhës”. “Ndërsa disa i mirëpresin këto ndryshime, të tjerë i vajtojnë ato. Disa votues më të moshuar dhe të bardhë nuk e njohin më vendin ku u rritën. Po rritet ndjesia e tribuve aliene”, thotë ai.
Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht 11.3 milionë emigrantë të paligjshëm. Ata bëhen shpesh shënjestër e zemërimit, thotë Roberto Suro, ekspert i emigracionit në universitetin e Kalifornisë së Jugut. “Ka një zhvendosje të ankthit dhe ata janë bërë fytyra e burimit më të madh të tensioneve, si terrorizmi, vendet e punës dhe pakënaqësisë. Ne e pamë këtë shumë qartë kur Donald Trump ndryshoi targetin e akuzave nga meksikanët tek muslimanët pa ndryshuar asnjë presje pas San Bernandinos”, thotë ai, duke iu referuar vrasjes së 14 personave në Dhjetor.
- Uashingtoni
Të pyetur nëse e besojnë qeverinë, 89 për qind e republikanëve dhe 72 për qind e demokratëve thanë “ndonjëherë” ose “kurrë”, sipas qendrës kërkimore Pew. Gjashtë në 10 amerikanë mendojnë se qeveria ka shumë pushtet, sugjerohet në një sondazh të Gallup, që e nxjerr qeverinë si problem kryesor në Shtetet e Bashkuara për të dytin vit radhazi e kjo mbi çështje të tilla si ekonomia, punësimi apo emigracioni.
Ngërçi në Capitol Hill dhe perceptimi për një pafuqi të zyrtarëve të zgjedhur është shkak pakënaqësie për 20 deri në 30 për qind të votuesve, thotë ekspertja e sondazheve, Karlyn Bowman nga American Enterprise Institute.
“Njerëzit i shohin politikanët që grinden dhe që nuk mbarojnë punët, plus që përgjegjësitë e Kongresit janë shtuar mjaft që prej viteve ’70 dhe kjo ka bërë të ketë më shumë gjëra për të kritikuar. Njerëzit ndjehen më të larguar nga qeveria dhe të hidhëruar me të”, thotë ajo.
William Galston mendon se një pjesë e tërheqjes nga Donald Trumo dhe Bernie Sanders qëndron tek irritimi me atë që njerëzit e shohin si një sistem të dështuar. “Kështu, në të djathtë kemi dikë që kandidon si “njeri i fortë”, një Berlusconi dhe një Putin, dhe në të majtë kemi dikë që refuzon gradualizmin dhe apelon për një revolucion politik”, thotë ai.
Ted Cruz, i cili fitoi zgjedhjet në Iowa gjithashtu kandidon edhe kundër mjedisit politik. “Sot është fitore për secilin amerikan që ka parë me mosbesim sesi politikanë karriere në Uashington nga të dyja palët refuzojnë të dëgjojnë dhe shpesh nuk mbajnë premtimet ndaj popullit”, tha ai në fjalimin e së hënës.
- Vendi i Amerikës në botë
Amerika është mësuar që ta shohin si një superfuqi por numri i amerikanëve që mendojnë se SHBA “qëndron sipër të gjitha vendeve në botë” ka rënë nga 38 për qind në vitin 2012, në 28 për qind në vitin 2014, sipas qendrës kërkimore Pew. 70 për qind e amerikanëve mendojnë gjithashtu se SHBA po humbet respektin në arenën ndërkombëtare, sipas një sondazhi të qendrës në vitin 2013.
“Për një vend që është mësuar të jetë në krye të botës, 15 vjetët e fundit nuk kanë qenë të mirë sa i takon politikës së jashtme. Ka një ndjesi se Amerika është në luftë që prej 11 Shtatorit e kjo nuk është zhdukur asnjëherë, një ndjesi se Amerika nuk di më se çfarë dëshiron dhe që gjërat nuk po shkojnë sipas interesit të saj”, thotë Roberto Suro.
Ngritja e Kinës, dështimi në mposhtjen e talibanëve dhe progresi i dobët në luftën nga të ashtuquajturit ISIS janë shkaqe që kanë kontribuar në këtë ankth.
Amerikanët janë gjithashtu, më të frikësuar nga perspektiva e sulmeve terroriste sesa në çdo kohë tjetër që prej 11 Shtatorit, sipas një sondazhi të Neë York Times/CBS poll. Reagimi amerikan ndaj ngjarjes në San Bernadino ishte e ndryshme nga ajo e francezëve ndaj sulmeve të Parisit, thotë Galston. “Ndërsa francezët mbështetën qeverinë, amerikanët u rreshtuan kundër saj. Ekziston përshtypja se qeveria amerikane po dështon në detyrimet e saj më bazike, të sigurisë për vendin dhe popullin”.
- Kombi i ndarë
Demokratët dhe republikanët janë polarizuar ideologjikisht më shumë se kurrë. Republikani tipik tashmë është më konservator në thelbin e vet social, ekonomik dhe pikëpamjet politike sesa 94 për qind e demokratëve, krahasuar me 70 për qind në vitin 1994, sipas qendrës kërkimore Pew.
Demokratik tipik ndërkohë, është më liberal sesa 92 për qind e republikanëve, një rritje nga 64 për qind.
Studimet tregojnë gjithashtu se pjesa e amerikanëve me pikëpamje të forta negative për palën kundërshtare është dyfishuar, dhe armiqësia është kaq e thellë, saqë shumë do të ishin jo të lumtur nëse një i afërm do të martohej me dikë me bindje të ndryshme politike.
Ky polarizim e bën arritjen e kompromiseve për probleme të mëdha si emigracioni, kujdesi shëndetësor dhe kontrolli i armëve shumë më të komplikuar. Ky ngërç, ndërkohë, zemëron një pjesë tjetër të elektoratit. “Pavarësisht kësaj rritjeje të polarizimit në Amerikë, një pjesë e madhe në mes janë pragmatistë. Ata nuk janë totalisht të paangazhuar, por nuk duan të shohin Uashingtonin në ngërç. Por reagimi i tyre ndaj këtij debati është thjesht irritimi”, thotë Paul Taylor. Ky grup ka në përbërje shumë të rinj dhe tenton të qëndrojë larg etiketimeve partiake. “Nëse ata do të votonin”, thotë ai, “do të kishin në dorë një rol të rëndësishëm në zgjedhje”. Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/