Edhe pse ka shumë më tepër piramida se fqinji i vet, Egjipti, në Sudan mund të endesh mes rrënojave të paprekura, pa asnjë turist rreth e rrotull. Me më shumë se 250 varre antikë në territorin e vet, piramidat e Sudanit njihen shumë më pak se “kushërirat” egjiptiane dhe si rrjedhim, kanë shumë më pak vizitorë. Një gjë e tillë mund të lejojë privatësi absolute për ata pak njerëz që marrin përsipër të vizitojnë piramidat në mes të Saharasë.
Mirëmëngjes nga Saharaja
Të zgjohesh me diellin e nxehë në fytyrë, të kushton përpjekje të madhe për të hapur sytë. Pamja e parë që të shfaqet janë ngjyrat e ndryshkut të hapësirës së paaanë të shkretëtirës së Saharasë dhe asnjë frymë tjetër rreth e rrotull. Nëse udhëton përmes Saharasë në Sudan, natën mund ta kalosh jashtë me rërën e butë si dyshek dhe me një batanije yjesh të shndritshëm.
Nëse vetëm kacavirresh në ndonjë nga dunat e larta për të pasur një vështrim më të qartë të asaj që shtrihet përpara, vizitorët mund të shohin atë që kanë ardhur të kërkojnë. Atje tej, me qindra piramida të mëdha ngrihen nga asgjëja e shkretëtirës – një vendndodhje që shumë pak sy e kanë parë.
Piramidat e humbura të Sudanit
Prej vitit 2600 përpara erës sonë deri afërsisht në vitin 300 të erës sonë, kjo zonë është njohur si Nubia antike, dhe është sunduar nga kushitët, të cilët ishin si armiq ashtu edhe miq të egjiptianëve, në kohë të ndryshme. Ata ndiqnin shumë prej ritualeve egjiptiane si varrosja e mbretërve dhe mbretëreshave të tyre në varre-piramida. Ekzistojnë më shumë se 250 piramida përgjatë lumit Nil në Sudan, një numër që e tejkalon disa herë numrin e kushërirave të tyre egjiptiane.
Udhëtim pas në kohë
Të udhëtosh në Sudan, duhet shumë kurajo, ose ndonjë mik të mirë që ka jetuar aty dhe njeh njerëzit. Këta udhëtarë-aventurierë, zakonisht, janë plot me histori tërheqëse për eksplorimin e Nubias antike, për gatimin në zjarr në kampet e ngritura mes dunave të rërës dhe takimet me arkeologët që kanë zbuluar artefakte që kanë mbetur pas nga një civilizim 5 mijë vjeçar. Vizitorët që marrin përsipër udhëtimin do të duhet të bëjnë një kthim pas në kohë, duke udhëtuar me makinë përgjatë Nilit nga Kartumi në Dongola, për të eksploruar piramidat dhe rrënoja të tjera gjatë rrugës.
Ndalesa sudaneze anë rruge
Sudani nuk është një destinacion i zakonshëm turistik, dhe pa dyshim nuk është një vend i lehtë për t’u vizituar. Edhe vizat për të hyrë në këtë vend kërkojnë një mal me dokumente, ndërsa prenotimet me telefon janë të rralla. Por këto janë çmim i vogël për të paguar në këmbim të pasurisë së historisë antike në një vend ku shumica e popullsisë është miqësore dhe mikpritëse.
Në Kartum, mund të marrësh me qira makina dhe një shofer vendas është i domosdoshëm për të negociuar rrugët me gunga dhe kontrollet e shumta policore (terrorizmi është një kërcënim i vazhdueshëm në Sudan). Ndërsa udhëtimi prej vetëm 100 kilometrash mund të hajë deri në disa orë, ndalesat buzë rrugës janë një domosdoshmëri. Në barakat e ngritura në fshatrat përgjatë rrugës, njerëzit të presin ngrohtësisht me kupa çaji të ëmbël, ndërsa të ofrojnë të blesh radhë me rruaza të cilat përgatiten enkas për njerëzit që duan të pushojnë aty pas udhëtimeve të gjata.
Rrënojat e kryeqytetit antik
Përgjatë rrugës që shkon në veri të Kartumit, ndalesa e parë janë piramidat në Meroe, kryeqyteti i mbretërisë Kushite nga viti 300 përpara erës sonë. Tashmë qëndrojnë të vetme në shkretëtirën sudaneze, aty ku kanë qëndruar për më shumë se 2 mijë vjet. Piramidat janë ndërtuar sipas modelit të piramidave egjiptiane dhe shërbejnë si varre për mbretërit dhe mbretëreshat e Meroe. Ato ndodhen afër Nilit, një burim i rëndësishëm uji dhe tregtie drejt Egjiptit, duke lidhur shumë nga rrënojat antike që gjenden aktualisht në Sudanin e ditëve të sotme.
