Një sondazh i bërë së fundmi në Kosovë e renditi Lëvizjen Vetëvendosje si parti të dytë duke lënë pas LDK-në e Isa Mustafës, ndërsa parti të parë e konfirmoi PDK-në që tashmë udhëheqet nga Kadri Veseli.
Por deputetja e VV-së, Donika Kadaj-Bujupi, beson fuqishëm se Lëvizja në të cilën ajo bën pjesë do të dalë si parti e parë në zgjedhjet e ardhshme, për çka thotë se VV është duke u përgatitur fuqishëm.
Po ashtu, një prej opozitareve më të fuqishme, paralajmëron qeverinë “Mustafa” që të mos tentojë të rikthejë në Kuvend projektligjin për Demarkacionin, në të kundërtën thotë se VV do ta kundërshtoj fuqishëm.
Deputetja Kadaj-Bujupi, në një intervistë ekskluzive për tesheshi.com të parën si deputete e VV-së, flet edhe për deklaratën e bërë nga Albin Kurti për mundësinë e një lufte të re, për objektin e të ashtuquajturës kishë ortodokse serbe në oborrin e UP-së si dhe për tema të tjera…
Intervistoi: Blendi Gashi
Donika, po fillojmë inervistën me temën më të përfolur, atë të Demarkacionit. Qeveria “Mustafa”, ka paralajmëruar se s’do heq dorë dhe do e rikthej këtë çështje në Kuvend për ratifikim, me gjasë këtë muaj. A keni informata se kur mund të ndodh kjo? Cili do jetë reagimi që do bëj Vetëvendosje në Kuvend?
Një përpjekje e tillë është e rrezikshme, aq sa e padrejtë dhe jodemokratike. Pasi që Demarkacioni me Malin e Zi është rrezik për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës në rradhë të parë, sikurse është një veprim jodemokratik pasi qeveria nuk e hodhi vetë në votim ditën kur parashihej kjo gjë, pra me 1 shtator. Vetëvendosje ka qenë e angazhuar ta ndal këtë projekt të dëmshëm për Kosovën, i cili ia humbet Kosovës 8200 hektarë. Angazhimi i VV-së dhe mobilizimi qytetar e bën të mundur dështimin e kësaj marrëveshje, prandaj konsideroj se Demarkacioni ka vdekur ditën kur pritej votimi i tij – me 1 shtator.
VV është e gatshme që me çdo mjet demokratik t’ia vërtetoj qeverisë aktuale nëse ajo insiston të kundërtën sepse Lëvizja është e bindur që s’duhet falur asnjë centimetër i tokës sonë.
Nëse projektligji për shënjimin e kufirit me Malin e Zi kalon, a do të organizoi VV protesta të reja?
Protesta është mjeti më i rëndësishëm për ruajtjen e demokracisë. Një vend nuk imagjinohet dot pa protesta. Konsideroj se protesta është domosdoshmëri në vende si Kosova që shkojnë drejt modelit të shtetit autoritar. VV do të bëj të gjitha përpjekjet që ky version i Demarkacionit të mos hapet më si temë dhe jam e bindur se një gjë e tillë s’do të ndodhë, dhe nëse pretendohet, do të kundërshtohet e pamundësohet. Por gjithsesi, pavarësisht Demarkacionit, VV do të jetë gjithnjë me gatishmëri të plotë për të protestuar në interes të Kosovës. VV do ta ngris zërin me aksione, peticione, protesta e çdo formë tjetër demokratike në mbrojtje të Kosovës.
Albin Kurti tha se ratifikimi eventual i Demarkacionin pas pesë viteve mund të sjell luftë. A ndani të njëjtin mendim edhe ju?
Në fakt është e njëjta gjë që pati thënë një artikull i “Ëashington Post”. Në atë artikull të datës 8 shtator, thuhej që “territori dhe kufiri i kontestuar sjellë luftë të re”. Albini të njëjtën gjë e tha dy ditë më vonë, pra me 10 shtator, dhe u problematizua aq shumë, duke iu dhënë konotacioni më negativ i mundshëm. Natyrisht që VV nuk dëshion dhe shpresoj që kjo të mos ndodhë, por rreziku ekziston nëse Demarkacioni bëhet kundër vullnetit të qytetarëve të Kosovës.
Një çështje mjaft aktuale vazhdon të jetë objekti siç quhet i kishës ortodokse serbe në kampusin e Universitetit të Prishtinës. Sipas jush, duhet të rrënohet ky objekt apo keni ndonjë ide se çfarë duhet bërë me të?
Në fakt ai objekt i cili dëshmon krimin e gjenocidin millosheviqian, s’do të duhej të quhej fare kishë. Ai është një objekt që është tregues i krimit të organizuar të Serbisë ndaj shqiptarëve, dhe një objekt i tillë i cili uzurpon hapësirë brenda kampusit qeveritar, mendoj që nuk e ka vendi aty.
