Surpriza më e madhe deri tani e kësaj Kupe të Amerikës është pa dyshim humbja e Uruguajit ndaj Venezuelës.
Rekordmenët e fitimit të këtij aktiviteti, që e kanë bërë 15 herë të tyren trofeun, janë tani të eliminuar që në ndeshjet në grupe, diçka që nuk ngjiste që prej vitit 1997.
Uruguaji ka 0 pikë pas dy ndeshjesh në grupin C, dhe është e detyruar t’i thotë lamtumirë aktivitetit.
Skuadra amerikanolatine e vuajti pa fund mungesën e Luis Suarez-it, pa të cilin dështoi në dy takimet e deritanishme.
Ndërkohë, Venezuela, një prej ekipeve modeste, e ka mposhtur mbrëmë Uruguajin 1-0, duke siguruar kështu kalimin për në fazën tjetër të Kupës së Amerikës. Eshtë hera e parë në këtë veprimtari që Venezuela fiton dy ndeshje radhazi.
Goli i vetëm i ndeshjes është shënuar në minutën e 36-të nga Rondon.
Në takimin tjetër të së premtes, Meksika ka fituar 2-0 ndaj Xhamajkës, duke iu bashkuar Venezuelës në kalimin e grupit.
Pasi mposhtën Uruguajin katër ditë më parë, meksikanët nuk e kanë patur shumë të vështirë të kalojnë Xhamajkën. Hernandez dhe Peralta i dhanë fitoren Meksikës me golat e tyre.
Meksika dhe Venezuela e kanë siguruar kështu kalimin e grupit, kurse përfaqësuesja uruguajane kthehet në shtëpi, po ashtu si Xhamajka. /tesheshi.com/