Jo si piramidat e Egjiptit
Në kontrast me piramidat e Egjiptit në Giza, pjesa më e madhe e piramidave në Meroe janë pak më të vogla, me faqe anësore më të pjerrëta, bazë më të ngushtë dhe tempuj shtesë për dhuratat. Ato shtrihen në gjendje të ndryshme rrënimi për shkak të valës së gjuetarëve të thesareve në vitet 1800: disa qëndrojnë drejt të ruajtura në kushte perfekte, të tjera janë të padallueshme, grumbuj rrënojash. Ngjyra e tyre dukshëm më e errët vjen për shkak të përmbajtjes më të lartë të hekurit tek gurët.
Piramidat në Meroe janë listuar si pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në vitin 2011, por për shkak të vendndodhjes së tyre në verilindje të Sudanit- një vend që përmbledh bashkë shumë imazhe lufte dhe krize ekonomike – vizitohet nga shumë pak vizitorë, zakonisht jo më shumë se 10 të tillë në ditë.
Piramidat që shihen nga pak sy
Një burrë i vetmuar që shet biletat të pret në hyrje të kësaj venndodhje të trashëgimisë botërore. Më pas është radha për të parë grupin e parë prej nëntë piramidash në varrezën jugore. (Meroe ka tre varreza – veriun, jugun dhe perëndimin, me pak kilometra distancë nga njëra-tjetra)
Të ecësh midis piramidave, dukesh si një xhuxh për shkak se ndjehesh i rrethuar nga lashtësia. Shkëmbinjtë e tyre janë të ngrohtë në prekje, për shkak se ngjyra e errët e tyre thith mjaft nga i nxehti i shkretëtirës.
Gdhendjet në gur
Vizitorët mund të shëtisin ose të kacavirren në disa nga tempujt e dhuratave që nuk janë gëlltitur nga rëra. Ato janë hapësira të vogla, disa metra katrorë, mirëpo brenda tyre, ka gdhendje tërheqëse nëpër mure, që përshkruajnë skena të ndryshme nga jeta në mbretërinë Kushite, përfshirë edhe mbretëreshat që drejtojnë njerëzit apo populli që nderon perënditë egjiptiane. Në një tempull, një reliev i gdhendur jep prova se personi me gjak mbretëror që është varrosur në piramidë, është i mumifikuar, mbuluar me bizhuteri dhe është vendosur brenda një kutie prej druri.
Vizitë nga vendasit
Orët nuk ndjehen ndërsa eksploron piramidat, por nuk mund të mos ndjesh kuriozitet kur sheh një fëmijë të vogël që vrapon drejt teje. Pas tij, edhe disa të tjerë. Lajmi i mbërritjes së vizitorëve është shpërndarë në të gjithë fshatin e afërt Kabushiya. Fëmijët sjellin modele të punuara me dorë të piramidave, të krijuara me rërën që gjendet gjithkund, dhe pyesin në një përzierje të anglishtes me arabishten, se nga vijnë vizitorët.
Prindërit e tyre mbërrijnë me gamilje për të çuar vizitorët nga një grup piramidash në tjetrin, dhe perspektiva e një udhëtimi alternativ përmes rërës në diellin e mesditës është diçka tërheqëse.
Endërr për një arkeolog
Piramidat e Meroe janë piramidat më të ruajtura në Sudan: ato kanë numrin më të madh të varreve dhe janë kërkuar më intensivisht se të tjerat nga arkeologët. Sidoqoftë, ndërsa kalon me makinë përgjatë Nilit, nuk është e pazakontë të dallosh grupe të tjera piramidash apo rrënojash antike në distancë.
Po të shkosh me makinë disa qindra kilometra sipër lumit, drejt qytetit Dongola, viziton edhe vendndodhjen arkeologjike të mirënjohur, Kerma, shtëpinë e mbretërisë Kerma, më shumë se 5 mijë vjet më parë. Edhe pse ishin të ndikuar po ashtu nga egjiptianët, populli i Kermës ishte një civilizim më vete, duke sunduar Nubian antike përpara se të mbërrinin Kushitet e të ndërtonin piramidat.
Në Kerma, sot mund të shohësh ndërtesën më të vjetër me tulla balte në Afrikë, një varr i vogël rrethuar me vendvarrime më të vogla të ngjashme me të.
Faraoni i lënë pas
Në vitin 2003, u gjetën më shumë se 40 statuja të mëdha graniti të faraonëve, që mendohen se kanë qenë sundimtarët e perandorisë Kushite, shpërndarë nëpër shkretëtirën rreth Kermës. Pjesa më e madhe e këtyre statujave u mblodhën dhe u vendosën nëpër muzeume, por disa (si ai që duket në fotografi) kanë mbetur në shkretërirë që udhëtarët me shpirt aventure të mund t’i zbulojnë.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/