Unë konsideroj se hapësirat universitare janë të studentëve dhe ato s’mund të uzurpohen nga askush, ndërsa në lidhje me rrënimin e atij objekti, këtu fjalën e fundit e kanë institucionet përkatëse që konform ligjit duhet ta trajtojnë këtë çështje.
Ditëve të fundit u publikua një sondazh ku VV-në e nxjerr parti të dytë në vend. A priTni një rezultat të tillë apo më shumë? Nëse eventualisht VV del e para, cila parti, është më e pranueshme për koalicion paszgjedhor; PDK, LDK, AAK apo NISMA ?
Nuk është i vetmi sondazh ky që e ka nxjerrë VV-në si subjekt që po përjeton rritje të vazhdueshme, pasi që një gjë të tillë na e kanë konfirmuar edhe sondazhe të tjera vendore e ndërkombëtare. E më së miri kjo po vërtetohet edhe nga aktiviteti i VV-së në terren, në takimet e tubimet, nëpër vizitat në fshatra e qytete etj.
Po shiht se ky trend i rritjes së Lëvizjes po vazhdon, dhe VV po përgatitet që të dalë subjekti i parë në zgjedhjet e ardhshme. Është moment vendimtar ky dhe fitorja e Lëvizjes është e domosdoshme, përndryshe ky vend do të përballet me fatkeqësi edhe më të mëdha. Sa për koalicionet, një gjë e tillë është herët dhe as që është një nga temat prioritare për momentin. Lëvizja është e fokusuar në rritjen e organizatës, dhe në fitimin e zgjedhjeve.
Temat me të cilat përballen çdo ditë qytetarët e këtij vendi, janë: papunësia, shëndetësia e edukimi etj… A do të jenë këto çështjet kryesore me të cilat do të merret VV nëse e merr pushtetin apo me tema siç quhen të mëdha…?
Është e pasinqertë dhe e padrejtë të akuzohet Lëvizja Vetëvendosje që nuk po merret me tema me të cilët po përballen qytetarët, por me tema të mëdha. Së pari dua të them se Demarkacioni me Malin e Zi dhe “Zajednica” janë çështje me rëndësi jetike për vendin dhe qytetarët kanë treguar se janë të shqetësuara edhe për to, dhe kjo dëshmohet edhe nga peticioni, por edhe nga protestat më masive që kanë ndodhur në këtë vend. Ka qenë domosdoshmëri që VV të merret me këto dy çështje, më saktë parandalimin e tyre, pasi që pushteti merrej veç me to, konkretisht jetësimin e tyre. Së dyti, ju e keni parë se nga dështimi i ratifikimit të Demarkacionit, VV ka mbajtur mbi 10 konferenca për media me tematika të ndryshme, e pikërisht edhe këto që po i përmendni ju. Ka folur për problemet në shëndetësi, për të drejtat e punëtorëve, për papunësi e varfëri, për veteranët, për pensionet, për energjinë etj…
Qeveria është ajo që nuk po merret me problemet e qytetarëve. VV edhe si opozitë po trajtojn këto probleme, ndërsa kur të marrë drejtimin e qeverisë, gjithsesi që do ketë të gjithë mekanizmat në dorë për zgjidhjen e këtyre problemeve.
Një temë e pashmangshme është edhe Specialja, që pritet të ngrit aktuakuzat e para në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm. Çfarë pritni konkretisht nga kjo Gjykatë?
Lëvizja Vetëvendosje që nga fillimi i këtij komploti juridik ndaj luftës së UÇK-së dhe rendit juridik të republikës e ka kundërshtuar këtë gjykatë duke mos besuar asnjëherë që kjo gjykatë duke e qenë e njëanshme, as nuk do të sjellë drejtësi dhe as nuk do të jetë në shërbim të së vërtetës. Kjo gjykatë është mjet represiv politik i cili do të shfrytëzohet si mjet i shantazhit për proceset e ardhshme politike. Në njërën anë krimet e panumërta të makinerisë shtetërore të Serbisë, e në tjetrën anë lufta e drejtë çlirimtare e popullit të Kosovës jo që po barazohen, por me favorizimin e Vuçiqit dhe gjykimin e UÇK-së po dënohet e kaluara. Në vend se sistemi jonë gjyqësor të merrej me të gjitha krimet e luftës pa marrë parasysh se nga kush janë kryer krimet, ajo po i nënshtrohet politikës ditore.
Në këtë mënyrë nuk mund të besohet në një gjykatë etnike dhe të njëanshme. Kjo gjykatë asnjëherë nuk sjellë drejtësi, dhe ka prapavijë politike! /tesheshi.com/